Trump ka vendosur tarifa 20 për qind për importet kineze - edhe pse ato janë më të ulëta se disa tarifa në Kanada dhe Meksikë - dhe foli për një garë të Inteligjencës Artificiale me Pekinin. Por nga ana tjetër, është mburrur për marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me presidentin kinez...
Kur presidenti i SHBA Donald Trump u ul në Zyrën Ovale më 28 shkurt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në një takim shumë të tensionuar që do të zbulonte çarje të mëdha midis Uashingtonit dhe Kievit, ai u pyet nga një gazetar mbi një tjetër udhëheqës botëror: Vladimir Putin.
Pasi sulmoi Zelenskyn se ishte mosmirënjohës ndaj SHBA-së për ndihmën e saj ushtarake dhe financiare, Trump rezervoi fjalët më të ngrohta për presidentin rus.
“Putini kaloi shumë vështirësi prej meje”- tha Trump, duke iu referuar akuzave të vazhdueshme nga demokratët, se ishte Rusia që e ndihmoi të vinte në pushtet, të cilat hodhën shumë hije dyshimi në mandatin e tij të parë. Dy javë më vonë, ndërsa Ukraina ka pranuar nën presionin e Trump një armëpushim me Rusinë, pa i ofruar Kievit garancitë e sigurisë që kërkon, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pyetja se çfarë e shtyn presidentin e Shteteve të Bashkuara të tregohet relativisht i butë ndaj Putinit.
Një teori ka fituar paksa terren ditët e fundit. Disa strategë mendojnë se Trump po tenton një manovër gjeopolitike delikate: Duke e tërhequr Rusinë më pranë SHBA-së, ai po përpiqet ta largojë atë nga Kina, rivalja më e madhe afatgjatë e Uashingtonit dhe përfituesja më e madhe nga afërsia me Moskën.
Ata po e quajnë “Nikson, po në kahun e kundërt”, duke iu referuar afrimit historik të presidentit të SHBA Richard Nixon me Kinën në vitet 1970. Ajo lëvizje normalizoi marrëdhëniet SHBA-Kinë pas gati 25 vjetësh, dhe krijoi një të çarë të thellë midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës në një moment përcaktues për Luftën e Ftohtë.
Pra, a janë lëvizjet e Trump, pjesë e një strategjie diplomatike për të dobësuar lidhjen midis Rusisë dhe Kinës, e cila është forcuar shumë vitet e fundit? Dhe a mund të ketë sukses SHBA-ja në këtë përpjekje? Përgjigja e shkurtër: S’ka gjasa që të ndodhë. Ekspertët theksojnë se presidenti i SHBA-së ka dërguar ekspertë në Kinë, në një përpjekje për të përmirësuar lidhjet dypalëshe, duke nënvlerësuar sugjerimet se ai po përpiqet ta tërheqë Moskën nga Pekini. Dhe asgjë që bën SHBA, thonë ata, nuk do ta bindë Putinin të rrezikojë marrëdhëniet me Kinën.
Përkundrazi, lëvizjet e Trump mund të përfundojnë duke e ndihmuar Pekinin. Teksa Trump kandidoi për president me premtimin se do t'i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë, kontakti i tij i fundit me Putinin që nga marrja e detyrës ka shkuar “shumë përtej” bisedimeve të paqes, thonë William Jackson dhe Mark Williams, ekonomistë në Capital Economics, kompania e pavarur konsulence me qendër në Britaninë e Madhe.
Sipas disa burimeve, presidenti duket i vendosur të arrijë “një rehabilitim më të gjerë të marrëdhënieve SHBA-Rusi”, shkruan në një artikull në fund të shkurtit. Ata përmendin përdorimin e shpeshtë nga Trump të kërkesave ruse mbi luftën në Ukrainë - presidenti amerikan ka pretenduar se Kievi ishte përgjegjës për fillimin e luftës - dhe sugjerimin e tij që Rusia të rikthehet në Grupin e Shtatë (G7), një grup i zgjedhur i demokracive shumë të industrializuara.
Rusia ishte një anëtare e grupimit - që atëherë u quajt G8 - deri në pushtimin e Krimesë në vitin 2014, kur u dëbua nga anëtarë të tjerë. Trump ka diskutuar publikisht “partneritetet ekonomike potencialisht historike” dhe “mundësitë e pabesueshme” për kompanitë amerikane në Rusi nëse përfundon lufta e saj me Ukrainën.
Rusia ka qenë e izoluar ekonomikisht gjatë 3 viteve të fundit për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, dhe përfundimi i luftës mund ta ndryshojë këtë. Që nga përplasja e fortë me Zelenskyn gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë dy javë më parë, presidenti amerikan ka thënë e ka më të lehtë të merret vesh me Rusinë sesa me Ukrainën, veçanërisht kur bëhet fjalë për negociatat e paqes.
Por prapa qasjes së Trump ndaj Rusisë qëndron një plan më i madh, thonë disa anëtarë të administratës së tij si dhe ekspertë të pavarur. Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt, Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i Trump për konfliktin Rusi-Ukrainë, tha se SHBA dëshiron të “prishë” aleancën midis Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.
Në një intervistë për uebsajtin e krahut të djathtë Breitbart, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, deklaroi ndër të tjera se varësia e Rusisë nga Kina - e cila është rritur gjatë luftës me Ukrainën - nuk ishte një “rezultat i mirë” për Uashingtonin.
Në një artikull në fillim të këtij muaji, historiani dhe strategu Richard Luttwak argumentoi se përplasja Trump-Zelenskyy, dhe presioni për ta detyruar Ukrainën të bëjë kompromis në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë “u bë në shërbim të ambicies më të madhe dhe afatgjatë të Trumpit për ta neutralizuar Kinën”.
Luttwak, që nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Al Jazeera mbi këtë artikull, e përshkroi politikën e Trump si një “Nikson në kahun kundërt”. Por fakte të tjera, ngrenë pikëpyetje rreth idesë së një strategjie madhështore që mbështet përpjekjet e Trump për të joshur Putinin.
Për Michael Clarke, historian dhe ekspert i strategjive në Universitetin Deakin, Australi, i specializuar në politikën e jashtme të Kinës “situata aktuale nuk ka gati asnjë ngjashmëri me situatën me të cilën u përballën Nixon dhe Kissinger në vitet 1970”.
Dallimi kryesor, thekson ai, është se në kohën kur Nixon u takua me Maon në Pekin në vitin 1971, marrëdhëniet midis BRSS dhe Kinës ishin shumë të këqija. Të dyja palët ishin të angazhuara në një konflikt të zgjatur ideologjik mbi të ardhmen e lëvizjes globale komuniste, ndërsa në vitin 1969 ishin përfshirë në një konfrontim ushtarak për kufirin e tyre të përbashkët.
Ndërkohë, Rusia dhe Kina janë sot më afër se sa kanë qenë ndonjëherë, të lidhura nga bashkëpunimi i fortë ekonomik, ushtarak dhe strategjik, dhe një urrejtje e përbashkët për Perëndimin. Jaehan Park, asistent profesor në Shkollën S Rajaratnam të Studimeve Ndërkombëtare në Singapor, mendon se Nixon kishte një reputacion shumë të ndryshëm nga Trump, që e lejonte të përmbyste politikën e jashtme të SHBA.
Ndryshe nga Trump, për të cilin kritikët pretenduan se fitoi nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet e vitit 2016, Nixon nuk u akuzua kurrë se kishte përfituar personalisht nga një detantë me Pekinin. “Nixon ishte në gjendje të bënte atë që bëri, sepse u cilësua si një antikomunist i vendosur. Ndërkohë marrëdhënia e Trumpit me Rusinë në përgjithësi, dhe me Putinin në veçanti, ka qenë prej kohësh nën vëzhgim në mediat amerikane”- shprehet Park për Al Jazeera.
Duke pasur parasysh statusin e Putinit si një “person non grata në Perëndim”, Park shton se edhe senatorët republikanë mund të “mos ishin plotësisht dakord me idenë e arritjes së marrëveshjeve me Rusinë”. Ndërkohë, qasja e Trump ndaj Kinës nuk është shumë e qartë.
Trump ka vendosur tarifa 20 për qind për importet kineze - edhe pse ato janë më të ulëta se disa tarifa në Kanada dhe Meksikë - dhe foli për një garë të Inteligjencës Artificiale me Pekinin. Por nga ana tjetër, është mburrur për marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me presidentin kinez dhe ka folur për mundësinë e një marrëveshjeje të re tregtare me Pekinin.
Presidenti amerikan thotë se dëshiron një bashkëpunim më të fortë me Kinën, dhe ka kërkuar një reduktim të koordinuar të rezervave bërthamore të Moskës, Pekinit dhe Uashingtonit, thotë Ali Wyne, studiues i marrëdhënieve SHBA-Kinë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Kjo qasje tregon se Trump parashikon se një G3 që do të përcaktojë kushtet e gjeopolitikës”- thotë Wyne për Al Jazeera. Po Putin? Trump nuk është presidenti i parë i SHBA-së që i drejtohet Putinit. Në nëntorin e 2001, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George W Bush, e priti liderin rus në fermën e tij private në qytetin e vogël Crawford në Texas.
Putin dhe gruaja e tij e atëhershme Lyudmila, e kaluan natën në fermë. Bush tha publikisht se si Putin ishte lideri i parë botëror që i telefonoi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Po ashtu, udhëheqësi rus mbështeti pushtimin amerikan të Afganistanit.
“Jam i bindur se ai dhe unë mund të ndërtojmë një marrëdhënie respekti dhe sinqeriteti reciprok. E di se kjo është e rëndësishme edhe për botën”- u tha Bush gazetarëve. Por shumë shpejt marrëdhëniet kalua nga kriza në krizë, mbi çështjet që variojnë nga pushtimi i Irakut nga SHBA në vitin 2003 dhe pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia në vitin 2008, deri tek zgjerimi i NATO-s në Evropë.
SHBA-ja dhe Rusia përjetuan një riafrim jetëshkurtër nën presidentin Barack Obama, por marrëdhëniet u tensionuan sërish pas pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetjes së Putin për presidentin sirian Bashar Al-Assad.
Ndërsa Trump tha gjëra pozitive mbi Putinin gjatë mandatit të tij të parë, marrëdhëniet SHBA-Rusi nuk u përmirësuan shumë. Në fakt, Trump vendosi sanksione të reja ndaj Rusisë - si dhe ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut - sipas Aktit Ndaj Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA).
Më pas lufta në Ukrainë i dha fund çdo perspektive për shtensionim. Clarke thotë:” Rusia dhe Kina janë në një aleancë të fortë, dhe kanë stimuj të qartë për ta vazhduar atë, dhe administrata Trump nuk ka asnjë ide të qartë se si apo pse orientimi drejt Putinit ndihmon ose interesat amerikane ose sjell stabilizimin e politikës ndërkombëtare”.
Kina do të vëzhgojë nga afër përpjekjet e Trump për një afrim me Putinin. Braktisja e mbrojtjes së Ukrainës nga SHBA do të shihet nga Kina si provë që nëse Pekini këmbëngul mjaftueshëm, mund t’i rezistojë SHBA-së.
Së dyti, qasja transaksionale e Trump ndaj aleatëve tradicionalë, ka të ngjarë të dobësojë përkushtimin e Uashingtonit ndaj partnerëve të tij aziatikë, të cilët e cilësojnë SHBA-së si një kundërpeshë ndaj Kinës.
Së treti lufta tregtare në rritje e Trump me Evropën dhe ngurrimi i tij për t’u përkushtuar ndaj aleancave në kontinent, mund t’i shtyjë vendet atje të eksplorojnë lidhje më të forta me Pekinin, pasi Kina e paraqet veten si mbështetëse e globalizimit. /Përshtati “Pamfleti” nga “Al Jazeera”
Lini një Përgjigje