Turqia e sheh popullsinë e konsiderueshme kurde të Iranit si një kërcënim potencial për unitetin e brendshëm të vendit.
Përpara fillimit të sulmeve ushtarake amerikane dhe izraelite kundër Republikës Islamike të Iranit, Turqia u përpoq të ruante një “fytyrë pokeri”, duke kërkuar qetësim të situatës dhe duke mohuar thashethemet për veprime të planifikuara nga Ankaraja.
Tani që po zhvillohet një përpjekje për të rrëzuar regjimin teokratik të Iranit, Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten vigjilente ndaj veprimeve ushtarake turke. Qeveria turke e udhëhequr nga pesidenti Rexhep Tajip Erdogan, është përmbajtur nga pjesëmarrja në konflikt.
Pavarësisht disa aleatëve të SHBA-së që mbështetën veprimin ushtarak, Erdogan ka zgjedhur të dënojë sulmet. Erdogan madje shprehu “trishtim” për vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili u eliminua që në orët e para të luftës.
Heshtja për momentin e Turqisë për të marrë pjesë në këtë luftë rajonale në zhvillim e sipër, nuk do të thotë se veprimet e saj do të kufizohen në retorikë për një kohë të pacaktuar. Erdogan po llogarit lëvizjet e tij të ardhshme për të përfituar më së miri nga ajo që mund të shndërrohet në një krizë të favorshme.
Tani për tani, Ankaraja po thekson shqetësimet e sigurisë kombëtare që rrjedhin nga presionet migratore përgjatë kufirit të saj lindor me Iranin. Erdogan ka filluar të telefonojë homologët rajonalë në Gjirin Arab në një raund të pafrytshëm diplomacie telefonike, duke u përpjekur të sigurojë mbështetje për një armëpushim - pa të cilin ai pretendon se Lindja e Mesme do të përfshihet në një “unazë zjarri”.
Ankaraja ka zgjedhur të mos marrë pjesë në operacione luftarake me Uashingtonin, aleatin e saj të traktatit të NATO-s, për të rrëzuar regjimin në Teheran. Kjo ndihmon për të shpjeguar arsyen pse Irani nuk ka synuar asetet ushtarake në Turqi deri më tani, siç ka bërë me disa shtete arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Katari.
Por një konflikt që do të vazhdojë për disa javë, mund ta detyrojë Ankaranë të pozicionojë ushtrinë e saj brenda Iranit. Dhe katalizatori më i mundshëm që do ta çonte Ankaranë drejt veprimeve ushtarake është skenari i një kërcënimi kurd për Turqinë, që mund të lindë nga një Iran në trazira dhe kaos.
Dhe kjo mundësi mund të shfaqet së shpejti në horizont: Presidenti Donald Trump zhvilloi së fundmi një telefonatë me udhëheqësit rajonalë kurdë. Nëse presidenti amerikan synon të përshpejtojë një kryengritje kurde brenda Iranit për të rrëzuar regjimin, ky mund të jetë shumë mirë preteksti që i duhet Erdoganit për të hyrë në Iran.
Kur perspektivat e veprimit ushtarak të SHBA-së u rritën ndjeshëm në janar, udhëheqësit turq kërkuan negociata në emër të Teheranit, Madje duke e përfshirë ministrin e jashtëm të regjimit në një konferencë shtypi të minutës së fundit në Stamboll më 30 janar.
Që atëherë, presidenti Erdogan dhe Ministri i Jashtëm Hakan Fidan, kanë ushtruar presion ndaj Uashingtonit dhe NATO-s që të shmangin një përgjigje ushtarake, duke përmendur destabilizimin rajonal si frikën e tyre kryesore.
Përgatitjet e supozuara të Ankarasë për skenarin më të keq rënia e regjimit iranian dhe kaosi në kufi kanë tërhequr një vëmendje të gjerë. Ndërsa Drejtoria Turke e Komunikimeve, mohoi shpejt “planet për të pushtuar territorin iranian për arsye sigurie”, kanë qenë të shumta spekulimet mbi rrjedhën e veprimeve të Turqisë.
Nëse Turqia vepron ushtarakisht, justifikimi më i mundshëm që do të japë, është një operacion për të parandaluar “sulmet terroriste” që vijnë nga kurdët iranianë të lidhur me Partinë e Jetës së Lirë të Kurdistanit (PJAK) të Iranit.
PJAK është një degë e lëvizjes separatiste kurde të Turqisë, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë si një organizatë terroriste.
Më 22 shkurt, PJAK u bashkua me 4 parti të tjera kurde iraniane për të formuar një koalicion për “luftën për çlirimin e Kurdistanit Lindor (iranian)”. Mediat ultranacionaliste turke, kanë filluar tashmë të ngrenë alarmin për atë që e konsiderojnë planin e pashmangshëm të PJAK-ut për të krijuar një “korridor terrorist” në kufirin lindor të Turqisë, të ngjashëm me ish-zonën e kontrollit të forcave kurde në Siri.
Që nga fundi i shkurtit, qëndrimi ushtarak i Ankarasë tregonte një gatishmëri maksimale për të kryer operacione ndërkufitare nëse udhëheqësit turq i konsideronin të nevojshme ose të përshtatshme.
Pavarësisht kundërshtimit të ndërhyrjes ushtarake në Iran, Turqia ka lejuar avionët e NATO-s për paralajmërim dhe kontroll të hershëm ajror (AËACS) që të fluturojnë mbi Turqinë Lindore në misione monitorimi.
Këta avionë janë projektuar për të monitoruar lëvizjet e avionëve armiqësorë dhe do t[i ofrojnë Turqisë inteligjencë të vlefshme mbi zhvillimet e menjëhershme. As burimet turke dhe as ato ndërkombëtare nuk kanë raportuar ende lëvizje të mëdha nga Armata e Dytë e Turqisë, ushtria fushore përgjegjëse për sigurimin e kufijve me Sirinë, Irakun dhe Iranin. Megjithatë, planet e supozuara ndërkufitare po bëjnë bujë në të gjithë Turqinë. Deklaratat turke aktualisht, pasqyrojnë një përzierje mohimi dhe justifikimi të pakufizuar për çështjen e operacioneve ndërkufitare në Iran.
Duke iu referuar zërave për plane inkursioni në rastin të një sulmi amerikan, Ministria Turke e Mbrojtjes rikonfirmoi më 26 shkurt se pretendime të tilla “nuk pasqyrojnë të vërtetën”. Nga ana tjetër, Erdogan përmendi gatishmërinë turke për veprime të njëanshme ushtarake: “Kudo që ka një kërcënim, ne do ta eliminojmë atë në burim pa kërkuar leje nga askush!”.
Aventurizmi ushtarak turk gjatë dekadës së fundit, ka treguar pakujdesinë e Ankarasë në respektimin e territorit të fqinjëve. Pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të Erdoganit se integriteti territorial sirian është një “domosdoshmëri strategjike” për Turqinë, ushtria e Ankarasë vazhdon të pushtojë sipërfaqe të mëdha të Sirisë veriore, fryt i tre pushtimeve midis viteve 2016-2019.
Ky mund të jetë një opsion që Turqia e shqyrton, ndërsa vazhdon të shpaloset situata në Iran. Mediat ndërkombëtare, kanë përmendur një krizë të mundshme refugjatësh si një shkak të mjaftueshëm për aktivitetin ndërkufitar turk.
Kufiri i Turqisë me Iranin edhe pse me posta vëzhgimi ushtarake mund të jetë i tendosur nga zhvendosja masive e civilëve, madje duke pasur parasysh terrenin e largët dhe të rrezikshëm. Megjithatë, preteksti më i spikatur për operacione të mëdha ndërkufitare turke ose pushtim territorial në Iranin veriperëndimor është çështja e PJAK-ut.
Nëse liria e manovrimit të PJAK-ut, rritet me sulme të mëdha ndaj qeverisë së Iranit, Turqia mund të nisë operacione ndërkufitare. PJAK nuk është e përfshirë në procesin aktual të çarmatimit të PKK-së me qeverinë turke, gjë që mund të zbusë “temperaturën politike” me të cilën do të përballet Erdogan në vend duke ndërhyrë kundër kurdëve iranianë.
Po ashtu, Ankaraja ka synuar më parë elementë të PJAK-ut në Iran dhe gjetkë. Mediat kurde raportuan në shtator 2020, se artileria turke bombardoi pozicionet e dyshuara të PJAK-ut pranë kufirit Iran-Turqi. Në gusht 2022, një sulm turk me dronë vrau një oficer të lartë të PJAK-ut gjatë një vizite në Siri.
Media e pavarur turke përshkruan dy skenarë të mundshëm për veprimin ushtarak turk: një përpjekje në fazën e hershme për të krijuar strehimore kufitare për një krizë refugjatësh dhe më vonë ndërhyrje në Iran për të siguruar një zonë tampon nëse shteti iranian dështon. Ndërhyrja e Turqisë në Irakun Verior duke kombinuar sulmet ajrore të gjera me një rrjet postesh tokësore në një zonë malore, ku strehohen kryengritësit jep të dhëna se si mund të duket një zonë e tillë tampon në Iran.
Megjithatë, madhësia e aktivitetit të PJAK-ut ose e koalicionit kurd në një Iran në rënie do të ishte përcaktuesi përfundimtar i veprimeve. Erdogan ka një interes konkret në kufizimin e operacioneve ndërkufitare.
Zgjedhjet e ardhshme në Turqi janë më së shumti dy vjet larg dhe presidenti duket se është gati ta caktojë djalin e tij, Bilal Erdogan, për udhëheqjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).
Një vendosje e gjerë dhe e kushtueshme ushtarake, nuk është e favorshme për të ardhmen politike të partisë së tij dhe çdo ndërhyrje ushtarake ka shumë të ngjarë të balancohet me garantimin e vazhdimit të fitoreve elektorale brenda vendit./Përshtati "Pamfleti", nga “National Interest”
Lini një Përgjigje