TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Shkurt 2025, 22:47

Demokracia mbrohet edhe me pranga!

Shkruar nga Anita Bernacchia

Demokracia mbrohet edhe me pranga!

Pesë orë marrje në pyetje. Kaq kohë kaloi të mërkurën Călin Georgescu, kandidati pro-rus në zgjedhjet presidenciale rumune të dhjetorit të anuluara tashmë, në Prokurorinë e Përgjithshme në Bukuresht, teksa më pas u ndalua nga policia.

Në një video të postuar në rrjetin X, simpatizuesi i Kremlinit shihet me shpatulla pas murit duke u prangosur nga policia. Kriza politike që po e trondit Rumaninë prej disa muajsh, ka arritur në një pikë kthese vendimtare.

Vendi po drejtohet nga presidenti i përkohshëm, Ilie Bolojan, kreu i Partisë Nacional Liberale (PNL), pas dorëheqjes së Klaus Iohannis javët e fundit, të kërkuar nga disa forca politike dhe të dhënë për të shmangur shkarkimin.

Iohannis u akuzua si një president i paligjshëm, pasi Gjykata Kushtetuese anuloi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale për shkak të ndërhyrjes së dyshuar së Rusisë. Duke e humbur mbështetjen e një pjese të shumicës që tashmë mbështet qeverinë pro-evropiane, ish-presidenti ka vendosur të japë dorëheqjen për të shmangur tensionet e mëtejshme.

Prokuroria e Përgjithshme e akuzon pro-rusin Georgescu për nxitje të veprimeve kundër rendit kushtetues, përhapje të informacioneve të rreme, dhënie të përsëritur të deklaratave të rreme (mbi burimet e financimit të fushatës zgjedhore dhe deklaratat tatimore) dhe krijimin e një organizate fashiste, raciste dhe ksenofobike.

Në një operacion të koordinuar, oficerët e zbatimit të ligjit kryen kontrolle në 47 vende të lidhura me Georgescu dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë truprojën e tij Horațiu Potra. Në dhjetor 2024, ish-luftëtari i Legjionit të Huaj i lidhur me Grupin Ëagner dhe i afërt me lëvizjet neofashiste, ishte gati të shkaktonte trazira pas balotazhit të anuluar.

Në shtëpinë e Potras policia gjeti 10 milionë euro, armë dhe bileta avioni për në Moskë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu edhe lidhjet e Potra me elementë pro-rusë, duke përfshirë një grua që dyshohet se është e lidhur me mercenarët çeçenë.

Mediat rumune raportuan se Potra u pa në Sheshin e Kuq në Moskë shtatorin e vitit të kaluar. Nën hetim është dhe shefi i fushatës Radu Pally. Përballë kërkimeve që përfshinin bashkëpunëtorët e tij, Georgescu kërkoi në Facebook që të “ndalet ky abuzim”.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk u dorëzua, duke u ankuar në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe kërkuar zhvillimin e balotazhit. Pasi u refuzua, u përpoq të ankohej në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, ku sërish dështoi. “Ku është demokracia?“- ankohen në një postim bashkëpunëtorët e Georgescut.

Demokracia evropiane është e dobët!”- akuzon zëvendës/presidenti i SHBA-së, J.D. Vance. Përgjigja është e thjeshtë: demokracia në Evropë është në vendin e saj, në anën e ligjit dhe të drejtave dhe në anën e duhur të historisë. Kështu mbrohet edhe demokracia në Evropë.

Georgescu u vendos nën kontroll gjyqësor për 60 ditë, me ndalimin e largimit nga vendi. Pra për jo pak kohë vëmendja do të jetë tek Rumania, një vend kyç jo vetëm në krahun lindor të NATO-s, por edhe në kufirin lindor të Bashkimit Evropian, një shtyllë e Moldavisë dhe Ukrainës.

Një vend, ku BE-ja beson se në maj do të ketë një president të aftë për të përballuar këto sfida dhe jo një aleat të Putinit, siç është edhe kandidati pro-rus. Në dalje të prokurorisë e prisnin qindra mbështetës, të cilët ishin mbledhur në shesh disa orë më parë për të demonstruar me flamuj rumunë dhe thirrjet “Rroftë presidenti!”.

Midis tyre, përfaqësues të partive AUR (Aleanca për Bashkimin e Rumunëve ) dhe POT (Partia Rinore), të cilët në muajt e fundit kishin deklaruar tashmë mbështetjen e tyre për rikandidimin e tij të mundshëm të George Simion.

Pikërisht në momentin e arrestimit, Georgescu, ishte gati të riparaqiste kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë riplanifikuar të mbahen në datat 4 dhe 18 maj. Në prag të zgjedhjeve të mëparshme, ai renditej shumë poshtë në sondazhe, por habiti shumëkënd duke fituar raundin e parë, falë një fushate të dyshimtë por të suksesshme në mediat sociale, veçanërisht në TikTok.

Sfidantja e saj ishte liberalja Elena Lasconi (Bashkimi Shpëto Rumaninë, USR), e cila nuk do të rikandidojë në maj, ndoshta duke ofruar mbështetje për të pavarurin Nicușor Dan, kryebashkiak i Bukureshtit dhe ish-anëtar i USR.

Drejtësia është e pavarur, dhe ligji duhet të zbatohet pavarësisht personit”- deklaroi për televizionin Digi24, kryeministri Marcel Ciolacu, në mandatin e tij të dytë pas krijimit të një qeverie të pakicës pro-evropiane midis socialdemokratëve, nacional-liberalëve dhe komunitetit hungarez (PSD-PNL-UDMR).

Dhe paralajmëroi: ”Vetëm me prova të qarta dhe të argumentuara, ky hetim penal mund të shmangë shndërrimin në manifestin elektoral të një kandidati”.

Kjo ishte ajo që theksohet edhe në opinionin e Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës në janar, sipas të cilit vendimi për anulimin e zgjedhjeve, duhet të specifikojë gjithmonë në mënyrë transparente se cilat ligje shkelen dhe çfarë provash paraqiten./Përshtati "Pamfleti" nga “Linkiesta”

Lini një Përgjigje