A e meriton bota të ketë në krye udhëheqës të respektuar, që i japin fund qetësimit të masave popullore përmes sloganeve dhe veprime populiste? Shumëkush besonte se rritja e ndërgjegjësimit dhe kulturës në shekullin XXI-të do të krijonte një mburojë kundër kësaj lloj sjelljeje, dhe se ajo do të rrëzohej në votime në rast se do të testohej. Ne kemi parë shumë shembuj gjatë javëve të fundit.
Nga t’ia nisim? Nga SHBA-ja? Duket se fuqia më e madhe e botës po ecën symbyllur drejt përsëritjes së skenarit të zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës, në atë që duket se do të jetë një garë mes 2 burrave të njëjtë, që sot janë në fund të të 70-tave dhe fillimin e 80-ave dhe që nuk përfaqësojnë asgjë të re: Presidenti demokrat Joe Biden dhe paraardhësi i tij republikan Donald Trump.
Apo nga Britania, ku një qeveri konservatore - kryeministri dhe shumë ministra të së cilës kanë origjinë emigrantësh dhe i përkasin grupeve minoritare - e ka ndërtuar strategjinë e saj politike populiste rreth dëbimit të azilkërkuesve?
Apo mos duhet t’ia fillojmë me Gjermaninë, një vend, qytetërimi i madh i të cilit u ndot dikur nga nazizmi, dhe ku kompleksi historik i fajit, së bashku me një rrjet interesash politike, bëhen bashkë për të nxitur mizoritë e kryera në Gaza, pikërisht nga fëmijët e viktimave të Holokaustit nazist?
Apo nga Franca, vend që ruan ende iluzionet e të qenit një fuqi globale, që i kupton shumë mirë ankthet e popujve të botës por edhe kontradiktat e qytetërimeve të saj, megjithatë ka vënë në krye të politikës së jashtme një dyshe të re. Kjo e fundit nuk ka as përvojën e duhur dhe as ka adoptuar sistemet e vlerave të nevojshme për të zhvilluar një mekanizëm për të pasur dialog dhe mirëkuptim me të tjerët.
Apo nga Takimi Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku dëgjuam një populist që u ngjit në pushtet falë dëshpërimit të popullit argjentinas, të mbante një leksion plot budallallëqe mbi politikën dhe ekonominë, duke sulmuar çdo sistem të njohur të qeverisjes në botë?
Këto janë vetëm disa nga shembuj e gjërave që kemi parë dhe vazhdojmë të shohim. Ato pasqyrojnë një gjendje të trishtueshme të punëve sot: politikanëve u mungon besueshmëria e nevojshme për të ndërtuar një sistem global që ia vlen të pajtohet dhe respektohet.
Nga Rripi i Gazës në Argjentinë, dhe nga India në Ukrainë, të gjitha sloganet që dolën në fund të Luftës së Ftohtë po bien tashmë. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe shembjes së Bashkimit Sovjetik, shumë njerëz besuan se kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë beteja kryesore.
Kësisoj u duk sikur nuk kishte asnjë justifikim për ta vonuar marshimin e njerëzimit drejt lumturisë, paqes, bashkëjetesës, prosperitetit dhe drejtësisë. Mjerisht, për qindra miliona njerëz naivë dhe me qëllime të mira, u bë më vonë e qartë se natyra njerëzore nuk është ashtu siç ishin nxitur të mendonin se ishte në vendet e adhurimit, forumet partiake apo “llogoret e luftës”.
Për më tepër, blloku fitimtar nuk ishte një shoqatë bamirësie që synonte të bashkonte njerëzit.
Ai nuk kishte as “spital”, misioni i të cilit ishte trajtimi i “sëmundjeve”. Përkundrazi, ishte një luftëtar brutal në një arenë që si rregull nuk strehonte të dobëtit. Dhe në fakt, sapo përfundoi Lufta e Ftohtë, duke i dhënë fund konfliktit Lindje-Perëndim, ne pamë shfaqjen e betejave dhe luftërave të ndryshme etnike, fetare dhe sektare që synonin “të korrigjonin gabimet historike”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe në Ballkan shpërtheu lufta që ndryshoi sërish hartën e Evropës. Kjo u pasua nga luftërat në Kaukaz dhe së fundmi në Ukrainë. Kthimi i Moskës në arenën ndërkombëtare, këtë herë me maskën e nacionalizmit, ishte një nga këto përpjekje për të korrigjuar ato që perceptohen si gabime historike.
Ajo u shfaq e armatosur me një kujtesë të fortë dhe më shumë indinjatë ndaj Perëndimit. Rezultatet e panoramës së re që u shfaq në perëndim të asaj që dikur ishte sfera sovjetike, u përsëritën edhe më në jug, në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, një Perëndim i ngazëllyer nga fitorja e tij, i shpërfilli faktorët që e nxisnin Moskën të bëhej agresive, por edhe dinamikën e ngritjes së Kinës, si dhe ngritjen e politikës fetare si një alternativë ndaj nacionalizmit dhe shekullarizmit në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Sidomos në Lindjen e Mesme, këmbëngulja e Uashingtonit për të qenë i vetmi që kishte të drejtë të udhëhiqte iniciativat rajonale të paqes, krijoi jo vetëm një qasje tmerrësisht të çekuilibruar për të siguruar një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.
Por ajo përshpejtoi gjithashtu ngritjen e një të djathte tejet radikale në Izrael. Në fakt, e djathta izraelite ishte plotësisht e bindur se kishte të drejtën ta diktonte politikën e Shteteve të Bashkuara në rajon, dhe ta shfrytëzonte Amerikën për të çuar përpara projektet e saj.
Siç e kemi parë dhe vazhdojmë ta shohim, rënia e cilësisë së udhëheqjes së SHBA-së (qoftë ajo e administratave republikane apo demokrate) gjatë dekadave të fundit, e ka bërë më të lehtë që e djathta fetare izraelite të shpallë hapur synimet e saj.
Sot me krizën e Gazës, ne po zbulojmë se ato që ishin dikur grupime të vogla fraksionesh të së djathtës fetare në Knesset (parlamentin izraelit), po i imponojnë tashmë axhendën e tyre politike qeverisë aktuale izraelite. Nga ana tjetër, kjo e fundit ia ka imponuar Uashingtonit axhendën e saj politike.
Ajo i ka forcuar jo pak pozitat për shkak të fillimi të vitit elektoral në SHBA, periudhë në të cilën Partia Republikane dhe Partia Demokratike janë në garë se kush mban marrëdhënie me të ngushta me lobin pro-izraelit. Por edhe përtej Uashingtonit, ky lob e ka shfrytëzuar sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izraelin Jugor, për të diktuar sipas dëshirës së tij narrativën politike mbi konfliktin arabo-izraelit. Në këtë përpjekje, është ndihmuar edhe nga përkufizimi i ri i “antisemitizmit” në Perëndim.
Po ashtu ai shfrytëzoi ambiciet ekspansioniste të Iranit dhe zhytjen alarmante të Evropës nën një valë të re të populizmit dhe armiqësisë ndaj emigrantëve, refugjatëve dhe më gjerësisht ndaj myslimanëve në përgjithësi. Në këtë pikë, vlen të theksohet se lobe të tilla nuk mjaftohen më vetëm me infiltrimin tek partitë në të djathtë dhe të majtë, siç ka ndodhur dhe po ndodh në SHBA, Britani, Francë etj.
Tani ata po synojnë të ndikojnë mbi forcat, të cilat prej kohësh konsideroheshin si periferike për pesha, idealiste, por edhe tek partitë e gjelbra. Shpjegimi logjik mbi këtë fenomen, është rënia e cilësisë së lidershipit dhe e standardeve etike të institucioneve politike, qoftë edhe për shkak të zbehjes së llogaridhënie demokratike. Kjo e fundit pengohet haptazi sa herë që lobi pro-izraelit depërton në të dyja alternativat kryesore politike përmes shërbimeve, parave dhe ndikimit. Siç shkruante dikur politikani dhe historiani britanik Lordi Acton: “Pushteti tenton të korruptojë, dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”./ Pështati Pamfleti nga “Arab News”
Shënim:Eyad Abu Shakra, është kryeredaktori i gazetës arabe “Asharq Al-Awsat”.
Lini një Përgjigje