TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Mars 2024, 09:53

Ceremonia mortore e Navalnyt, shkon në 120 numri i të arrestuarve

Shkruar nga Pamfleti

Ceremonia mortore e Navalnyt, shkon në 120 numri i të arrestuarve

Shkon në 120 numri i personave të arrestuar në Rusi pas pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të kritikut më të madh të Putinit, Aleksei Navalny, i cili u përcoll për në banesën e fundit ditën e djeshme.

Vdekja e tij mbetet ende mister, i cili ndërroi jetë më 16 shkurt në një burg në Arktik.

Navalny është varrosur në varrezat afër shtëpisë ku është rritur në Moskë, teksa dhjetëra mijëra mbështetës kanë rrezikuar që të përballen me autoritetet dhe kanë shkuar për ta nderuar jashtë kishës ku është mbajtur ceremonia e lamtumirës.

Familjarët dhe personat më të afërt janë lejuar të jenë brenda në kishë, para se ai të varrosej.

Forcat policore kanë qenë në çdo cep të rrugëve të Rusisë dhe ndonëse nuk ka pasur raportime për incidente, më shumë se 120 persona janë ndaluar më vonë në Moskë, Shën Petersburg, Novisibirsk, Jetakerinburg dhe qytete tjera, pse kanë marrë pjesë në organizimet për të kujtuar Navalnyn.

Organizata për të drejta të njeriut First Department, ka raportuar se nëpër gjykatat në katër rajonet ruse, emri i Navalnyt është konsideruar “simbol ekstremist”.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi të ceremonisë së zhvilluar në kishë, ndonëse aty janë ndaluar kamerat.

Në to janë parë prindërit e Navalnyt afër trupit të tij, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund ta shohin për herë të fundit.

Në ceremoninë në kishë kanë marrë pjesë edhe shumë diplomatë perëndimorë që janë të angazhuar në Moskë.

E veja e Navalnyt, Yulia, e cila jeton jashtë Rusisë, për arsye të sigurisë, nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Mirëpo më vonë, ajo ka publikuar një video emocionuese, duke kujtuar momentet më të mira me burrin e saj.

“Nuk e di si të jetoj pa ty, por do të tentoj të bëj më të mirën për të të bërë të lumtur dhe krenar për mua. Nuk e di a do të mundem, por do të tentoj”, ka thënë ajo, duke aluduar se do të vazhdojë vizionin e tij për demokraci dhe liri në Rusi.

Para ceremonisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka paralajmëruar që organizimet e paligjshme në mbështetje të Navalnyt, konsiderohen shkelje e ligjit.

Po ashtu, ai ka thënë se Kremlini nuk e konsideron Navalnyn si politikan dhe nuk ka çfarë të thotë për familjen e tij.

Gruaja e Navalnyt ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin se është ai që qëndron pas vdekjes së burrit të saj.

Të njëjtin mendim ndajnë edhe disa liderë të Perëndimit, ndonëse Kremlini hedh poshtë vazhdimisht këto qëndrime.

Lini një Përgjigje