
Kohë të jashtëzakonshme në Kaukazin e Jugut, teksa ka prova të shumta të ndryshimit të besnikërisë strategjike.
Armenia, vend që konsiderohej prej kohësh si pjesë e orbitës strategjike të Rusisë - në vetvete një reflektim i dëshirës së Jerevanit për t’u strehuar nën ombrellën strategjike të Rusisë, si një mbrojtje kundër kërcënimeve azere ndaj Nagorni Karabakun - duket se tani do të shkëputet nga Moska.
Kjo qasje është pjesërisht pasojë e zhgënjimit të qeverisë armene me faktin që gjatë luftërave të fundit mbi rajonin e kontestuar (2020 dhe 2023) Nagorni Karabakh, Rusia dështoi në mbajtjen e premtimeve të saj për të ndihmuar Jerevanin në frenimin e ambicieve të Azerbajxhanit.
Sot në Jerevan po thuhet se Rusia e shiti Armeninë, duke lidhur disa marrëveshjet me Azerbajxhanin dhe aleaten e tij kryesore Turqinë, kundër saj. Në një farë mase Armenia iu nënshtrua zgjidhjes së rezultateve nga Moska. Kryeministri armen Pashinyan, erdhi në pushtet në vitin 2018 duke dëbuar elitat kleptokrate pro-ruse, dhe është përpjekur të zbatojë një axhendë reformash liberale, të cilat kërcënuan interesat ruse dhe pikëpamjen kleptokratike mbi botën.
Tërheqja e Moskës dhe lejimi i fitores së Azerbajxhanit në Nagorni Karabakh, ishte mënyra e saj për të ndëshkuar Pashinyanin. Edhe pse në luftën e 2023-shit, aftësia ushtarake e Rusisë për të ndërhyrë në mbështetje të Armenisë, u kufizua ndjeshëm nga vështirësitë e saj në Ukrainë.
Në ato kushte, Moska mund të ketë pranuar të pashmangshmen dhe ka njohur vlerën e kufizuar strategjike të Armenisë në krahasim me Ukrainën, dhe ndoshta tani me Gjeorgjinë. Fitoret e fundit të Azerbajxhanit, kanë nxitur një reflektim të thellë nga elita në Jerevan, që e ka kuptuar se i duhen aleanca të reja dhe një kursi i ri strategjik.
Prandaj, Armenia po lobon që të nënshkruajë një marrëveshje afatgjatë paqeje me Azerbajxhanin, duke pranuar disfatën në rajonin e kontestuar dhe duke u përpjekur të negociojë kushtet më të mira për popullsinë e saj të mbetur në rajon dhe duke u përpjekur të shmangë konfliktin e mëtejshëm me Azerbajxhanin, të cilin ajo ka të ngjarë ta humbasë.
Parlamenti gjeorgjian miratoi pak kohë më parë një ligj shumë të ngjashëm me ligjin rus mbi të ashtuquajturit “agjentë të huaj”, duke kufizuar punën e organizatave publike. Për këtë arsye dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë të protestojnë në rrugë. Duke pasur parasysh ekonominë e fortë të Azerbajxhanit ushqyer nga burimet e mëdha energjitike, demografinë më të favorshme dhe avantazhet e tij ushtarake e teknologjike, qeveria e Pashinyan duket se ka arritur në përfundimin se luftërat e mëtejshme me Azerbajxhanin do të sjellin disfata të mëtejshme, sidomos duke pasur parasysh mungesën e mbrojtjes ruse.
Prandaj, Armenia po kërkon një paqe të qëndrueshme me Azerbajxhanin, normalizim të raporteve me Turqinë (potencialisht një partnere tregtare kryesore, burim investimesh dhe një kundërpeshë ndaj Rusisë), si dhe një nxitje të re për anëtarësimin në BE dhe potencialisht edhe në NATO.
Për Pashinyan, është një qasje tipike e real-politikës, dhe deri më tani, ai ka qenë në gjendje të menaxhojë politikën e brendshme armene, për të mbështetur ndryshimin në orientimin gjeopolitik. Pavarësisht pengesës në Nagorni Karabakh, Pashinyan mbetet popullor, siç është edhe ndryshimi i kursit drejt Perëndimit, dhe ai po vazhdon të fitojë zgjedhjet.
Ndryshime të dukshme potenciale janë duke u zhvilluar edhe në Gjeorgjinë fqinje. Gjeorgjia, nën ish-presidentin, Mikheil Saakashvili, kishte vendosur një kurs të fortë drejt Perëndimit, duke nxitur anëtarësimin e hershëm në BE dhe NATO. Por kjo e zemëroi shumë Moskën, duke sjellë edhe pushtimin rus të Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe përpjekjet për të aneksuar dy rajone gjeorgjiane, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut.
Saakashvili u rrëzua nga pushteti në vitin 2013, ndërsa Partia e tij e Opozitës së Bashkuar (UNM) i humbi zgjedhjet parlamentare të 2012 pas një fushate të shkëlqyer nga një parti e re GD (Ëndrra e Gjeorgjisë) e udhëhequr nga Bidzini Ivanishvili, një oligark që u kthye në Gjeorgji pasi u bë shumë i pasur në Rusi.
Që atëherë ka pasur dyshime se Ivanishvili është në një farë mënyre një produkt i “teknologjisë politike” ruse. Kjo edhe sepse fitorja e partisë së tij u mundësua edhe nga një skandali seksual i inskenuar në stilin e njohur të kompromat-it rus që e dëmtoi jo pak UMN gjatë fushatës.
Në fillim Ivanishvili shërbeu fillimisht si kryeministër. Më pas drejtoi në hije nga posti i kreut të partisë. Nën sundimin e Ivanishvilit dhe GD, politika u bë më e ekuilibruar midis Rusisë dhe Perëndimit. Kjo u pa nga qëndrimi zyrtar i Gjeorgjisë neutral ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
GD fitoi disa palë zgjedhje, edhe pse ndershmëria e tyre u vu shumë në dyshim nga opozita dhe u kritikua nga Perëndimi. Pushteti është i centralizuar gjithnjë e më shumë rreth partisë në pushtet në Gjeorgji dhe janë zhdukur kontrollet dhe balancat.
Një ligj për transparencën, i cili i cilëson si “agjentë të huaj” OJQ-të me financime të huaja, duket se ka qenë një rast i artë për opozitën. Demonstrata në shkallë të gjerë e kanë tronditur kryeqytetin Tbilisi, dhe qeveria është kundërpërgjigjur me reagimin brutal të policisë.
U duk sikur demonstratat do të zbeheshin nga shpallja e zgjedhjeve të reja në fund të këtij viti. Por një ndërhyrje e re nga Ivanishvili gjatë një demonstratë pro-qeveritare këtë javë duket se i ka hedhur benzinë zjarrit. Ivanishvili e zemëroi akoma më shumë opozitën duke kritikuar Perëndimin për shumë nga problemet që po vuan aktualisht Gjeorgjia, përfshirë pushtimin rus në 2008, luftën në Ukrainë teksa sinjalizoi një riorientim të ri drejt Moskës.
Në kundërpërgjigje, demonstratat janë rritur në përmasa dhe intensitet, dhe forcat e sigurisë e kanë rritur represionin. Liderët e opozitës janë rrahur dhe arrestuar. Gjeorgjianët janë njerëz pasionantë dhe tani shoqëria është ndarë në kampe të ndryshme, me asnjërën nga palët që nuk duket e gatshme të tërhiqet, gjë që sugjeron një përshkallëzim të tensioneve.
Ngjarjet e kësaj jave në Gjeorgji, ngjajnë me ato të Ukrainës rreth vitit 2013, kur një regjim centralizues refuzoi bashkëpunimin me Perëndimin, duke u kthyer sërish drejt Moskës. Për një pjesë të madhe të popullsisë, të cilët e shohin Perëndimin dhe Evropën si çelësin e reformave dhe zhvillimit në Gjeorgji, e gjithë kjo duket si një pikë kthese, dhe një arsye për të demonstruar.
Përndryshe do të humbin shpresat për demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat perëndimore, të cilat vijnë me synimin për anëtarësim në BE dhe NATO. Ashtu si me Ukrainën në vitin 2013, mënyra se si reagoi regjimi do të jetë një element kyç.
Në vitin 2013 regjimi i Yanukovych në Ukrainë reagoi me përdorimin e dhunës, gjë që e përshkallëzoi protestën deri në pikën që regjimi u mposht. Pjesa më e madhe e dëshmive nga viti 2013 në Ukrainë, dhe më herët me Revolucionin Portokalli në Ukrainë në vitet 2004-2005, sugjerojnë se Moska i nxiti regjimet ekzistuese (Kuchma/Yanukovych) të reagonin me grusht të hekurt ndaj protestave.
Kuchma i rezistoi presionit rus, ndërsa në vitin 2013 Yanukovych ra dakord t’i shtypë dhunshëm demonstratat, dhe rezultati ishte Euromaydan. Yanukovych u detyrua të arratisej në Rusi. Vendimet e Ivanishvilit këtë herë mund të jenë vendimtare nëse Gjeorgjia është në prag të një tjetër revolucion shumëngjyrësh, apo ngjarje të ngjashme me Euromaydan.
Pozicioni i Rusisë ndaj Gjeorgjisë është shumë interesant. Ka shumë të dhëna për të supozuar përfshirjen e Moskës. Ndoshta kjo e fundit synon të dorëzojë kontrollin strategjik mbi Armeninë në këmbim të kontrollit mbi Gjeorgjinë. Për Moskën, Gjeorgjia është edhe një rrugë kyçe e transferimit të energjisë dhe mallrave nga Azia Qendrore në Perëndim, shumë më tepër sesa Armenia.
Prandaj, kontrolli mbi Gjeorgjinë pengon potencialisht përpjekjet e Perëndimit për të diversifikuar furnizimin e mallrave dhe rrugët e furnizimit larg Moskës. Kohët e fundit Rusia po përpiqet të ndërtojë një bazë të re të Flotës së Detit të Zi në Ochamchira të Abkhazisë. Ochamchira ofron një port të sigurt dhe në ujëra të thellë për anijet ruse të flotës së Detit të Zi, të cilat nuk janë më të sigurta në Krime. Është e vërtetë, që Rusia kontrollon de fakto Abhazinë pas pushtimit të pjessshëm të Gjeorgjisë në vitin 2008.
Por normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Gjeorgjinë tani, do të siguronte potencialisht përdorimin e Omchamchira-s për një afat më të gjatë, duke e zbehur rëndësinë strategjike të Krimesë, dhe ndoshta duke përmirësuar pozicionin negociues të Rusisë në bisedimet e ardhshme të paqes me Ukrainën.
Së fundi, rivendosja e plotë e Gjeorgjisë nën ndikimin e saj, paralelisht me zbehjen e ndikimit perëndimor do të mbyllte kapitullin e fundit të betejës Ivanishvili me ish-presidentin gjeorgjian Saakashvili. Ripushtimi i Gjeorgjisë do të ishte i plotë.
Nuk ka asnjë dyshim, se Putini do ta shihte këtë një fitore në betejën e tij afatgjatë me Perëndimin për ndikim/dominim të hapësirës post-sovjetike. Po ashtu, ky zhvillim do të justifikonte narrativën e tij, sipas të cilës shembja e Bashkimit Sovjetik ishte një gabim i madh i shekullit XX-të dhe se rindërtimi i tij, me Gjeorgjinë si pjesë e këtij procesi, do të ishte një fitore e madhe./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje