
Gazeta izraelite Haaretz raporton se kryeministri Benjamin Netanyahu i ka dorëzuar Parlamentit për miratim një marrëveshje me Hamasin, që do të lironte 30 fëmijë dhe 20 gra, të cilat mbahen peng nga grupi terrorist.
Sipas tëpërditshmes izraelite, do të lirohen 10 pengje izraelite çdo ditë armëpushimi bazuar në marrëveshjen e mundshme midis Hamasit dhe shtetit hebre të ndërmjetësuar nga Katari. Kjo u raportua nga një burim politik izraelit për Haaretz, sipas të cilit Izraeli shpreson se numri i përgjithshëm i pengjeve të liruar mund të arrijë në 80.
Burimi konfirmoi se armëpushimi mund të zgjasë 4-5 ditë, gjatë së cilës trupat do të qëndrojnë në veri të Gazës. Marrëveshja - për të cilën bien dakord ushtria, Mossad dhe Shin Bet - ka të bëjë me pengjet e gjalla izraelite, ndërsa qytetarët e huaj duhet të lirohen në bazë të marrëveshjeve me vendet e tyre përkatëse.
Ndërkohë Bezalel Smotrich, udhëheqësi i së djathtës radikale të Sionizmit Fetar dhe Ministri i Financave i qeverisë Netanyahu, ka dalë kundër marrëveshjes. Ai shtoi se partia e tij do të mbetet “si një mur” për vazhdimin e luftës deri në shkatërrimin e plotë të Hamasit.
Por ky kundërshtim ka nxitur reagimin e izraelitëve të cilëve familjarët u janë marrë peng nga Hamasi.
“Kush guxon të votojë kundër një marrëveshjeje?”, kështu u shpreh Hadas Kalderon, i cili ka pesë anëtarë të familjes në mesin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, përfshirë fëmijët e tij, kundërshtoi qëndrimet e partive të ekstremit të djathtë që kundërshtojnë marrëveshjen e propozuar.
"Le t'i shpëtojmë ata që mundemi tani, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, nuk mund të presim, ata janë në rrezik. Pak nga pak do t'i sjellim të gjithë në shtëpi, duke luftuar derisa të kthehet i fundit, le të fillojmë me ata që nuk mund të rezistojnë", tha ai.
Lini një Përgjigje