
Vendet e Ballkanit po përballen me një valë të nxehti ekstrem dhe zjarre masive, të cilat po kërcënojnë pyjet, zonat fushore dhe qendrat urbane. Autoritetet në të gjithë rajonin kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme, duke shpallur alarmin e kuq për shkak të rrezikut të lartë.
Në Kosovë, komuna e Ferizajt është më e prekura nga zjarret, ku dhjetëra hektarë pyje dhe zona fushore janë shkrumbuar. Sipas forcave zjarrfikëse, vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 200 vatra zjarri në këtë komunë, 90% e të cilave në zona malore dhe fushore. Ekspertët e emergjencave civile bëjnë me dije se pakujdesia e qytetarëve është shkaku kryesor dhe u bëjnë thirrje banorëve për sjellje të përgjegjshme.
Maqedonia e Veriut po përjeton temperatura ekstreme, me Shkupin që pritet të arrijë 43 gradë Celsius gjatë fundjavës. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka shpallur alarmin e kuq deri më 26 korrik, ndërsa qeveria ka urdhëruar lirimin nga puna të grave shtatzëna dhe personave mbi 60 vjeç. Qendra e Menaxhimit të Krizave raporton 25 zjarre në ambiente të hapura, nga të cilat 5 mbeten aktive. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka paralajmëruar për kujdes në zgjedhjen e ushqimeve për të shmangur helmimet.
Në Greqi, temperaturat kanë arritur deri në 43 gradë Celsius, me erëra të forta që rrisin rrezikun e zjarreve. Sipas shërbimeve meteorologjike, temperaturat e larta do të vijojnë edhe gjatë natës, duke arritur deri në 29 gradë Celsius në zonat urbane. Harta e rrezikut nga zjarret tregon nivel të lartë (niveli 3) në shumicën e vendit, ndërsa qytete si Selaniku, Janina, Halkidiki dhe Rodos janë në nivelin 4 të rrezikut.
Në Mal të Zi, zona e Herceg Novit po rimëkëmbet nga një zjarr masiv që përfshiu vendin një javë më parë. Autoritetet po punojnë për të parandaluar shpërthime të reja zjarresh, ndërsa temperaturat e larta vazhdojnë të krijojnë kushte të favorshme për zjarre të reja.Autoritetet në të gjithë rajonin u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre dhe të ndjekin udhëzimet për sigurinë gjatë kësaj periudhe të motit ekstrem.
Lini një Përgjigje