
Presidenti amerikan Joe Biden tha të martën se beson se do të arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës, çështje të cilën e diskutoi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, njoftuan shërbimet e tij.
“Unë flas me njerëz të përfshirë në këtë çështje çdo ditë. Besoj se do të ketë një marrëveshje, por nuk dua të hyj në detaje”, tha presidenti amerikan në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
"Duroni! Ne po vijmë”, shtoi ai, kur u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për t'iu drejtuar pengjeve të lëvizjes islamike palestineze.
"Gjatë ditës së martë Biden dhe Netanyahu diskutuan përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, duke përfshirë shumë fëmijë dhe amerikanë", thuhej në një deklaratë të shkurtër për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.
Në mesin e pengjeve të Hamasit janë 9 shtetas amerikanë dhe një person që ka një kartë jeshile, pra një leje qëndrimi të përhershme në SHBA, sipas presidencës amerikane.
Ushtria izraelite tha se 240 persona u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës gjatë një sulmi të paprecedentë nga Hamasi në tokën izraelite më 7 tetor. Ky sulm mori jetën e rreth 1200 njerëzve në Izrael, kryesisht civilë, sipas autoriteteve.
Si hakmarrje, Izraeli ka bombarduar pa pushim Rripin e Gazës që atëherë dhe që nga 27 tetori ka kryer një operacion tokësor për të "fshirë" lëvizjen islamike palestineze në pushtet në enklavën e rrethuar. Të paktën 11,320 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës, gjithashtu shumica dërrmuese e tyre civilë, duke përfshirë 4,650 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit.
Katari dje i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit që të shfrytëzojnë mundësinë e ofruar nga ndërmjetësimi i tij për të siguruar lirimin e pengjeve.
Qeveria e SHBA ka bërë thirrje vazhdimisht për një "pauzë" më të zgjatur të operacioneve izraelite për të lehtësuar negociatat.
Shtëpia e Bardhë tha të martën se këshilltari kryesor i Presidentit Biden për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, po zhvendoset në rajon. Ndalesa e parë në turneun e tij do të jetë Doha, ku ai do të diskutojë në mënyrë specifike situatën e pengjeve, thuhet në një njoftim për shtyp të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Megjithatë, të gjitha këto deklarata dhe njoftime janë bërë para bastisjes së ushtrisë izraelite në spitalin Shifa, më i madhi në Rripin e Gazës.
Lini një Përgjigje