Presidenti francez Emmanuel Macron tha se stacionimi i forcave paqeruajtëse në Ukrainë, siç është propozuar nga Britania dhe Franca, në rast të arritjes së ndonjë armëpushimi me Rusinë, është çështje për të cilën duhet të vendosë Kievi dhe jo Moska.
Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer kanë shtuar përpjekjet për të konsoliduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, teksa presidenti amerikan, Donald Trump çon përpara marrëveshjen për paqe me Rusinë.
Starmer ka mbajtur ditën e djeshme një takim virtual me Macronin dhe me aleatë tjerë të Ukrainës.
“Ukraina është sovrane. Nëse bëhet fjalë që forcat aleate të jenë në territorin e saj, për këtë nuk duhet të vendosë Rusia”, tha Macron në një intervistë për mediat franceze.
Rusia ka hedhur poshtë idenë që ushtarë nga vendet e NATO-s të stacionohen në Ukrainë.
Macron u shpreh se çdo forcë paqeruajtëse do të përbëhet nga “mijëra trupa të secilit shtet”, të cilat do të stacionohen në lokacione të rëndësishme, ndërsa shtoi se ka shtete evropiane dhe përtej që janë të interesuara të marrin pjesë.
Por, ashtu si aspekte tjera të armëpushimit potencial, nuk dihet se si mund të formohet forca paqeruajtëse.
Britania dhe Franca kanë thënë se mund të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë, derisa kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se shteti i tij është i hapur për negociata.
Presidenti rus, Vladimir Putin është shprehet më herët se mbështet në parim propozimin e Uashingtonit për armëpushim në Ukrainë, por që forcat e tij do të vazhdojnë të luftojnë derisa të plotësohen disa kushte.
Rusia dhe Ukraina kanë vijuar sulmet ajrore ndaj njëra-tjetrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Lini një Përgjigje