Vizita e ministrit të Jashtëm iranian në Pekin, pak ditë para udhëtimit të Donald Trump në Kinë, ka rikthyer pyetjen nëse Pekini mund të marrë rol kyç në negociatat për t’i dhënë fund luftës që po trondit ekonominë globale.
Një vizitë në Pekin nga diplomati më i lartë i Iranit vetëm disa ditë përpara se presidenti amerikan Donald Trump të udhëtojë drejt kryeqytetit kinez ka rikthyer vëmendjen mbi një pyetje kyçe: a mundet Kina të marrë rolin e ndërmjetëses së paqes në konfliktin SHBA-Iran?
Me një armëpushim të brishtë dhe me diplomacinë që deri tani ka ecur me ndërprerje, pa arritur të sjellë një fund të qëndrueshëm të luftës që kërcënon ekonominë globale, si Teherani ashtu edhe Uashingtoni po kërkojnë një rrugëdalje nga përshkallëzimi.
Dhe Pekini, të paktën në letër, duket një kandidat i natyrshëm për të marrë këtë rol.
Kina ka qenë prej kohësh një aleate e afërt diplomatike dhe ekonomike e Iranit një marrëdhënie e ndërtuar mbi përplasjet e përbashkëta me SHBA-në dhe nevojën e Pekinit për naftë të lirë. Në të njëjtën kohë, Kina ruan kanale të hapura komunikimi me Uashingtonin dhe ka akses të drejtpërdrejtë te Donald Trump përmes takimit të pritshëm javën e ardhshme me presidentin Xi Jinping.
Ishte pikërisht ky moment diplomatik që ka të ngjarë ta ketë shtyrë ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, të udhëtojë drejt Pekinit, ku ai shprehu shpresa të mëdha që Kina të mund të parandalojë “shkeljet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, gjatë takimit me homologun kinez Wang Yi, sipas njoftimit iranian.
Edhe Trump pritet ta ngrejë çështjen e konfliktit gjatë vizitës së tij në Kinë një udhëtim që fillimisht ishte menduar të fokusohej te konkurrenca ekonomike mes dy fuqive, por që tashmë dominohet nga lufta me Iranin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, la të kuptohej të martën se Uashingtoni pret që Kina të ushtrojë ndikim mbi Iranin për të lehtësuar kontrollin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, zyrtarët kinezë prej javësh kanë bërë thirrje për armëpushim dhe e kanë pozicionuar Pekinin si një ndërmjetës të mundshëm paqeje. Madje presidenti Xi Jinping publikoi muajin e kaluar një propozim me katër pika për paqen në Lindjen e Mesme.
Edhe ministri i Jashtëm Wang Yi e përsëriti këtë qëndrim gjatë takimit me Araghchi, duke premtuar se Kina do të vazhdojë të ndihmojë në nisjen e bisedimeve të paqes dhe do të “luajë një rol më të madh në rikthimin e paqes dhe qetësisë në Lindjen e Mesme”.
Fakti që Xi Jinping po pret brenda pak ditësh si përfaqësuesit iranianë ashtu edhe amerikanët konsiderohet tashmë një fitore diplomatike për liderin kinez, i cili synon të forcojë rolin e Kinës si fuqi globale.
Negociatat me një president amerikan gjithnjë e më pak popullor, të përfshirë në një luftë të kushtueshme dhe në kërkim të fitoreve të shpejta politike, mund të jenë gjithashtu një pozicion i favorshëm për Xi-n.
Burime kineze të njohura me situatën i thanë së fundmi CNN se Pekini e sheh me kujdes konfliktin disamujor të SHBA-së me Iranin si një zhvillim që mund të ketë forcuar pozitën negociuese të Kinës.
Sipas këtyre burimeve, situata mund t’i japë Pekinit një mundësi të veçantë për të përfituar nga përplasja, në prag të zgjedhjeve të vështira afatmesme për Trump, i cili shihet si i etur për të paraqitur rezultate konkrete para votuesve amerikanë si blerje të mëdha kineze të produkteve bujqësore amerikane apo avionëve Boeing.
Megjithatë, mbetet e paqartë deri ku është e gatshme Kina të ushtrojë presion për t’i shtyrë palët drejt paqes, ndërsa Xi Jinping përpiqet të balancojë rreziqet ekonomike që sjell lufta me ambiciet afatgjata të Pekinit për t’u paraqitur si alternativë globale ndaj SHBA-së.
Edhe pse në Perëndim shpesh ekziston ideja se Pekini përfiton sa herë ushtria amerikane angazhohet në konflikte të tjera, Kina ka arsye konkrete për të kërkuar përfundimin e luftës.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka qenë relativisht e mbrojtur nga kriza globale e naftës që ka goditur fqinjët e saj dhe aleatët rajonalë të SHBA-së, falë rezervave të mëdha të naftës, nivelit të lartë të vetë-mjaftueshmërisë energjetike dhe kalimit të hershëm drejt energjisë së gjelbër.
Por ndërsa lufta vazhdon, rezervat po pakësohen, bashkë me sigurinë energjetike që qeveria e Xi-së e konsideron prioritet. Edhe pse aktualisht nuk ka mungesë furnizimi, ekonomia kineze po përballet me kosto më të larta të karburanteve, një pjesë të të cilave qeveria ua ka kërkuar kompanive shtetërore të naftës t’i absorbojnë vetë.
Një ngadalësim i ekonomisë globale si pasojë e luftës do të godiste gjithashtu ekonominë kineze, e cila mbështetet fuqishëm te eksportet. Po ashtu ekziston shqetësimi se konflikti mund të rëndojë marrëdhëniet SHBA-Kinë, marrëdhënie që Pekini dëshiron t’i mbajë stabile për të shmangur pengesa ndaj ambicieve të tij globale.
Analistët thonë se Kina ka vazhduar të blejë naftë iraniane edhe gjatë konfliktit, duke importuar muajin e kaluar mbi një milion fuçi në ditë kryesisht nga rezervat lundruese të magazinuara në Azi dhe të paprekura nga bllokada detare amerikane në Hormuz.
Ndërkohë, SHBA-ja ka shtuar presionin ekonomik ndaj blerjeve kineze të naftës iraniane, të cilat vitin e kaluar përbënin mbi 90% të eksporteve të Iranit dhe i japin Pekinit ndikim të konsiderueshëm ekonomik mbi Teheranin.
Muajin e kaluar, Uashingtoni futi në listën e zezë një kompani të madhe petrokimike kineze, duke e akuzuar si blerëse të rëndësishme të naftës iraniane rafineria më e madhe kineze që është goditur deri tani nga këto masa.
Në një lëvizje të pazakontë, Pekini urdhëroi kompanitë kineze të mos respektojnë sanksionet ndaj kësaj kompanie dhe katër rafinerive të tjera kineze të vendosura në listën e zezë nga SHBA-ja.
Kina mund të përpiqet të zbusë këto tensione dhe njëkohësisht të fitojë besim te Trump, duke paraqitur diplomacinë e saj me Iranin si një përpjekje të sinqertë për të ndihmuar Uashingtonin në përfundimin e luftës.
Megjithatë, analistët mbeten skeptikë se Pekini do të përdorë realisht ndikimin e tij për ta detyruar Iranin të pranojë kërkesat amerikane, sidomos pa stimuj të qartë nga Uashingtoni.
Së pari, Kina mund të mos ketë shumë besim te aftësia e saj për të ndikuar mbi Teheranin, pavarësisht aleancës diplomatike mes dy vendeve. Dhe megjithëse Pekini ka qenë i përmbajtur në kritikat ndaj SHBA-së gjatë këtij konflikti, ai ka mbajtur prej kohësh qëndrimin se kjo është një krizë që Uashingtoni duhet ta zgjidhë vetë.
Nga ana tjetër, edhe pse Kina ka ndikim të madh ekonomik mbi Iranin përmes blerjeve të naftës, në kushtet e një krize globale energjetike, Pekini ka nevojë edhe vetë për këto furnizime me naftë./Përshtati "Pamfleti", nga "CNN"
Lini një Përgjigje