
Sot është e vështirë të thuhet nëse Brukseli mund të arrijë të marrë vendime kaq të rëndësishme.
Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, shumëkush po pyet se cilat mund të jenë pasojat ekonomike për vendet e tjera, sidomos në Evropë. Mario Deaglio, profesor i ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin e Torinos në Itali, thotë se “ajo që do të ndodhë, nuk do të jetë dhe aq e ndryshme nga ajo që do të kishte ndodhur, nëse fituese do të ishte Kamala Harris.
Sipas tij pavarësisht se kanë stile të ndryshme drejtimi, të dy kandidatët do të ishin dakord për të siguruar që Shtetet e Bashkuara të izolohen nga problemet globale nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të përpiqen të konfirmojnë primatin e tyre të padiskutueshëm në botë.
A do të penalizohet më shumë ekonomia evropiane me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë?
Unë them se po, sepse për Evropën qasja në tregun amerikan do të bëhet akoma më e vështirë. Do të bjerë kërkesa e SHBA-së për produkte evropiane, dhe ndoshta në këtë anë të Atlantikut do të kuptojmë se jemi goxha prapa në aspektin teknologjik. Edhe në fushën e prodhimit të makinave elektrike, ne u parakaluam shumë shpejt nga kinezët. Dhe siç e po shohim, kriza e madhe e këtij sektori në Gjermani, është një problem serioz edhe për furnitorët italianë.
Nga ana tjetër, Gjermania po përjeton një krizë politike, duke qenë se kancelari Scholz sapo ka shkarkuar Ministrin e tij të Financave…
Po, edhe situata politike në Francë nuk është më e mira. Presidenti Macron po e bën i vetëm politikën e jashtme, teksa është zbehur ndikimi politik dhe ekonomik i Parisit në Afrikë. Prandaj, ne në Evropë jemi në një gjendje shumë të keqe. Mendoj se një mënyrë për të dalë nga kjo vështirësi, duhet të kalojë përmes centralizimit në Bruksel të një sërë shpenzimesh, duke filluar nga ato për mbrojtjen, për të vazhduar me ato shëndetësore dhe infrastrukturore, të financuara jashtë buxhetit të BE-së. Pra përmes emetimit të parave nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE).
Fakti që Lindner nuk është më Ministër i Financave në Gjermani, e bën më të lehtë emetimin e borxhit të përbashkët të kërkuar nga Mario Draghi në raportin e tij?
Ndoshta po, por rruga drejt daljes nga kriza ende e gjatë. Ne nuk mund të anashkalojmë faktin se Evropa do të duhet të bëjë jo pak zgjedhje në një periudhë afatshkurtër, siç është ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pra ose do të pranojmë të paguajmë më shumë për mbrojtjen tonë, siç na e kërkon haptazi Uashingtoni, dhe kjo do të kërkojë një kapacitet më të madh financimi nga Brukseli.
Ose do të detyrohemi të biem dakord me Pekinin, në mënyrë që t’i kemi ato lëndë të para gjithnjë e më të rëndësishme edhe për industrinë elektronike. Megjithatë, kjo do të thotë të jesh më dashamirës ndaj përpjekjes së BRICS për të krijuar një monedhë alternative ndaj dollarit për transaksionet ndërkombëtare.
Si do ta reagojë Trump ndaj përpjekjes të BRICS për të rivalizuar fort dollarin?
Ai do të shtiret në publik si indiferent, megjithatë në prapaskenë do të përpiqet ta ngadalësojë ose ta bllokojë këtë nismë. Dhe mbi të gjitha, nuk do t’i harrojë emrat e shteteve që do të vendosin ta mbështesin këtë projekt.
Duke pasur parasysh lidhjen historike me Shtetet e Bashkuara, a do të jetë ndonjëherë në gjendje Evropa të bëjë zgjedhje që nuk preferohen nga Uashingtoni?
Lidhja jonë e ngushtë me SHBA-në ekziston mbi të gjitha për shkak të NATO-s. Dhe në rast se Evropa dëshiron ta ruajë atë, do të duhet të investojë në mbrojtje, gjë që do t’i përshtatej asaj, pavarësisht situatës së arsenalit të saj ushtarak. Në të kundër, do të jetë në gjendje të llogarisë mbështetjen e SHBA-së, vetëm nëse kjo përputhet me interesat e Uashingtonit. Ndër të tjera, unë besoj se Trump dëshiron, siç e pranoi edhe gjatë fushatës zgjedhore, që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Që Evropa ta bëjë një zgjedhje të tillë, do të duhet të presim ndoshta të qetësohet situata në Gjermani dhe Francë, dhe kjo mund të marrë pak kohë...
Është e vërtetë, por gjërat nuk presin, dhe ne mund të na duhet të vendosim më herët. Dhe mënyra më e thjeshtë për ta zgjidhur krizën e prodhimit në Gjermani, është të synohet arritja e një marrëveshje me Kinën.
Në rast se kriza vazhdon në Gjermani dhe Francë, a do të mundet Komisioni Evropian t’i marrë gjërat nën kontrollin e tij dhe të vendosë, apo nuk është ende një institucion kaq i fortë?
Sot është e vështirë të thuhet nëse Brukseli mund të arrijë të marrë vendime kaq të rëndësishme. Mua më duket se duke përfituar edhe nga situata e përgjithshme politike, Ursula von der Leyen do ta ndërtojë komisionin e ri në një mënyrë të tillë, që ai të jetë vetë një pikë referimi për shumë më tepër çështje, sesa komisioni që po e mbyll mandatin.
Nga njëra anë kjo mund të nervozojë një ose më shumë vende anëtare. Por nga ana tjetër, mund të hedhë bazën për vendime të centralizuara mbi çështje të caktuara, si për shembull migracioni ose marrëdhëniet me Afrikën./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje