
Trump do të betohet si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara në orën 12:00 me orën lokale.
Gjatë katër ditëve në Uashington, Presidenti i sapo zgjedhur Donald Trump do të organizojë një sërë eventesh për inaugurimin e tij të dytë presidencial, duke ftuar donatorët, mbështetësit dhe anëtarët e administratës së tij të re.
Por si do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të presidenti të ri Donald Trump?
-E diel, 19 janar; Trump do të vizitojë Varrezat Kombëtare të Arlingtonit
Zoti Trump pritet të bëjë një vizitë në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia, vizita e parë e tij në varrezat e shenjta ushtarake që nga viti i kaluar, kur ai u shfaq për një ceremoni të vendosjes së kurorave në nder të 13 anëtarëve të shërbimit amerikan të vrarë gjatë tërheqjes së SHBA nga Afganistani në vitin 2021. Gjatë asaj vizite, u shënua dhe një incident ku një anëtar i stafit të zotit Trump shtyu një zyrtar të Arlingtonit, i cili po përpiqej të ndalonte zhvillimin fushatës elektorale në atë zonë, pasi sipas zyrtarëve të ushtrisë nuk lejohet zhvillimi i fushatave politike në varret e pjesëtarëve të shërbimit ushtarak.
Tubimi dhe darka me mbështetësit
Më vonë gjatë së dielës, presidenti i zgjedhur ka planifikuar të mbajë një tubim të madh në Capital One Arena, e cila ndodhet disa blloqe larg qendrës tregtare në Uashington, për mbështetësit e tij, duke thyer traditën e fjalimeve në Ellipse, aty ku mbajti fjalimin e 6 Janarit 2017. Në Capital One Arena do të mbahet një fjalim presidencial për herë të parë. Gjithashtu Trump atë mbrëmje do të marrë pjesë në një darkë me mbështetësit e tij nën dritën e qirinjve.
-E hënë, 20 janar; Ceremonia e inaugurimit
Trump do të betohet si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara në orën 12:00 me orën lokale. Ndërsa presidenti tradicionalisht bën zotimet e tij jashtë, përpara ndërtesës së Kapitolit, me një turmë të madhe spektatorësh që dëshmojnë ceremoninë, ai tha të premten se eventi do të zhvillohej brenda Rotondës së Kapitolit pas parashikimeve për një valë ftohti ekstrem.
Trump tha gjithashtu se ai ka në plan të përdorë Capital One Arena që njerëzit të mblidhen për të parë drejtpërdrejt ceremoninë e inaugurimit dhe ai do t'u bashkohej atyre më pas. Sipas postimit të tij në rrjetet sociale, moti ka detyruar gjithashtu zëvendësimin e asaj që supozohej të ishte parada e tij inauguruese me festën që do të shikohet nga arena.
Nënshkrimet e Zyrës Ovale
Në një nga vendimet e tij të para si president, zoti Trump pritet të vazhdojë traditën e nënshkrimit të disa urdhrave ekzekutivë, duke nisur kështu fillimin e administratës së tij. Nuk është e qartë se cilat urdhra ekzekutivë do të merren fillimisht, por presidenti i zgjedhur po shqyrton një sërë çështjesh që ai mund të trajtojë në ditën e parë. Susie Wiles, shefja e ardhshme e stafit të Shtëpisë së Bardhë, u tha privatisht donatorëve se zoti Trump do të mendojë për të rivendosur disa urdhra ekzekutivë nga mandati i parë që Presidenti Biden i kishte revokuar.
Ballot inauguruese
Në mbrëmje do të zhvillohen tre ballo zyrtaret të inaugurimit, të njohura si Commander in Chief Ball, The Liberty Ball dhe The Starlight Ball. Ballot janë një pjesë tradicionale e festimeve inauguruese në të cilat Trump dhe gruaja e tij, Melania, morën pjesë edhe në 2017. Ata mbajtën kërcimin e tyre të parë si çift presidencial në këngën e Frank Sinatra "My Way.”
-E martë, 21 janar; Mesha në kishën St. John’s
Katedralja Kombëtare e Uashingtonit do të presë zotin Trump një ditë pas inaugurimit të tij për një shërbim lutjeje ndër fetare, të udhëhequr nga peshkopi i Uashingtonit Mariann Edgar Budde, i cili e kishte dënuar pozimin e Trump përpara një kishe pranë Shtëpisë së Bardhë në vitin 2020, pasi oficerët e sigurisë larguan protestuesit me gaz lotsjellës. Sipas deklaratës së katedrales, muzika gjatë lutjes do të ofrohet nga kori i katedrales dhe disa muzikantë të ftuar./Përshtati “Pamfleti” nga “New York Times”
Lini një Përgjigje