TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Mars 2026, 16:51

Alarm në BE, Komisioni reagon pas sulmit kibernetik ndaj Europa.eu: Janë marrë informacione!

Shkruar nga Pamfleti
Alarm në BE, Komisioni reagon pas sulmit kibernetik ndaj Europa.eu:
Foto ilustruese

Komisioni Europian ka reaguar pas sulmit kibernetik që goditi platformën Europa.eu, duke pranuar se po verifikon mundësinë e aksesit të paautorizuar në të dhëna.

Sipas zyrtarëve, sistemet e mbrojtjes identifikuan menjëherë aktivitetin e dyshimtë dhe strukturat teknike ndërhynë pa vonesë për të analizuar situatën. Reagimi i shpejtë bëri të mundur kufizimin e incidentit dhe ruajtjen e funksionimit normal të faqeve.

Zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier, deklaroi se mekanizmat mbrojtës “identifikuan menjëherë aktivitetet keqdashëse”, ndërsa ekipet teknike nisën pa vonesë një hetim të brendshëm, duke arritur të kufizojnë shpejt incidentin.

“Mekanizmat tanë mbrojtës zbuluan menjëherë aktivitetin e dëmshëm dhe ekipet tona nisën hetimin në kohë reale. Kjo na lejoi të kufizojmë situatën. U morën masa për të zbutur rrezikun dhe për të mbrojtur shërbimet dhe të dhënat tona, pa ndikuar në funksionimin e faqeve në Europa. Hetimi është në vijim”, u shpreh ai.

Regnier pranoi se “të dhënat e para tregojnë se disa informacione mund të jenë marrë”, por nuk dha detaje mbi natyrën e tyre, duke theksuar se hetimet vazhdojnë.

Ai shtoi se infrastruktura e brendshme e Komisionit “nuk është prekur”, ndërsa incidenti lidhet me platformën publike të faqeve dhe potencialisht me të dhëna që mund të kenë qenë tashmë të aksesueshme publikisht.

Zëdhënësi shmangu të japë detaje të mëtejshme teknike apo operacionale për shkak të hetimeve në zhvillim, por konfirmoi se Komisioni është në kontakt me Amazon për shkak të hostimit të platformës. 

be sulm kibernetik

Lini një Përgjigje