Rusia po reziston, edhe pse rusët e thjeshtë po përballen me shumë vështirësi. Ata po vuajnë më së shumti pasojat e krizës ekonomike, rritjes së çmimeve dhe taksave, dhe modifikimit të ekonomisë për të mbështetur luftën. Megjithatë, rusët janë të mësuar si popull me idesë e luftës.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andryi Sybiha, e quajti si një ndër sulmet më të fuqishme të rusëve. Zelensky foli për 120 raketa dhe 90 dronë të lëshuar nga Moska. Sërish objektivat ishin ato që janë bërë të zakonshme muajt e fundit: infrastruktura energjetike, që këtë kohë është dëmtuar aq rëndë, saqë sipas disave, ka shkatërruar deri në 90 për qind të kapaciteteve të Ukrainës.
Një sulm i madh, që bie ndesh me fjalët e para të ndrojtura që i paraprijnë nisjes së mundshme të negociatave për paqen, dhe që nisën të qarkullojnë menjëherë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet e 5 nëntorit. Ose mbase këto sulme duhen parë pikërisht në lidhje me këto bisedime, duke zbuluar taktikën ruse për të arritur përfitimet më të mëdha të mundshme në front, përpara se palët të ulen në tryezë dhe të bisedojnë.
Ndërkohë, siç raportohet nga New York Times, presidenti në largim Joe Biden iu kundërpërgjigj sulmit rus me lejimin e ukrainasve që të përdorin raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi në sulmet brenda territorit rus. Panorama e situatës, thotë Stefano Caprio, prift katolik i ritit bizantin në Rusi në vitet 1989-2002, sot teolog dhe ekspert i botës ruse, nuk është ende e mirë-përcaktuar.
Këtë e tregojnë edhe fjalët e Sviatoslav Shevchuk, kryepeshkop i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, sipas të cilit nuk është ende koha për negociata. Sipas tij, Ukraina nuk dëshiron të heqë dorë nga territoret e saj, dhe duhet të mos mbajë shumë shpresë tek neutraliteti i saj. Sepse për klerikun e lartë, një kusht i tillë nuk do të garantonte që ajo të mos jetë sërish objekt sulmesh në të ardhmen.
Pse rusët e nisën këtë sulm të ri kaq të madh ndaj Ukrainës, pikërisht në një kohë kur po flitet për paqe?
Lufta ka logjikën e saj, dhe ky sulm në fillim të dimrit është pjesë e logjikës së luftës. Aq më tepër nëse që ka nisur të flitet për paqe. Rusët duan të negociojnë nga një pozicion më i fortë. Është e diskutueshme nëse Moska është vërtet e gatshme të negociojë. Nga njëra anë, mund të nisin negociatat, duke qenë se SHBA-ja do të drejtohet së shpejti nga Trump, një mik i Putinit. Nga ana tjetër, kjo situatë mund ta detyrojë kreun e Kremlinit të pretendojë se dëshiron të negociojë, ndërsa në terren po përgatit sulmin përfundimtar. Unë mendoj se ai ka në mendje më shumë fitoren sesa paqen, idenë për të hyrë në histori si udhëheqësi që e ripushtoi Ukrainën. Edhe analistët rusë mendojnë se Putin dëshiron të pushtojë jo vetëm Donbassin.
Pra dëshiron të vendosë nën kontrollin e tij të gjithë vendin fqinj?
Pak a shumë. Mendoj se kjo ka qenë ideja e tij që në fillim, dhe nuk ka hequr asnjëherë dorë prej saj.
Sipas New York Times, Biden e ka autorizuar Kievin të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë, të paktën në zonën e Kurskut. Si mund ta shpjegoni këtë vendim, pas kaq një kohë të gjatë ngurrimi, dhe tani që po përfundon mandati i tij?
Është një vendim i pritshëm. Në këtë mënyrë, nëse do të ketë vërtet negociata, edhe Ukraina do të ndihet pak më e fortë. Është “dhurata” e fundit e Biden, duke mos ditur se çfarë duhet të presë Kievi nga Trump. Gjithçka duket se po ndodh sipas logjikës së ofensivës së dimrit: rusët kanë shtuar sulmet, dhe ukrainasit duhet të jenë në gjendje të kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë. Nëse gjithçka shkon mirë, negociatat mund të nisin në pranverë të vitit që vjen.
Për shumë analistë, Rusia duket se ka reaguar mirë ndaj luftës. Nuk ka pësuar ndonjë kolaps, siç parashikuan shumë njerëz në Perëndim, në aspektin ushtarak, ekonomik apo edhe social. A është vërtet kështu?
Po, Rusia po reziston, edhe pse rusët e thjeshtë po përballen me shumë vështirësi. Ata po vuajnë më së shumti pasojat e krizës ekonomike, rritjes së çmimeve dhe taksave, dhe modifikimit të ekonomisë për të mbështetur luftën. Megjithatë, rusët janë të mësuar si popull me idesë e luftës. Askush nuk proteston, edhe sepse janë shpërbërë me forcë të gjitha partitë opozitare. Vendi është në dilemë midis fundit të luftës dhe nisjes së sulmit vendimtar. Popullsia ruse do të donte përfundimin e luftimeve, por një krenari patriotike e rrënjosur thellë tek ata e kërkon fitoren.
Çfarë domethënie kanë në këtë kontekst fjalët e kryepeshkopit Shevchuk? Vatikani po nxit shqyrtimin e çdo rruge që çon drejt paqes. Pse grekët katolikë kërkojnë diçka tjetër?
Në Ukrainë mendojnë se momenti është shumë delikat. Ekziston mundësia që zgjedhja sërish si president e Donald Trump, do ta detyrojë Ukrainën të pranojë një traktat të pafavorshëm paqeje, duke lëshuar territore, duke e ditur se për palën ruse kjo mund të jetë një mundësi për t’i shkuar luftës deri në fund. Ndaj Shevchuk nuk bëri gjë tjetër, veçse i bëri jehonë ndjenjës së ukrainasve.
Çfarë peshe ka kjo kishë në Ukrainë?
Ajo ka ndërmjet 3-5 milionë besimtarë, në krahasim me 7-8 milionë ukrainas nacionalistë dhe 10-12 milionë ukrainas pro-rusë, të cilët nuk mbështeten dhe aq nga Moska. Katolikët grekë përfaqësojnë një pakicë, por gjithsesi një pjesë të konsiderueshme. Këto fjalë kanë peshë sepse Shevchuk është në harmoni me Kishën autoqefale të Ukrainës.
A është kryepeshkopi në anën e Zelenskyt? Sepse presidenti tha se paqja duhet të arrihet gjatë vitit 2025?
Po, duhet të arrihet në atë pikë, por pa falur asgjë. Zelensky po përpiqet ta mbajë Trumpin në anën e tij.
Nëse Shevchuk shpreh një ndjenjë të përbashkët, çfarë kushtesh mund të pranojnë ukrainasit për paqen, gjithnjë duke supozuar se nuk do të detyrohen të ulin kokën në rastin e afrimit të disfatës ushtarake?
Ukraina mund të pranojë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por jo në NATO. Megjithatë do të kërkojë garanci nga pikëpamja e mbrojtjes ushtarake, pa pasur nevojë të lëshojë territore.
A do të duhet që Kievi të heqë dorë zyrtarisht nga territoret e pushtuara tashmë nga rusët?
Ukraina nuk do ta pranojë asnjëherë lëshimin e tyre, por do të detyrohet ta pranojë përkohësisht se nuk mund t’i çlirojë ato. Përkufizimi i marrëdhënieve me Rusinë, do të jetë gjithmonë ai i konfliktit dhe asnjëherë i paqes. Kievi nuk do të pranojë njohjen ndërkombëtare të aneksimit nga Moska të Krimesë dhe Donbassit.
Por a është e vërtetë siç thotë edhe Shevchuk, se neutraliteti i Ukrainës nuk do të ofronte ndonjë garanci të mjaftueshme, për të shmangur sulmet e reja të Rusisë në të ardhmen?
Po, në rast se nuk ka garanci nga NATO, që ende mund ta mbrojë atë nga jashtë pa anëtarësimin e Ukrainës në aleancën atlantike. Nga ana tjetër, Putin nuk mund të jetë i kënaqur me një pjesë të territorit që ishte tashmë në zotërim të tij që përpara pushtimit në shkallë të plotë të vitit 2022./Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje