Ish-Princi Andrew u arrestua dhe u mor në pyetje për 12 orë, nën dyshimin se ka ndarw informacione konfidenciale me pedofilin Jeffrey Epstein.
Mijëra faqe dokumente gjurmojnë marrëdhëniet mes Andrew Mountbatten-Windsor, Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019 dhe Ghislaine Maxwell.
Një email i datës 16 gusht 2001, i dërguar nga Balmoral dhe i nënshkruar thjesht me “A”, i drejtohet Maxwell-it me këto fjalë: "Jam këtu në Balmoral, kampi veror i familjes mbretërore... Si po shkon Los Angeles? A më ke gjetur ndonjë shoqe të re të papërshtatshme?" Në të njëjtin komunikim ai shton: "Dua vërtet të shkoj diku të ngrohtë me njerëz interesantë. Keni ndonjë ide?"
Dokumentet përmbajnë referenca për marrëdhënie me gra të reja që ishin pjesë e rrethit të Epstein dhe rrjetit të tij të trafikimit seksual. Megjithatë, në qendër të hetimeve aktuale qëndron zbulimi i informacionit të klasifikuar qeveritar.
Më 30 nëntor 2010, kur Epstein ishte shpallur fajtor për abuzim seksual dhe nxitje prostitucioni nga një e mitur Andrew i përcolli atij dy raporte mbi udhëtimin e biznesit që kishte ndërmarrë në Kinë, Vietnam, Hong Kong dhe Singapor. Raportet i ishin dërguar nga një bashkëpunëtor i tij, Amit Patel. Sipas dokumenteve, Andrew ia dërgoi Epsteinit pesë minuta pasi i kishte marrë.
Në atë periudhë ai shërbente si i dërguari special i qeverisë britanike për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare. Mbretëresha Elizabeth II kishte këmbëngulur që djali i saj të merrte këtë post, ndërsa Princi Charles kishte shprehur kundërshti. Kryeministri i atëhershëm Tony Blair pranoi kërkesën e Mbretëreshës.
Më 24 dhjetor 2010, Andrew i dërgoi Epsteinit një tjetër dokument, duke theksuar vetë në email natyrën e tij: "Bashkëngjitur është një raport konfidencial i përgatitur nga ekipi i rindërtimit në provincën Helmand mbi mundësitë e investimit." Ai shtoi: "Do t'ua ofroj ato të tjerëve në rrjetin tim (përfshirë Abu Dhabin), por jam i interesuar për përshtypjet, pikëpamjet ose idetë tuaja të të tjerëve me të cilët mund t'i ndaj për të ngjallur interes."
Dokumentet përfshijnë gjithashtu mesazhe mbi vendndodhjen e tij, itineraret, takimet e zhvilluara, urimet për festat dhe shpresën për “të luajtur përsëri së bashku së shpejti”.
Andrew vazhdoi të ushtronte detyrën e të dërguarit special deri në vitin 2011. Aktivitetet e kësaj periudhe përbëjnë thelbin e hetimeve që çuan në arrestimin e tij, të motivuar nga dyshimet për shpërdorim detyre.
Autoritetet nuk përjashtojnë që hetimet të përfshijnë edhe lidhjet e mundshme me viktimat e Epstein. Policia po verifikon fluturimet private që kaluan nëpër aeroportin Stansted, me pasagjerë gra të reja nga rrethi i financierit. Dokumentet përmendin edhe dërgimin në Londër, në Pallatin Buckingham, të një vajze të përzgjedhur nga Epstein dhe Maxwell për Andrew.
Dosjet konfirmojnë gjithashtu autenticitetin e fotos që tregon Andrew-n së bashku me Virginia Roberts, më vonë Giuffre, e cila ishte 17 vjeç në atë kohë. Andrew ka mohuar vazhdimisht të ketë pasur marrëdhënie seksuale me të dhe, në intervistën për “Newsnight” në vitin 2019, deklaroi se nuk mban mend ta ketë takuar ndonjëherë.
Sipas analizës së “Corriere della Sera”, emailet përfaqësojnë vetëm një pjesë të materialit hetimor, ndërsa vëmendja e autoriteteve përqendrohet te natyra e informacionit të ndarë gjatë kohës që ai mbante një funksion zyrtar. / Corriere della sera
Lini një Përgjigje