TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Dhjetor 2025, 10:10

Amerika në udhëkryq: Testi i madh i vitit 2026

Shkruar nga Richard Haass
Amerika në udhëkryq: Testi i madh i vitit 2026
Donald Trump

Midis festës së 250-vjetorit dhe degradimit të institucioneve. A do të mbetet viti 2026 si momenti kur SHBA-ja rivendosi ekuilibrin, apo si koha kur “eksperimenti i madh” i Trump, i hapi rrugë pushtetit të pakufizuar dhe një rendi të ri botëror?

Të shkruash për vitin 2025 nga një perspektivë amerikane është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. E lehtë, sepse mund të zgjedhësh midis një morie ngjarjesh, por edhe e vështirë pikërisht për të njëjtën arsye.

Në planin e brendshëm, edhe një listë e shkurtër do të përfshinte: mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori; një borxh kombëtar që i tejkalon 38 trilionë dollarët; inflacionin e vazhdueshëm shoqëruar me rritjen e papunësisë dhe pabarazisë, pavarësisht rritjes ekonomike të nxitur nga Inteligjenca Artificiale.

Po ashtu, kemi parë një dhunë politike në rritje, përpjekje për mbylljen e kufirit jugor përmes dëbimeve të mëdha dhe vendosjen e Gardës Kombëtare në Los Anxhelos dhe qytete të tjera. Sulmet ndaj universiteteve, vendosja e tarifave masive tregtare, shkurtimet në sektorin publik (përfshirë USAID) dhe reduktimi i fondeve për kërkimin shkencor, e kanë plotësuar këtë peizazh transformimesh radikale.

Nuk ishin më pak tronditëse zhvillimet në politikën e jashtme. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në sulmet ajrore kundër objekteve bërthamore iraniane, duke e kthyer vite pas programin e Teheranit.

Një ofensivë diplomatike amerikane dështoi të sillte paqen në Gazë, por arriti lirimin e pengjeve izraelitë dhe mijëra të burgosurve palestinezë nën një armëpushim të brishtë. Po ashtu, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, kanë dështuar deri më tani, duke shërbyer kryesisht për të afruar Uashingtonin me Moskën dhe për ta distancuar atë nga Evropa.

Më afër shtëpisë, një prani ushtarake e madhe u grumbullua pranë Venezuelës, ku u goditën anije që dyshoheshin për trafik droge dhe u bllokuan eksportet e naftës për të detyruar ndryshimin e regjimit. Sovraniteti i Kanadasë, Grenlandës, Panamasë dhe Kolumbisë u vu në momente të ndryshme në shenjëstër të retorikës së presidentit Donald Trump.

SHBA-ja u tërhoq nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga marrëveshjet globale për klimën, duke favorizuar lëndët djegëse fosile mbi energjinë e rinovueshme. Promovimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut, u la pothuajse tërësisht në harresë.

Një botë pa ekuilibër

Në vitin 2025, u shfaqën çekuilibra serioze midis pushteteve. Brenda vendit, viti i parë i mandatit të dytë të Trump u karakterizua nga një konfirmim i supremacisë ekstreme të qeverisë. Trump nënshkroi qindra urdhra ekzekutivë, firmosi mijëra falje, shkarkoi zyrtarë që tentuan të ruanin pavarësinë dhe u hakmorr përmes padive në gjykatë ndaj kundërshtarëve politikë.

Shkatërrimi i Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë për të ndërtuar një sallë vallëzimi dhe riemërtimi i Qendrës Kenedi, ishin simbole të refuzimit të normave dhe kontrollit ligjor. Ajo që ra në sy ishte mosgatishmëria e republikanëve në Kongres për të balancuar sjelljet e presidentin dhe kapitulli para tij i Gjykatës së Lartë.

Që nga epoka e Frenklin D.Ruzvelt, asnjë president nuk ka grumbulluar kaq shumë pushtet, por ndryshe nga FDR, Trump nuk trashëgoi një krizë ekzistenciale si Depresioni i Madh apo Lufta e Dytë Botërore. Ai thjesht veproi dhe të tjerët heshtën.

Kjo presidencë me një pushtet të pakufizuar, bie ndesh me traditën amerikane të “checks and balances” (kontrolleve dhe balancave). Ky sistem ka dështuar: Trump vepron, dhe reagimet janë pothuajse joekzistente.

Sfida e vitit 2026

Jashtë vendit, fokusimi i Trump tek Hemisfera Perëndimore - e parë si zgjatim i sigurisë së brendshme - erdhi me koston e distancimit nga aleatët në Evropë dhe Azi. Për pasojë, balanca e fuqisë ka anuar në favor të Rusisë dhe Kinës.

Viti 2026 do të jetë shumë domethënës. Së pari, do të shohim se si Gjykata e Lartë do të vendosë mbi përdorimin e pushteteve të emergjencës për tarifat ekonomike. Së dyti, do të shohim nëse republikanët do të nisin të distancohen nëse Trump kthehet në një barrë elektorale.

Por testi vendimtar do të jenë zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor. Historia sugjeron se demokratët mund të marrin kontrollin e Kongresit, çka do t’u jepte fuqinë për të hetuar administratën. Pyetja nuk është vetëm nëse demokratët do të fitojnë, por nëse zgjedhjet do të lejohen të jenë të lira dhe të ndershme, një provë dramatike kjo për demokracinë amerikane saktësisht në 250-vjetorin e saj.

E ardhmja e rendit global

Në skenën botërore, braktisja e Ukrainës nga administrata Trump dhe dyshimet mbi mbrojtjen e Tajvanit, sinjalizojnë një tërheqje nga roli i SHBA-së si garantuese e stabilitetit. Vizita e tij e planifikuar në Kinë në pranverën e vitit 2026 do të tregojë nëse fiksimi pas bilanceve tregtare do të triumfojë mbi nevojën për të ruajtur ekuilibrin e fuqisë në rajonin më kritik të botës.

Sistemet jashtë ekuilibrit, priren të evoluojnë drejt një kaosi më të madh apo drejt një rendi të ri. Veprimet e Donald Trumpit do të përcaktojnë këtë evolucion dhe bashkë me të, historinë e epokës sonë. Viti 2026 premton të jetë pika e kthesës për Amerikën dhe mbarë botën./ Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”.

Shënim: Richard Haass, president i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

shba donald trump

Lini një Përgjigje