Zëdhënësja e qeverisë së Iranit, Fatemeh Mohajerani, deklaroi se kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump nuk ndihmojnë hapjen e një dialogu të mundshëm mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore iraniane IRNA, Mohajerani e cilësoi si “shenjë injorance” kërcënimin e Trump për të shkatërruar qytetërimin iranian.
“Ruajtja e paqes dhe sigurisë së popullit është përparësia kryesore e qeverisë dhe kërcënimet nuk do të shqetësojnë qetësinë publike”, tha ajo. Sipas Mohajeranit, “dera e dialogut hapet me respekt”, ndërsa “rruga e ngushtë e kërcënimeve, vogëlsisë dhe poshtërimit” nuk krijon hapësirë për bisedime.
Ajo shtoi se kërcënimi ndaj një “qytetërimi” tregon mungesë njohjeje për historinë e një kombi që, sipas saj, ka përballuar vazhdimisht kriza dhe ka mbijetuar.
Më herët gjatë së martës, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, la të kuptohej se mund të ketë zhvillime të reja më vonë gjatë ditës.
Lini një Përgjigje