
Si udhëheqëset ushtarake dhe ekonomike të Evropës, Franca dhe Gjermania mbeten në krye të listës.
Këto dy vende kanë një përgjegjësi të veçantë për ta udhëhequr kontinentin në mesin e krizës gjeopolitike epokale që po përjeton. Për të rikonfirmuar fuqinë e Evropës, Parisi dhe Berlini duhet të ripërtërijnë strategjitë e tyre të jashtme dhe të mbrojtjes, si dhe themelet e tyre ekonomike, dhe të bashkëpunojnë me aleatët.
Politikëbërësit e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në Francë dhe Gjermani, gjenden në një pozitë shumë delikate. Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të angazhuara në një lloj ekspansionizmi izolacionist. Ato po tërhiqen nga roli i tyre, që e kanë luajtur për dekada me radhë, si garantues i një rendi ndërkombëtar nga i cili kanë përfituar shumë.
Në vend të kësaj, Uashingtoni po e dëmton sigurinë e aleatëve të tij më të ngushtë duke zhvilluar një luftë tregtare kundër tyre, duke kërcënuar të tërheqë trupat e tij, dhe të aneksojë një pjesë të territorit të tyre. Dhe kjo, ndërsa po synon të arrijë një marrëveshje paqeje në Ukrainë, e cila nuk bën asgjë për të penguar agresionin e vazhdueshëm rus.
Si udhëheqëset ushtarake dhe ekonomike të Evropës, Franca dhe Gjermania mbeten në krye të listës. Atyre u takon të ruajnë sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës, të rishpikin marrëdhënien transatlantike për ta shpëtuar atë, ndërsa kanë përballë një Rusi ekspansioniste dhe konkurrencën agresive të Kinës.
Por që të ndodhë kjo, duhet një transformim epokal si nga Berlini ashtu edhe nga Parisi, i cili është i dyfishtë: Ato duhet të drejtojnë kapacitetet ushtarake dhe financiare që evropianët të mbështesin Ukrainën edhe pa Shtetet e Bashkuara, në një kohë që duhet të rishikojnë edhe politikëbërjen e tyre industriale, të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.
Duket sikur për Francën e ish-presidentit Charles de Gaulle, kjo është një ëndërr e bërë realitet. Ka ardhur më në fund momenti, kur evropianët po e shohin hegjemoninë e SHBA-së, për atë që Parisi ka dyshuar gjithmonë se ishte: e pabesueshme, dominuese dhe rivale.
Por realiteti është shumë ndryshe. Askush që mban poste me përgjegjësi në Francë, nuk po gëzohet për këtë dëmtim serioz të rendit perëndimor, ose nuk pretendon se Parisi mund të zëvendësojë rolin dhe peshën e Uashingtonit. Dhe sa më të lartë të jenë zyrtarët, aq më të vetëdijshëm janë ata për sa shkallën e jashtëzakonshme të sfidës.
Franca përballet aktualisht me tre sfida të mëdha. Së pari, në dritën e garancisë gjithnjë e më të pabesueshme të sigurisë së SHBA-së në Evropë, Parisi duhet t’u shpjegojë bindshëm aleatëve të tij evropianë doktrinën e saj të frenimit bërthamor, se si ndryshon nga ajo amerikane me të cilën janë mësuar, dhe pse është efektive.
Së dyti, Franca nuk të vazhdojë me vetëdije sjelljen sikur është kompetente në gjithçka, kur nuk është në fakt, derisa të arrijë sukses në menaxhimin e financave kombëtare. Defiçiti i saj buxhetor, po e pengon shpalosjen si duhet të fuqisë të saj.
Së treti, baza e saj industriale e mbrojtjes duhet të bëhet më dinamike, e adaptueshme dhe më efektive, si për të prodhuar sasi më të mëdha më shpejt, ashtu edhe për të arritur me sukses konsolidimin brenda bllokut që kërkohet tani.
Përtej Rinit, llogaritë janë edhe më të vështira, për shkak të rolit themelor që ka luajtur garancia e sigurisë së SHBA-së në Gjermaninë e pasluftës. Edhe pse kancelari i ardhshëm Friedrich Merz, ka dërguar sinjale të vendosura në lidhje me gatishmërinë e tij për të ndërmarrë hapat e duhura.
Ai theu një tabu historike natën e fitores së zgjedhjeve nga partia e tij - CDU-së - duke deklaruar se “prioriteti i tij absolut, do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që hap pas hapi, të arrijmë vërtet pavarësinë tonë nga SHBA-ja”. Megjithatë, edhe Gjermania përballet me 3 sfida.
Së pari, establishmenti gjerman duhet të investojë sa më shpejt në një strategji të re të politikës së jashtme dhe të sigurisë pa Shtetet e Bashkuara. Diskutimet e fundit me dyer të mbyllura dhe me zyrtarë të ndryshëm - përfshirë disa nga CDU - tregojnë se sa i vështirë është ky proces.
Shumë gjermanë, nuk e pranojnë ende se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë më të jenë garantuesi kryesor i sigurisë evropiane. Ata ose e shmangin trajtimin e kësaj çështjes drejtpërdrejt, ose vazhdojnë të mbajnë një shpresë të vakët se gjithçka do të kthehet në normalitet pas mandatit të dytë dhe të fundit presidentit aktual Donald Trump.
Ata janë kundër një “profecie vetë-përmbushëse” të imagjinuar që mund të krijojnë udhëheqësit evropianë, që po përballen me ndryshimin e rolit të Shteteve të Bashkuara.
Së dyti, ekonomia e dobët e Gjermanisë përbën një problem gjeostrategjik serioz edhe për Evropën. Ajo pësoi rënie 2 vjet radhazi, në vitet 2023 dhe 2024 dhe pritet të ketë 0 për qind rritje për këtë vit.
Në këto kushte, Berlini duhet të rishpikë një model ekonomik që të jetë larg 3 shtyllave, të cilat e kanë mbështetur deri më tani: siguria e SHBA-së, energjia e lirë ruse dhe tregjet kineze të eksportit. Sigurisht, ky transformim është një nga më sfiduesit, por nëse do jetë i suksesshëm, mund të sjellë një fitim të papritur për brezat e ardhshëm.
Së treti, sapo të marrë detyrën e kancelarit në fillim të majit, Merz do të duhet të gjejë guximin politik për ta shtyrë Gjermaninë të marrë një rol më të rëndësishëm në koalicionin e “të vullnetshmëve” në mbështetje të Ukrainës, edhe pa dërguar trupa atje.
Lajmi i mirë, është se me ardhjen e tij në krye të Gjermanisë, do të rigjallërohet koordinimi dhe bashkëpunimi franko-gjerman pas një periudhe të zymtë nën drejtimin e ish-kancelarit Olaf Scholz. Por asnjë nga ato që përmenda me lart, nuk i pengon të dy vendet të udhëheqin me sukses përpjekjet evropiane për të fuqizuar Ukrainën.
Ato janë të afta ta ndihmojnë atë të frenojë efektet negative të dy skenarëve të mundshëm aktualë: një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Rusinë - që njeh aneksimin e Krimesë dhe e përjashton Kievin nga NATO - ose largimin e Shteteve të Bashkuara nga procesi, pasi dështimit të arritjes së një marrëveshje.
Por ndërkohë, e kanë inkurajuar Rusinë në agresionin e saj duke e dobësuar kampin perëndimor. Ky do të jetë i pari nga dy testet e lidershipit të tyre, të cilat ato s’mund t’i përballojnë pa një koordinim të ngushtë dhe jetik me Britaninë e Madhe, shtetet veriore, baltike dhe lindore, përveç Turqisë.
Testi i dytë, ka të bëjë me trajtimin e çështjes nëse dhe kur evropianët duhet të riangazhohen me Rusinë. Kjo temë, u ngrit nga disa vende, megjithëse jo Franca, në një samit të kohëve të fundit të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron rreth ndërtimit të një paqeje dhe sigurie të fortë në Ukrainë dhe Evropë.
Çështja u cilësia si e parakohshme dhe jo e rëndësishme. Por që atëherë, është ngritur në diskutime të nivelit më të ulët, ndaj evropianët duhet të nisin të përgatiten për t’i dhënë një përgjigje. Do të jetë faza e dytë kritike e mënyrës, se si kontinenti do të përballet me fundin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi evropianët të sigurojnë mbijetesën dhe forcën e Kievit.
Ky do të jetë testi përfundimtar i rishikimit të politikës së jashtme gjermane dhe franceze. Ata do të përsërisnin gabimet e rënda të së kaluarës, në rast se nuk do të shpikin një format të ri diplomatik, që të paktën të sigurojë një koordinim të ngushtë sistematik me aleatët baltikë, veriorë dhe polakë, përpara çdo lloj diskutimi me homologët rusë.
Udhëheqja kolektive dhe aftësitë vërtet të përbashkëta, janë mënyra se si Evropa mund të rikonfirmojë fuqinë e saj gjeopolitike në botën e ardhshme pa një rend ndërkombëtar./Përshtati “Pamfleti” nga “Carnegie Europe”
Lini një Përgjigje