TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shkurt 2026, 10:44

Arkitektura e re e sigurisë evropiane: A po shembet ombrella e NATO-s nën hijen e Trump-it?

Shkruar nga Paul Taylor
Arkitektura e re e sigurisë evropiane: A po shembet ombrella e NATO-s
Forcat e NATO-s duke përdorur një lëshues raketash të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) gjatë një stërvitjeje në Cincu, Rumani, 9 shkurt 2026.

Nga mbrojtja bërthamore te logjistika në terren, Evropa po kërkon një formulë të re për të garantuar kufijtë e saj pa varësinë nga Uashingtoni. Ky model i ri synon të tejkalojë bllokimet burokratike dhe të bashkojë fuqitë ushtarake të kontinentit në një front të vetëm e të vendosur...

Pas një viti në mandatin e dytë të Donald Trump-it dhe dy Konferencave të Sigurisë në Mynih, tashmë është mëse e qartë: Evropës do t’i duhet ta mbrojë veten në të ardhmen me më pak mbështetje nga SHBA-ja.

Ndoshta me shumë më pak; ose mbase pa asnjë mbështetje. Udhëheqësit evropianë e pranojnë se duhet të reduktojnë varësinë e tepërt nga Uashingtoni. Megjithatë, shumë prej tyre, përfshirë Keir Starmer-in dhe deri diku Friedrich Merz-in, kapen ende pas “rrënojave” të marrëdhënies transatlantike.

Ata e bëjnë këtë më shumë me shpresë sesa me siguri, se SHBA-ja do t’i vijë në ndihmë Evropës në rast të një sulmi rus mbi territorin e NATO-s. Po kush beson vërtet se Trump, i cili preferon shfaqjet jetëshkurtra të fuqisë amerikane, do t'i angazhonte forcat e tij në një luftë të pafundme në Evropë - me rreziqe potenciale bërthamore - nëse Vladimir Putini do të pushtonte papritur një qytet kufitar rusishtfolës në Estoni apo arkipelagun norvegjez të Svalbardit në Arktik?

Tashmë, të gjitha qeveritë evropiane e kuptojnë se duhet të marrin potencialisht të vetme përgjegjësinë për mbrojtjen e kontinentit. Kjo do të kërkojë një dekadë rritjeje të ndjeshme të shpenzimeve ushtarake, një masë që deri tani gëzon mbështetje të gjerë publike sipas sondazheve.

Megjithatë, disa shtete - përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë - ndodhen në një pozitë fiskale tepër të brishtë për të financuar një armatim të tillë pa huamarrje masive të përbashkëta, diçka që Gjermania refuzon ta pranojë.

Por blerja e armëve, është vetëm një pjesë e procsit të ndërtimit të një mbrojtjeje evropiane të besueshme dhe sovrane. Sigurisht, ajo kërkon kapacitete që politikanët i kanë për zemër t’i shfaqin, si satelitët, avionët luftarakë dhe fregatat.

Por kërkohen edhe elemente “më pak tërheqëse”, për të cilat ata ngurrojnë të shpenzojnë: municione, pjesë rezervë, logjistikë, trajnime e stërvitje rraskapitëse, si dhe një rritje masive të forcave të armatosura, që mund të përfshijë edhe rekrutimin selektiv.

Është po aq jetike që Evropa të krijojë një strukturë të re udhëheqëse për të marrë vendime të shpejta ndaj agresionit. Katër vitet e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës kanë vërtetuar se as NATO-ja, as BE-ja nuk mund të jenë plotësisht të besueshme për një reagim të shpejtë dhe adekuat.

NATO dominohet nga SHBA-ja dhe mbetet e paralizuar kur Uashingtoni nuk dëshiron të përfshihet. Aleanca bëri çmos t’i qëndronte larg mbështetjes së drejtpërdrejtë për Kievin në vitin 2022, duke refuzuar kërkesat e Volodymyr Zelenskyy-t për krijimin e një zone të ndalim-fluturimit.

NATO mori përsipër koordinimin e furnizimeve ushtarake vetëm vitin e kaluar. Nga ana tjetër, BE-ja vendosi me shpejtësi sanksione ekonomike dhe menaxhoi shkëputjen nga gazi rus, por ajo nuk është një organizatë mbrojtëse.

Për më tepër, Hungaria, si një shtet me qëndrime pro-ruse,  ka penguar vazhdimisht paketat e sanksioneve dhe ndihmën financiare për Kievin. Në Konferencën e Mynihut fundjavën e kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kancelari Friedrich Merz folën për nevojën e jetësimit të paktit të mbrojtjes së ndërsjellë të BE-së (Neni 42.7), i cili teorikisht është më detyrues se sa Neni 5 i NATO-s.

Megjithatë, BE-ja ka mungesë ekspertize ushtarake dhe nuk posedon një komandë operacionale. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, asnjë gjeneral evropian në detyrë nuk ka komanduar më shumë se një brigadë në fushëbetejë.

Forcat e dërguara në Afganistan, Irak apo Ballkan kanë qenë kryesisht ekspeditash ose paqeruajtëse. Si BE-ja, ashtu edhe NATO-ja, janë të prangosura nga parimi i unanimitetit dhe brenda tyre kanë anëtarë “problematikë” - 4 vende ushtarakisht neutrale në BE dhe qeveritë pro-ruse në Hungari e Sllovaki.

Për më tepër, BE-ja nuk përfshin tre shtete kyçe për mbrojtjen e kontinentit: Britaninë e Madhe, Norvegjinë dhe Turqinë. Asnjëra nga këto organizata nuk po shfrytëzohet tani që duhet hartimi i garancive të sigurisë për Ukrainën në rastin të një armëpushimi.

SHBA-ja nuk dëshironte përfshirjen e NATO-s për të mos komprometuar negociatat e saj me Rusinë. Në vend të kësaj, Franca dhe Britania e Madhe - dy fuqitë bërthamore të Evropës dhe anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - krijuan një “koalicion të vullnetshmëve” prej rreth 35 kombesh.

Ky grup përfshin fuqitë kryesore ushtarake të kontinentit, por edhe Kanadanë, Japoninë dhe Australinë. Nëse ata do të vendosin apo jo trupa në Ukrainë, mbetet e paqartë.

Kjo do të varet nga gatishmëria e Putinit për t’i dhënë fund luftës dhe nga vullneti - ende i pasigurt - i vendeve evropiane për të angazhuar trupa në tokë, avionë në ajër dhe anije në Detin e Zi./Përshtati Pamfleti nga “The Guardian”

arkitektura e re e sigurisë evropiane

Lini një Përgjigje