TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2026, 20:40

Armëpushimi drejt fundit, SHBA-Iran larg negociatave; Trump ngre në ajër avionët

Shkruar nga Pamfleti
Armëpushimi drejt fundit, SHBA-Iran larg negociatave; Trump ngre në
Avioni amerikan ushtarak B-52

Armëpushimi skadon, negociatat ngecin dhe lëvizjet ushtarake rrisin frikën për përshkallëzim në Lindjen e Mesme…

Afati i armëpushimit dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po i afrohet fundit, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë një situatë gjithnjë e më të brishtë dhe të paqartë për të ardhmen e konfliktit.

Sipas ministrit të Informacionit të Pakistanit, Attaullah Tarar, armëpushimi pritet të përfundojë në orët e para të së mërkurës (rreth orës 02.00 me orën shqiptare), duke e bërë vendimtar çdo hap diplomatik në orët e mbetura. Pakistani, që mban rolin e ndërmjetësit, ka theksuar se është “kritike” që Irani të konfirmojë pjesëmarrjen në bisedimet me SHBA në Islamabad përpara skadimit të këtij afati.

Megjithatë, deri tani Teherani nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare. Autoritetet iraniane kanë shprehur skepticizëm ndaj procesit, duke vënë në dyshim seriozitetin e palës amerikane dhe kushtet për rifillimin e dialogut.

Në të njëjtën kohë, edhe pala amerikane ka dhënë sinjale pasigurie. Delegacioni i SHBA, i kryesuar nga nënpresidenti JD Vance, nuk është nisur ende drejt Pakistanit. Sipas mediave amerikane si Associated Press, Washington Post dhe New York Times, udhëtimi është shtyrë për shkak të “konsultimeve të mëtejshme strategjike” në Uashington. Edhe figura të tjera kyçe si i dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari Jared Kushner mbeten në SHBA.

Këto zhvillime e vendosin në pikëpyetje zhvillimin e raundit të dytë të negociatave, duke sugjeruar se procesi diplomatik është në një fazë të ndërlikuar dhe të pasigurt.

Ndërkohë, në planin ushtarak, sinjalet janë në drejtim të kundërt. Sipas burimeve të hapura, bombardues strategjikë amerikanë B-52 janë ngritur nga baza RAF Fairford në Britani me ngarkesë të plotë, një lëvizje që interpretohet si demonstrim force në prag të skadimit të armëpushimit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar publikisht se nuk dëshiron zgjatjen e armëpushimit dhe ka paralajmëruar se, në mungesë të një marrëveshjeje të shpejtë, SHBA do të rifillojnë sulmet ndaj Iranit. Ai ka përmendur edhe mundësinë e goditjes së infrastrukturës civile, përfshirë ura dhe termocentrale.

Megjithatë, pavarësisht retorikës së fortë, dinamika aktuale sugjeron se një vendim përfundimtar nuk është marrë ende. Intensiteti i kontakteve diplomatike dhe shtyrja e lëvizjes së delegacionit amerikan mund të tregojnë për përpjekje të minutës së fundit për të shmangur përplasjen.

Situata mbetet e hapur mes dy skenarëve: një rikthim në operacione ushtarake që mund të destabilizojë më tej Lindjen e Mesme, ose një zgjatje e afatit që do të lejonte vazhdimin e negociatave. Në këtë fazë, zhvillimet e orëve në vijim pritet të jenë përcaktuese për drejtimin që do të marrë kriza. /Pamfleti

Lini një Përgjigje