“Evropa duhet të ndërtojë sistemin e saj parandalues. Ne duhet të jemi në gjendje të frenojmë armikun dhe të mbrohemi… Ne të gjithë e dimë se në momente kulmore të krizave, opsioni bërthamor është realisht vendimtar në frenimin e katastrofës”.
Në kulmin e Luftës së Ftohtë në vitin 1961, presidenti francez Charles de Gaulle e vuri në pikëpyetje vlerën e garancisë së sigurisë nga SHBA-ja. Ai e pyeti presidentin e atëhershëm amerikan John F.Kennedy, nëse SHBA-ja do të ishte vërtet e gatshme të “sakrifikonte Nju Jorkun për Parisin” në rastin e një lufte bërthamore me Bashkimin Sovjetik.
Për shkak të atyre dyshimeve, nën udhëheqjen e De Gaulle, Franca zhvilloi arsenalin e saj bërthamor, të cilin e ruan edhe sot e kësaj dite. Kohët e fundit, pyetja e vjetër e De Gaulle ka nisur të duket si shumë aktuale. Javën e kaluar, pasi presidenti francez Emmanuel Macron hodhi idenë që anëtarët evropianë të NATO-s të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin i paralajmëroi liderët perëndimorë se Rusia ka “armë që mund të godasin çdo cep të territorit të tyre” dhe se me këtë plan ato po rrezikonin “shkatërrimin e qytetërimit”.
Mesazhi që përcjell është më se i qartë: Pas vitesh harrese, udhëheqësit evropianë nuk kanë më luksin të shpërfillin kërcënimin nga armët bërthamore.
Për shkak të kërcënimeve të reja nga Rusia, por edhe dyshimeve mbi “ombrellën e sigurisë” së Amerikës, për shkak të rikthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, tema e parandalimit bërthamor është rikthyer aq fort në skenë, saqë disa liderë evropianë po flasin hapur mbi mundësinë që vendet e tyre të pajisen me armët e tyre bërthamore.
Udhëheqësit në Poloni, të vendit në vijën e parë të konfliktit midis NATO-s dhe Rusisë, kanë propozuar të vendosin në territorin e tyre armët bërthamore të aleancës. Manfred Weber, një politikan i lartë gjerman që drejton Partinë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, grupimi më i madh në parlamentin e BE-së, deklaroi kohët e fundit se Evropa duhet të ndërtojë mekanizmin e saj të parandalimit të një lufte bërthamore.
Ai deklaroi në Politico: “Evropa duhet të ndërtojë sistemin e saj parandalues. Ne duhet të jemi në gjendje të frenojmë armikun dhe të mbrohemi… Ne të gjithë e dimë se në momente kulmore të krizave, opsioni bërthamor është realisht vendimtar në frenimin e katastrofës”.
Ideja e një “Evrope bërthamore” nuk është e re. Por fakti që diskutimet tani po bëhen serioze, është një tregues i anktheve ekzistenciale të Evropës në epokën e Vladimir Putin dhe Donald Trump. Kontinenti ka aktualisht një numër të madh armësh bërthamore.
Franca dhe Britania e Madhe kanë respektivisht 290 dhe 225 bomba. Ndërkohë SHBA ka vendosur 100 nga bombat e saj në Belgjikë, Holandë, Gjermani, Itali dhe Turqi. Këto të fundit janë “bomba graviteti” B61, pra ndër armët bërthamore më rrezen më të vogël në arsenalin amerikan.
Ato klasifikohen si armë bërthamore “taktike”, edhe pse kanë një sërë rendimentesh të mundshme, dhe në disa modifikime janë shumë më të fuqishme se bombat e hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki. Armët mbahen në kasaforta të nëndheshme dhe mund të përdoren përmes kodeve “ndërlidhjes së veprimit lejues”, të cilat mbahen nga amerikanët.
Zyrtarisht ato janë përcaktuar si një mjet parandalimi për aleancën e NATO-s. Në konceptin e ri strategjik të NATO-s, anëtarët e aleancës pohojnë se janë ende një “aleancë bërthamore” që e ruan arsenalin e saj me qëllim që “të ruajë paqen, të parandalojë detyrimin dhe të pengojë agresionin”.
Dhe e gjitha kjo është në vend për shkak të Rusisë, e cila ka arsenalin më të madh bërthamor në botë me më shumë se 4000 armë bërthamore aktive. Moska ka vendosur raketat Iskander me aftësi bërthamore në Kaliningrad, në enklavën ruse midis Polonisë dhe Lituanisë, ndonëse nuk është e qartë nëse atje janë dërguar edhe armët bërthamore.
Vetë Rusia pretendoi vitin e kaluar se kishte zhvendosur disa armë bërthamore taktike në Bjellorusi, vend që kufizohet me Ukrainën si dhe me disa vende të NATO-s. Por nuk dihet as numri i saktë dhe as mënyra sesa janë vendosur . Pavarësisht kërcënimeve dhe referencave të shpeshta për luftën bërthamore nga zyrtarët rusë, përfshirë Putinin që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, Rusia nuk ka treguar asnjë shenjë se është duke u përgatitur të përdorë arsenalin e saj bërthamor në Ukrainë.
Por vetëm fuqia bërthamore e Rusisë ka qenë e mjaftueshme për t'i penguar vendet perëndimore nga veprime të caktuara, përfshirë dërgimin e trupave të tyre tokësore në Ukrainë (ose të paktën pranimin publikisht të këtij fakti) apo krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi një pjesë të madhe të Ukrainës, siç kërkoi presidenti Volodymyr Zelenskyy kur filloi lufta.
Sa i përket armëve bërthamore të Evropës, vlera e tyre si parandaluese ka pak të bëjë me numrin apo fuqinë e tyre sesa me strukturën politike. Neni 5 i traktatit që themeloi NATO-n në vitin 1949 thotë se “një sulm i armatosur kundër një ose më shumë vendeve anëtare në Evropë ose Amerikës së Veriut do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve”, dhe se anëtarët e tjerë do ta ndihmojnë vendin që sulmohet, duke përfshirë përdorimin e forcës ushtarake.
Prandaj, edhe pse shumica e vendeve anëtare të NATO-s nuk kanë armë bërthamore, ato përfitojnë nga mbrojtja e të qenit në një aleancë me vendet që kanë. Dhe kjo është e ashtuquajtura “ombrellë bërthamore”. Në shumë aspekte, lufta në Ukrainë ka ilustruar në mënyrë të përkryer vlerën e Nenit 5.
Sepse pavarësisht se vendet e NATO-s e kanë rritur mbështetjen e tyre për Ukrainën, me miliarda dollarë ndihma ushtarake, Rusia ka nguruar të ndërmarrë çdo lloj sulmi në territorin e shteteve të NATO-s përveç rrëzimit të disa raketave, në dukje për shkak të ndonjë aksidenti. Pra ka disa vija të cilat edhe Putin është i kujdesshëm që të mos i kapërcejë.
Por të paktën një vend në vijën e frontit po kërkon garanci më të mëdha. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Polonia, një anëtare e NATO-s që ndan një kufi prej 225 km dhe një histori të përgjakshme dhe të dhimbshme me Rusinë, e ka rritur fuqinë e saj ushtarake konvencionale.
Sot ajo shpenzon një përqindje më të madhe të PBB-së së saj për mbrojtje, se çdo anëtar tjetër i NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Por, të shqetësuar nga mundësia që nëse Putin ka sukses në Ukrainë, mund t'i kthejë sytë drejt vendeve të tjera që ishin dikur pjesë e sferës së ndikimit të Moskës, zyrtarë të lartë polakë, duke përfshirë presidentin Andrzej Duda dhe ish-kryeministrin Mateusz Morawiecki, kanë thënë se do të mbështesnin vendosjen e armëve bërthamore amerikane në territorin e tyre.
Siç e tha Morawiecki qershorin e vitit të kaluar: “Ne nuk duam të rrimë duarkryq, teksa Putin po krijon kërcënime nga më të ndryshmet ndaj nesh”. Shtëpia e Bardhë e anashkaloi atë deklaratë. Por kjo ide u mbështet nga Heritage Foundation, instituti i krahut të djathtë, idetë e politikës së të cilit mendohet se janë të përafërta me ato të një administrate të mundshme të ardhshme të Donald Trump.
Dikur Polonia ka pasur armë bërthamore sovjetike, edhe pse ky informacion ishte sekret, dhe shumica e polakëve mësuan për to vetëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Për momentin duket e pamundur që armët bërthamore të NATO-s të zhvendosen në Poloni. Kjo gjë do të kërkonte marrëveshje nga të 31 vendet anëtare të NATO-s, të cilat kanë qenë më pak se plotësisht të unifikuara kohët e fundit.
Për më tepër, vendosja e armëve bërthamore amerikane në Poloni do të shihej padyshim si një veprim shumë provokues nga Moska, dhe kritikët pretendojnë se një gjë e tillë do të siguronte pak përfitime ushtarake, pasi armë të tilla do të ishin më të prekshme ndaj një sulmi parandalues rus sesa ato të bazuara më në thellësi në Evropën Perëndimore.
Por disa analistë kanë shkuar më tej, duke sugjeruar se në vend që të mbajë armët bërthamore të NATO-s nën kontrollin përfundimtar amerikan, Polonia duhet të ketë kontrollin e plotë të tyre.
Tani për tani, kjo ide duket edhe më jorealiste dhe udhëheqësit polakë kanë qëndruar kryesisht të distancuar.
Por Ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski deklaroi gjatë një vizite në Uashington se kjo ide nuk është krejtësisht jashtë tryezës. “Nëse Amerika nuk mund t'i bashkohet Evropës në përpjekjet për të dëbuar rusët nga Ukraina, unë kam frikë se familja jonë e kombeve demokratike do të fillojë të shpërbëhet. Ndaj aleatët do të nisin të kërkojnë mënyra të tjera për të garantuar sigurinë e tyre. Ata do të fillojnë të vetëmbrohen. Dhe disa prej tyre do të synojnë të pajiset me armë e tyre bërthamore”- tha ai./Përshtati Pamfleti nga “Vox”
Lini një Përgjigje