Bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Gjenevë me synimin për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë, përfunduan pa një përparim të dukshëm, por me sinjale se dialogu do të vazhdojë.
Takimet, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, zgjatën deri vonë të martën, ndërsa të mërkurën u mbajtën për rreth dy orë. Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete, përfaqësuesi amerikan Steve ëitkoff shprehu optimizëm për frymën e diskutimeve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit rusë dhe ukrainas i përshkruan negociatat si “të vështira”, duke reflektuar hendekun e thellë që mbetet mes palëve për çështje kyçe si territori dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm.
Negociatori i Kremlinit, Vladimir Medinsky, i cilësoi bisedimet si “biznesore” dhe njoftoi se një takim tjetër do të zhvillohet “së shpejti”, duke sinjalizuar vazhdimësinë e procesit diplomatik. Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pranoi se diskutimet janë të ndërlikuara për shkak të dallimeve të mëdha në qëndrime.
Megjithatë, negociatori ukrainas Rustem Umerov përdori një ton më pozitiv, duke i cilësuar diskutimet si “substanciale dhe intensive” dhe duke lënë të kuptohet se ka pasur elemente përparimi, ndonëse pa dhënë detaje në këtë fazë.
“Kjo është një punë komplekse që kërkon koordinim midis të gjitha palëve dhe kohë të mjaftueshme”, deklaroi ai.
Çështjet që ndajnë palët
Moska dhe Kievi mbeten larg në qëndrime për territorin dhe arkitekturën e një marrëveshjeje paqeje. Rusia ka kërkuar kontroll të plotë mbi rajonin lindor të Donbasit, përfshirë Donetsk dhe Luhansk, kërkesë që Ukraina e refuzon duke e konsideruar dorëzim të territorit sovran.
Zelensky ka paralajmëruar se çdo plan që parashikon dorëzimin e Donbasit do të refuzohej nga qytetarët ukrainas nëse do të hidhej në referendum. Sipas mediave amerikane, ai ka theksuar se një “paqe e drejtë” nuk mund të nënkuptojë humbje territoriale të detyruara.
Një tjetër pikë e ndërlikuar mbetet statusi i Centralit Bërthamor të Zaporizhias, më i madhi në Evropë, i cili ndodhet nën kontrollin rus që nga marsi 2022. Ukraina kërkon rikthimin e tij, ndërsa ka hedhur idenë e një forme administrimi të përbashkët me përfshirje amerikane, një propozim që Moska e sheh me rezervë.
Roli i SHBA-së dhe pritshmëritë
Presidenti amerikan Donald Trump, i angazhuar në përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës, ka shprehur publikisht pakënaqësi për mungesën e progresit. Ai ka deklaruar se Ukraina “duhet të vijë sa më shpejt në tavolinë”, një qëndrim që Zelensky e ka kundërshtuar, duke theksuar se përgjegjësia për kompromis nuk mund të jetë e njëanshme.
Takimi i fundit i drejtpërdrejtë mes delegacioneve ruse dhe ukrainase ishte zhvilluar në janar në Abu Dabi, nën ndërmjetësimin e SHBA-së, duke çuar në një shkëmbim të të burgosurve, i pari pas disa muajsh. Së fundmi, Zelensky ka lënë të kuptohet se një shkëmbim i ri mund të ndodhë së shpejti, çka shihet si një hap i mundshëm ndërtimi besimi.
Ndonëse pa rezultat të prekshëm, raundi i Gjenevës konfirmon se kanalet diplomatike mbeten të hapura. Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se vetë vazhdimi i dialogut, në një klimë të tensionuar dhe me dallime të thella, përbën një element pozitiv në përpjekjet për uljen e konfliktit.
Lini një Përgjigje