
NATO ka reaguar ndaj incidentit ku një raketë iraniane dyshohet se u drejtua drejt Turqisë, duke dënuar veprimin dhe duke deklaruar mbështetjen për aleatin e saj.
Zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, theksoi se NATO qëndron në krah të vendeve anëtare dhe dënon sulmet që, sipas saj, Irani po kryen në rajon.
“Ne e dënojmë shënjestrimin e Turqisë nga Irani. NATO qëndron fort me të gjithë aleatët, përfshirë Turqinë, ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin”, tha zëdhënësja Allison Hart.
Ajo shtoi se aleanca mbetet në gatishmëri të plotë për të garantuar mbrojtjen e vendeve anëtare.
“Qëndrimi ynë i parandalimit dhe mbrojtjes mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore”, tha Hart.
Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s kanë rrëzuar një raketë balistike iraniane që ishte lëshuar në drejtim të hapësirës ajrore të Turqisë. Autoritetet turke kanë njoftuar se do të zhvillojnë konsultime me NATO-n dhe partnerët e tjerë lidhur me incidentin.
Ndërkohë, Ankaraja ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çdo kërcënimi ndaj territorit të saj.
“Çdo hap i ndërmarrë për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të jetë vendimtar dhe pa hezitim. Ju kujtojmë se rezervojmë të drejtën për t’iu përgjigjur çdo qëndrimi armiqësor ndaj vendit tonë”, thuhet në deklaratën e autoriteteve turke.
Lini një Përgjigje