
Harris nuk ia doli t’i bindë votuesit për diçka thelbësore: se ishte mjaftueshëm e aftë për të shërbyer si presidente e tyre.
Zëvendës/presidentja Kamala Harris udhëhoqi një koalicion që shtrihej nga kongremenia e majtë Alexandria Ocasio-Cortez, tek ish-kongresmenia republikane Liz Cheney dhe babai i saj konservator, Dick Cheney.
Ajo e mbështeti fushatën mbi vizionin e një shoqërie të ligjit, morali, bashkëjetesës ndër-racore, ku puna e palodhur mund të siguronte ende arritjen e Ëndrrës Amerikane, ku energjia e pastër do të nxiste një ekonomi dinamike, dhe ku do të kishte mjaftueshëm hapësirë zhvillimi për të gjithë.
Ky koalicion i gjerë dhe ky vizion optimist, mblodhi një sasi të paprecedentë fondesh. Ai angazhoi dhjetëra mijëra vullnetarë që u aktivizuan nëpër zona, bënin telefonata dhe organizuan shumë tubime të vogla. Por në fund çdo gjë rezultoi e kotë. Çdo fushatë humbëse e ka fajtorin e vet, ashtu si çdo fushatë fituese është produkt i gjenialitetit të atij që e drejtoi.
Ata që kritikojnë apo japin këshilla për një lojë, pasi ajo ka mbaruar, dhe që nuk kanë punuar kurrë në një fushatë zgjedhore - veçanërisht nën mjegullën e propagandës dhe keqinformimit të krahut të djathtë, që tani po e përshkon shumë fort dhe po e shtrembëron politikën amerikane - janë rrallëherë bindës.
Fushata e Donald Trumpit ishte një përzierje e ligësisë dhe marrëzisë. Edhe sikur të kishte humbur, epërsia e MAGA-s, e mundësuar nga QAnon dhe nisma të tjera delirante, është një dëshmi se pjesa më e madhe e SHBA-së ka hyrë në një sferë politike post-racionale, post-qytetare ku mbretëron propaganda, shpesh një propagandë shumë idiote.
Një nga argumentet kryesore të natës së zgjedhjeve, ishte se si miliona raste të “manipulimit” që pretentohej se ishin kryer nga demokratët dhe emigrantët pa dokumente, u zhdukën si me magji sapo Trump nisi të ishte në avantazh në procesin e numërimit. Një Parti Republikane që është përçmuese e virtytit dhe e përkushtuar ndaj gënjeshtrës, është një problem shumë i madh.
Por ndoshta nuk është një problem që mund ta rregullojë Harris apo ndonjë demokrat tjetër. Konsensusi i përafërt midis profesionistëve të fushatës, është se Harris zhvilloi një fushatë të mirë ose më të mirë sesa pritej në rrethana të vështira.
Partitë në të gjithë botën, kanë dështuar të fitojnë një mandat tjetër për shkak të zemërimit të votuesve nga kufizimet e shumta të imponoi pandemia dhe inflacionin që e shoqëroi dhe pasoi. Të gjitha partitë në pushtet, e humbën pjesën e tyre të votave.
Koncepti se një demokrat tjetër, do të kishte pasur sukses aty ku dështoi Harris, apo se një mesazh apo një koalicion i ndryshëm, do të kishte ndikuar tek votuesit e distancuar nga Trump, duket iluzor në rastin më të mirë. SHBA-ja u zhvendos në të djathtë.
Zhvendosja nga bluja tek e kuqja, ishte përgjithësisht më pak e theksuar në 7 shtetet e lëkundura, të cilat patën sërish shumicën dërrmuese të burimeve dhe të vëmendjes gjatë fushatës. Harris doli më keq në vende si qyteti i Nju Jorkut, që zhvendosi djathtas 17 për qind të votave dhe disa qarqe në Kaliforni, që u kthyen nga demokrate në republikane.
Tek e fundit, votuesit kishin përpara një zgjedhje të qartë. Ishte një garë e vështirë midis shpresës dhe frikës. Harris nuk ia doli t’i bindë votuesit për diçka thelbësore: se ishte mjaftueshëm e aftë për të shërbyer si presidente e tyre. Vizioni i saj për një të ardhme pozitive për të gjithë, u rrëzua përballë pretendimeve të Trump se “byreku po zvogëlohej”, ndaj është më mirë që ta merrni tani pjesën tuaj, përpara se ta vjedhë një emigrant ose një fëmijë transgjinor.
Demokratët e kanë shpeshherë të vështirë që të fitojnë kundër këtij argumenti. Historikisht, ata kanë vepruar bazuar në teorinë se të gjithë meritojnë njëfarë mirëqënie, dhe se shoqëria amerikane është mjaftueshëm e pasur për ta siguruar atë. Nga ana tjetër, frika nga mungesa e burimeve, është një mburojë e politikës konservatore në mbarë botën.
Si duhet të kundërpërgjigjen demokratët? A duhet të shmangin në të ardhmen emërimin si kandidate të një gruaje? A do të ishin ende demokratë, nëse do ta zgjidhnin këtë rrugë? Gratë janë forca kryesore e partisë, shumica e talentit të saj dhe themeli i forcës së saj elektorale.
Ato përbëjnë gjithashtu më shumë se gjysmën e qytetarëve amerikanë. Sondazhet e exit poll, të cilat janë në përgjithësi të pasakta, mund të na tregojnë gjithsesi disa të dhëna mbi motivimet e burrave hispanikë, shumica e të cilëve duket se kanë votuar për Trump.
Ndoshta Harris mund të ishte treguar më mirëkuptuese ndaj ndjenjës së tyre të pasigurisë ekonomike apo kërcënimit të statusit të tyre. Ose ndoshta ata burra, menduan se në një shoqëri kaq shumë të polarizuar në aspektin racor, në të cilën emigrantët hispanikë dhe zezakë po dëmtoheshin çdo ditë, ishte më mirë të tuboheshin rreth burrit të bardhë sesa gruas zezake.
Sigurimet Sociale, Medicare dhe Obamacare, janë të gjitha në rrezik të lartë në një administratë Trump. Politika e frikës ka të ngjarë të ndryshojë në muajt në vijim. Se si demokratët do ta hartojnë dhe transmetojnë atë mesazh, kjo mbetet për t’u parë. Duke supozuar se republikanët do të pretendojnë shumicën në Kongres, ashtu si në Senat dhe Gjykatën e Lartë, në Uashington nuk do të ketë më një ndonjë bazë pushteti të demokratëve.
Nju Jorku, prej kohësh një bastion i liberalëve, gjendet në një kaos politik, me një guvernator të pafat dhe me një kryebashkiak të paditur për korrupsion. Kjo e lë Guvernatorin e Kalifornisë Gavin Newsom si udhëheqësin e mundshëm të partisë. Ai ka të ngjarë që të nisë testojë që tani parulla të reja, për t’iu përshtatur rolit të tij të ri.
Duke pasur parasysh suksesin e infrastrukturës së gjerë propagandistike të Partisë Republikane, që tani përfshin dhe platformën X të Elon Musk, por edhe dështimin e mediave tradicionale të lajmeve për të menaxhuar një mjedis informativ të degraduar nga propaganda dhe gënjeshtrat partiake, për demokratët do të ketë thirrje të reja që të krijojnë rrjete propagandistike rivale.
Dhe ndoshta këtë herë do ta bëjnë këtë. Zgjedhjet e këtij viti, mund të jenë fillimi i fundit për mediat e vjetra elitare. Shpeshherë ato nuk duan që të veprojnë si polici informacioni, duke “arrestuar” gënjeshtrat apo duke privilegjuar faktet. Në këto kushte, misioni dhe dobia e tyre janë gjithnjë e më të turbullta.
Më rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, sasia e gënjeshtrave do të rritet në një kohë që reporterët veteranë do synojnë të kenë qasje tek gënjeshtarët. Dhe kjo është një recetë për dështime të mëtejshme. Në fakt, demokratëve mund t’u duhet të presin për një tjetër katastrofë nën qeverisjen e një presidenti republikan.
Megjithatë, keq-menaxhimi i Covid-19 nga Trump, në të cilin ai e mbushi sferën publike me gënjeshtra dhe informacione të gabuara, nuk e ndaloi rikthimin e tij në pushtet. Po ashtu edhe veprat e shumta penale për të cilat akuzohet apo është shpallur fajtor. (Një mjedis post-racional u përshtatet mirë demagogëve që kanë kultin e personalitetit).
Në çdo rast, ne do të jetojmë së shpejti jo nën një presidencë të re, por më shumë nën një sistem të ri qeverisje. Mbetet e paqartë se çfarë do të jetë ky i fundit. Por shumë shenja janë tashmë të dukshme. Ligësia dhe marrëzia do të jenë shtyllat e tij binjake, dhe jo sundimi i ligjit apo demokracia./ Përshtati "Pamfleti", nga “Bloomberg”.
Lini një Përgjigje