
Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, pas dështimit të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Putin është shprehur i gatshëm të mbështesë një zgjidhje politike dhe diplomatike për konfliktin. Në deklaratën zyrtare theksohet se Rusia synon arritjen e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme” në rajon.
Telefonata mes dy liderëve u zhvillua ditën e sotme, menjëherë pasi bisedimet maratonë 21-orëshe në Islamabad përfunduan pa një marrëveshje konkrete.
Kremlini theksoi se Moska është e gatshme të intensifikojë përpjekjet për ndërmjetësim dhe të lehtësojë dialogun mes palëve, në një kohë kur dështimi i negociatave ka vënë në rrezik armëpushimin e brishtë të arritur më herët gjatë javës.
Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza për bllokimin e procesit. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e cilësoi mungesën e marrëveshjes si një zhvillim negativ sidomos për Iranin.
Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, deklaroi se SHBA-të nuk kanë arritur të fitojnë besimin e Teheranit, pavarësisht hapave të ndërmarrë nga delegacioni iranian.
“SHBA-të e kanë kuptuar logjikën dhe parimet e Iranit dhe është koha që ato të vendosin nëse mund ta fitojnë besimin tonë apo jo”, u shpreh ai.
Ndërkohë, të dhënat e transportit detar tregojnë se cisterna të ngarkuara me naftë kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, në lëvizjet e para që nga nisja e armëpushimit.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, theksoi se ruajtja e armëpushimit dyjavor është thelbësore për uljen e tensioneve në konfliktin që ka nisur në fund të shkurtit.
Lini një Përgjigje