
Presidenti i SHBA Joe Biden tha të dielën se "armët në Gaza kanë heshtur" ndërsa Hamasi dorëzoi tre pengje, të parët nga 33 që u liruan gjatë fazës së parë të armëpushimit që hyri në fuqi të dielën.
“Marrëveshja që parashtrova për herë të parë majin e kaluar për Lindjen e Mesme më në fund u realizua. Armëpushimi ka hyrë në fuqi në Gaza dhe sot, ne po shohim pengjet të lirohen, tre gra izraelite të mbajtura kundër vullnetit (të tyre) në tunele të errëta për 470 ditë. Pas kaq shumë dhimbje, shkatërrime, humbje jete, sot, armët në Gaza kanë heshtur”, tha Biden.
Më tej presidenti në ikje i SHBA-ve, u tha gazetarëve se ishte "i kënaqur" që ekipi i tij dhe ekipi i Presidentit të zgjedhur Trump folën me një zë në ditët e fundit të presidencës së tij, për të ndihmuar në finalizimin e armëpushimit të Gazës dhe marrëveshjes së pengjeve.
“Isha i kënaqur që ekipi ynë të fliste si një zë në ditët e fundit. Ishte edhe e nevojshme, edhe efektive dhe e paprecedentë, por suksesi do të kërkojë këmbëngulje dhe mbështetje të vazhdueshme për miqtë tanë në rajon dhe besimin në diplomaci të mbështetur nga parandalimi. Tani i takon administratës së ardhshme të ndihmojë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Biden në ditën e tij të fundit si president i SHBA-ve.
Gazanët e zhvendosur kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa kamionët e ndihmave të ngarkuar me furnizime shumë të nevojshme kanë kaluar në enklavë.
Lini një Përgjigje