Të dhënat tronditëse tregojnë se kriza klimatike dhe mushkonjat pushtuese nënkuptojnë se chikungunya mund të përhapet në 29 vende.
Një sëmundje tropikale shumë e dhimbshme, e quajtur chikungunya, mund të transmetohet tashmë nga mushkonjat në pjesën më të madhe të Europës, sipas një studimi të ri të cituar nga gazeta britanike The Guardian.
Rritja e temperaturave për shkak të krizës klimatike ka bërë që infeksionet të jenë të mundshme për më shumë se gjashtë muaj në vit në Spanjë, Greqi dhe vende të tjera të Europës Jugore, si dhe për rreth dy muaj në vit në juglindje të Anglisë. Shkencëtarët paralajmërojnë se, me vazhdimin e ngrohjes globale, përhapja drejt veriut është vetëm çështje kohe.
Studimi analizon për herë të parë në mënyrë të plotë ndikimin e temperaturës në kohën e inkubacionit të virusit tek mushkonja tigër aziatike, e cila është përhapur në Europë gjatë dekadave të fundit. Sipas të dhënave, temperatura minimale në të cilën mund të ndodhë transmetimi është 2.5°C më e ulët nga sa vlerësohej më parë. Studiuesit e cilësojnë këtë diferencë si “mjaft tronditëse”.
Virusi i chikungunyas u identifikua për herë të parë në vitin 1952 në Tanzani dhe për dekada mbeti i kufizuar në zonat tropikale, ku regjistrohen miliona infeksione çdo vit. Sëmundja shkakton dhimbje të forta dhe të zgjatura të kyçeve, që mund të jenë dobësuese dhe, në raste të caktuara, fatale për fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.
Vitet e fundit janë raportuar raste në më shumë se 10 vende europiane. Në vitin 2025, Franca dhe Italia u përballën me shpërthime të mëdha me qindra raste. Sipas raportimit, në Francë u regjistruan mbi 800 raste brenda një viti, ndërsa në dekadën e mëparshme numri total ishte rreth 30 raste.
Sandeep Tegar, nga Qendra Britanike për Ekologji dhe Hidrologji (UKCEH) dhe autori kryesor i studimit, deklaroi se ritmi i ngrohjes në Europë është afërsisht dy herë më i shpejtë se mesatarja globale dhe se kufiri i ulët i temperaturës për përhapjen e virusit ka rëndësi të madhe. Sipas tij, zgjerimi drejt veriut është i pashmangshëm.
Edhe Dr. Steven White, nga e njëjta qendër, theksoi se dy dekada më parë prania e sëmundjeve tropikale si chikungunya dhe dengue në Europë do të dukej e pamundur, por situata ka ndryshuar për shkak të përhapjes së mushkonjës invazive dhe ndryshimeve klimatike.
Mushkonja tigër aziatike (Aedes albopictus), e cila pickon gjatë ditës, po zhvendoset gradualisht drejt veriut të kontinentit me rritjen e temperaturave. Ajo është zbuluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, por ende nuk është vendosur në mënyrë të qëndrueshme. Ekzistojnë vaksina kundër chikungunyas, por ato janë të kushtueshme; mbrojtja më efektive mbetet shmangia e pickimeve.
Dr. Diana Rojas Alvarez, drejtuese e ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për viruset që transmetohen nga insektet dhe rriqrat, theksoi se studimi tregon se transmetimi në Europë mund të bëhet më i dukshëm me kalimin e kohës. Ajo shtoi se deri në 40% e të prekurve mund të vazhdojnë të përjetojnë artrit ose dhimbje të forta edhe pas pesë vitesh.
Studimi, i botuar në revistën shkencore Journal of the Royal Society Interface, analizoi të dhënat nga 49 studime të mëparshme për të përcaktuar kohën e inkubacionit të virusit në varësi të temperaturës. Rezultatet tregojnë se pragu minimal i transmetimit është 13–14°C, më i ulët se vlerësimet e mëparshme prej 16–18°C.
Kjo do të thotë se infeksionet mund të ndodhin për më shumë se gjashtë muaj në vit në Spanjë, Portugali, Itali dhe Greqi, si dhe për tre deri në pesë muaj në vit në Belgjikë, Francë, Gjermani, Zvicër dhe një numër vendesh të tjera europiane.
Shpërthimet në Europë zakonisht nisin kur udhëtarë të infektuar kthehen nga rajone tropikale dhe pickohen nga mushkonjat lokale, të cilat më pas përhapin virusin. Deri tani, dimrat e ftohtë kanë kufizuar aktivitetin e mushkonjave dhe kanë ndërprerë zinxhirin e transmetimit nga një vit në tjetrin. Megjithatë, shkencëtarët po vërejnë aktivitet gjatë gjithë vitit në disa zona të Europës Jugore.
Në Mbretërinë e Bashkuar nuk është raportuar ende transmetim lokal i virusit, por në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 u regjistruan 73 raste tek persona që u infektuan jashtë vendit, gati trefishi i së njëjtës periudhë të vitit 2024.
E paskan shpik nji pandemi te re.