TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2024, 18:47

Armiqtë janë gati për luftë, të riarmatosemi për të shmangur Luftën e Tretë Botërore

Shkruar nga Daniel Hanan

Armiqtë janë gati për luftë, të riarmatosemi për

Izolacionizmi i Donald Trump mund ta lërë të pambrojtur Evropën...

Ditët e fundit dhe pa ndonjë koordinim të dukshëm, politikanët dhe analistët në mbarë botën  nisën të flasin për një luftë të afërt botërore. Donald Trump tha se ne jemi “në prag të Luftës së Tretë Botërore”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, u shpreh se Putin po përgatitet të sulmojë NATO-n dhe “kjo sigurisht që nënkupton fillimin e Luftën e Tretë Botërore”.

Nga ana tjetër Margarita Simonyan, kryeredaktore e televizionit kryesor të propagandës së regjimit në Kremlin “Russia Today”, theksoi se Lufta e Tretë Botërore do të ndodhë me siguri “në të ardhmen e afërt”. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, ishte në krye të atyre që i ranë alarmit.

Dy javë më parë, ai tha se ne jemi zhvendosur “nga bota e pasluftës në një botë të paraluftës”. Jo shumë kohë më pas, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Sir Patrick Sanders, paralajmëroi se ushtria jonë ishte zvogëluar aq shumë saqë kur të mbërrijë lufta ne nuk do te jemi në gjendje ta fitojmë atë.

Ndërhyrja e fundit është deri më sot më alarmantja. Sepse Sir Patrick nuk është thjesht një zyrtar i radhës që lobon për një buxhet më të madh për mbrojtjen. Ish-Bereta e Gjelbër (pjesëtar i forcave speciale britanike) ka qenë shumë i saktë në parashikimet e tij deri më sot, përfshirë fillimin dhe trajektoren që do të ndiqte lufta në Ukrainë.

Po çfarë dinë këta politikanë dhe ushtarakë që nuk e dimë ne të tjerët? Si vallë kaluam kaq shpejt nga vetëkënaqësia në dëshpërim, nga lufta botërore që është pothuajse e paimagjinueshme tek një skenar i tillë që tani na duket gati i pashmangshëm?

Një pjesë e përgjigjes, është se diskursi publik është kapur shumë papritur në një kurth, të cilin historianët dhe gjeostrategët e kanë paralajmëruar prej vitesh, pra zhvendosja nga një botë unipolare është në mënyrë të pashmangshme diçka e rrezikshme.

Në vitin 2017, studiuesi nga Universiteti i Harvardit, Graham Allison, shkroi librin “Të destinuar për të hyrë në luftë: A mund t’i shpëtojnë Amerika dhe Kina kurthit të Tukididit?”. Allison argumentoi se me përjashtim të rënies së Britanisë dhe kalimit paqësor të stafetës së superfuqisë tek Shtetet e Bashkuara në shekullin XX-të, ky proces ka qenë gjithmonë i përfshirë në një konflikt.

Shtatë vite që nga botimi i atij libri, fuqia relative e Amerikës ka vazhduar të bjerë ndërsa fuqitë jo liberale - dhe mbi të gjitha, Rusia, Kina dhe Irani - kanë kaluar nga një marrëveshje e paqartë anti-perëndimore në një aleancë të qëndrueshme midis tyre.

Po sikur rënia graduale e Amerikës të kthehet në një tërheqje të papritur nga skena globale?  Po sikur Donald Trump, fituesi i mundshëm i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të këtij viti, të braktisë Ukrainën në fatin e saj dhe të tërhiqet nga NATO? Trump pretendon se rreziku i vërtetë për Amerikën vjen nga mbështetja ndaj Ukrainës.

Nëse doni paqe, argumenton ai, duke i bërë jehonë lëvizjes “Amerika e Para”, atëherë mos u përfshini në konfliktet jashtë shtetit. Problemi është se tani ashtu si atëherë, fuqitë antidemokratike nuk kanë ndërmend të na lënë të qetë.

Ata nuk i shqetëson eksporti i kapitalizmit liberal, por ekzistenca e tij. Atyre nuk u pëlqen që njerëzit e tyre të joshen nga ajo që ata e shohin si egoizëm, materializëm dhe marrëzi perëndimore. Trump është i njohur për paparashikueshmërinë e tij.

Siç ka thënë së fundmi Boris Johnson, ai mund të vendosë të vazhdojë mbështetjen e SHBA-së ndaj Ukrainës. Por gjithçka që ai thotë sugjeron të kundërtën. Përveç qasjes së tij izolacioniste, Trump e fajëson Ukrainën për rolin e saj në fajësimin e tij në Kongres (impeachment).

Dhe ai flet më me pozitivitet për Putinin sesa për Zelenskyn. Nga kjo e ka burimin edhe buzëqeshja enigmatike e udhëheqësit autoritar rus. Putin, që dukej i mundur pas dështimit të pushtimit të tij fillestar, tani mendon se duhet të rezistojë edhe vetëm për 10 muaj të tjerë, pasi gjërat pastaj do të ndryshojnë.

Despotë të tjerë po nxjerrin përfundime të ngjashme. Nga sulmi i sponsorizuar nga Irani kundër trupave amerikane në Jordani deri tek kërcënimet e Venezuelës kundër Guajanës, shumë prej tyre e ndjejnë se “xhandari global” nuk është më në krye të patrullës.

Ndaj duket sikur po copëzohet një rend unipolar. A do të rikthehet kaosi i përgjithshëm në rastin e një Lufte të Tretë Botërore? Me shumë gjasa po. Kina mund të pushtojë Tajvanin, një vend të cilin SHBA-ja është zotuar ta mbrojë.

Xi Jinping premtoi ribashkim me ishullin brenda 5 viteve të ardhshme, dhe ua ka bërë të qartë amerikanëve se synon ta mbajë premtimin. Natyrisht, Xi do të preferonte ta aneksonte ishullin pa luftuar, duke ndjekur këshillën e Sun Tzu mbi armët si mjeti i fundit në një përballje.

Por momenti i avantazhit maksimal detar të Kinës ndaj SHBA-së, për shkak të kalendarit të tyre përkatës të prokurimit dhe mobilizimit, është pikërisht gjysma e dytë e kësaj dekade.

Një luftë në Tajvan, do të tërhiqte të gjithë vëmendjen e Amerikës, duke i dhënë Putinit shansin më të mirë për të larë hesapet me ish-provincat e tjera ruse: shtetet baltike, Poloninë dhe Finlandën.

Por edhe pa një luftë në Tajvan, izolacionizmi i Donald Trump mund ta lërë të pambrojtur Evropën. Dikur, dhe në mungesë të Shteteve të Bashkuara, Britania mund të drejtonte një koalicion të besueshëm evropian. Por sot ushtria britanike është reduktuar në vetëm 76.950 trupa aktive, nga 109.600 që kishte në vitin 2000.

Unë jam pak më pesimist se shefi ynë i Shtabit të Përgjithshëm mbi përmasat e Ushtrisë. Sepse dislokimet tona të mëdha tokësore të shekullit XX-të ishin anormale për ne.

Forca jonë ishte mbështetur gjatë shekujve tek fuqia detare. Por problemi është se edhe Marina Mbretërore ka degraduar po aq keq sa trupat tokësore. Pasi shpenzuam një shumë marramendëse për aeroplanmbajtësen tonë, HMS Queen Elizabeth, ne zbulojmë se na mungojnë avionët që mund të nisen prej saj, helikopterët e pajisur me radarët specialë, por edhe anijet për ta bërë atë lehtësisht të dislokueshme kudo që e kërkon nevoja.

Për shkak të mungesës së fregatave, jemi detyruar të tërheqim patrullat tona nga Ishujt Falkland. Të tre degët e Shërbimeve tona të Armatosura të marra së bashku janë më të vogla edhe sesa trupat e Marinës së SHBA-së.

Pastaj, a kemi vullnet për të luftuar? Etërit tanë mësuan dikur nëpër shkolla se Britania ishte një vend i madh, një bastion i lirisë, një vend për të cilin ia vlente të vdisje. Ndërkohë djemtë tanë mësojnë sot se Britania është një komb skllavopronarësh dhe racistësh, dhe se mënyra më e mirë për t'i shpëtuar asaj trashëgimie toksike është ta hedhim pas krahëve patriotizmin britanik.

Në mungesë të njerëzve dhe materialeve, që nuk mund të plotësohen përpara fundit të kësaj dekade, kohë në të cilën Kina mund të ketë bërë lëvizjen e saj, opsioni ynë i vetëm i mbetur është sipas parimit të Sun Tzu, që të fitojmë pa luftuar.

Pra të ndihmojnë ukrainasit ta sprapsin Putinin, ose të paktën ta mbajnë atë të gozhduar në pozitat aktuale, që të mos mendojë ta zgjerojë më tej konfliktin. Edhe pse kundërofensiva e Ukrainës dështoi, ky vend është ende larg kapitullimit.

Strategjia e Kievit për të goditur shumë prapa linjave të frontit në infrastrukturën energjetike të Rusisë, po rezulton shumë efektive. Ekipet e forcave speciale zhduken, dhe menjëherë më pas, avionët shpërthejnë në ajër dhe gjeneralët rusë vriten. Avioni i parë luftarak F-15 do të mbërrijë në Ukrainë në fund të këtij muaji.

Ndërkohë, sulmet me dron dhe raketa e kanë kufizuar ndjeshëm veprimtarinë e flotës ruse në Detin e Zi. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Putin është i fiksuar pas porteve, dhe jo vetëm në Rusi. Mbështetja e tij për diktaturën e Asadit në Siri, buron nga interesi i tij për portin Tartus të cilin Rusia e ka marrë me qira.

Edhe ndërhyrja e mercenarëve të Wagnerit në njërin krah të luftës civile në Libi është nxitur nga planet e tij për të marrë nën kontroll portin e Tobrukut. Në kushtet kur rrjetet e transportit, depozitat, rafineritë e naftës dhe gazit janë nën sulmet e vazhdueshme të Ukrainës, Rusia, që tashmë po paguan një kosto të madhe për konvertimin e më shumë se një të tretës së ekonomisë së saj në prodhimin e pajisjeve luftarake, do të mbetet pa para. Dhe kjo do të dërgojë një mesazh shumë të qartë tek udhëheqësi kinez Xi Jinping.

Aleati i tretë autoritarist është Irani, i cili pavarësisht izolimit ekonomik 30-vjeçar, ia ka dalë të ndërtojë dronë ushtarakë të teknologjisë së fundit, një provë kjo e mëtejshme se sanksionet tregtare janë të padobishme dhe se kontrolli i kundërshtarin kërkon përdorimin e forcës.

Irani është një vend i varfër, regjimi i tij është i papëlqyeshëm nga shumica e popullit, e megjithatë Teherani mban me para dhe armë një grup milicish që synojnë të prishin kudo ku munden stabilitetin e vendeve të rajonit. Këtu përfshihet Hamasi, Hezbollahu dhe Huthit.

Në këto kushte, të shmangësh shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore do të thotë të frenosh Rusinë, të pengosh Kinën dhe t'i “lidhësh duart” Iranit, ose duke rrëzuar nga pushteti ajatollahët ose duke i larguar ata nga aleatët e tyre. Sulmet sporadike ndaj tyre, siç bëri SHBA-ja të premten e kaluar, nuk do ta parandalojë dot përshkallëzimin e mundshëm të situatës.

Britania e Madhe ka ende shumë karta që mund t'i luajë. Ushtria jonë mund të ketë vërtet nevojë për shumë para. Por është fakt që forcat tona speciale e tmerrojnë armikun, dhe shërbimi ynë sekret, që i paralajmëroi që në vitin 2021 evropianët skeptikë për pushtimin rus, është i pakrahasueshëm me atë të armiqve në aspektin e aftësive.

Sigurisht, në Rusi, Kinë dhe Iran ka individë që janë po aq të interesuar sa ne që të shmanget një luftë globale. Gjithçka varet nga vullneti për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen, në Britaninë e Madhe dhe në Evropë. Në rast se nuk riarmatosemi sa më shpejt që të jetë e mundur, ne e dënojmë veten jo vetëm me një luftë, por edhe me humbjen e saj./ Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

lufta e tretë botërore armiqtë

Lini një Përgjigje