
27 Janari është dita mbarëbotërore e paralajmërimit dhe e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Gjermania e përkujton këtë ditë që prej vitit 1996, ndërsa në Izrael përkujtimi ka nisur shumë më herët.
Në nëntor 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (Rezoluta 60/7) shpalli 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ajo deklaroi se "Holokausti, në të cilin u vranë një e treta e popullit hebre dhe anëtarë të panumërt të pakicave të tjera, do t`u shërbejë gjithmonë të gjithë njerëzve si paralajmërim nga rreziku i urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit". Gjermania dhe vende të tjera e kishin përcaktuar atë më parë si ditë përkujtimore.
Pse më 27 janar?

Më 27 janar 1945 forcat e armatosura sovjetike, Ushtria e Kuqe, çliruan kampin nazist të përqendrimit dhe të shfarosjes Aushvic-Birkenau. Ushtarët gjetën disa të mbijetuar, rrënoja të dhomave të gazit, të vdekur dhe hirin e të vrarëve. Vetëm në Aushvic u vranë rreth 1,1 milion njerëz. Shumica e tyre, rreth 90 për qind, ishin hebrenj dhe Aushvici ishte vetëm njëri nga vendet e shumta të internimit dhe vrasjeve masive nga Gjermania naziste në Evropë.
Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në 1945 humbën jetën më shumë se gjashtë milionë hebrenj, qindra mijëra sinti dhe romë, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë, njerëz që u përndoqën si homoseksualë, kriminelë apo "asocialë", punëtorë me detyrim, të burgosur lufte, dëshmitarë të Jehovait dhe të panumërt të tjerë. Terrori nazist drejtohej kundër tyre.
Parandalimi i gjenocideve në të ardhmen

27 janari është një detyrim për të gjitha vendet anëtare të OKB-së për të kujtuar burrat, gratë dhe fëmijët e përndjekur dhe të vrarë. Rezoluta 60/7 refuzon çdo formë të mohimit të Holokaustit. Ajo mbështet zhvillimin e programeve arsimore për kujtimin e Holokaustit dhe synon të ndihmojë në parandalimin e gjenocideve të ardhshme.
Duke u bazuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut rezoluta dënon të gjitha format e "mostolerancës fetare, nxitjes së urrejtjes, shtypjes ose dhunës kundër individëve apo komuniteteve për shkak të origjinës së tyre etnike apo besimit fetar" kudo në botë.
Termi Holokaust i përdorur ndërkombëtarisht rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë "krejtësisht i djegur". Në Izrael flitet për shoah "katastrofën".
Dita e Përkujtimit të Holokaustit në Gjermani

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores së aleatëve ndaj Gjermanisë së Hitlerit, u desh edhe një gjysmë shekulli: vetëm në vitin 1996 Presidenti i atëhershëm gjerman Roman Herzog shpalli 27 janarin ditë përkujtimore për viktimat e nacionalsocializmit. Që atëherë në këtë ditë në ndërtesat publike në Gjermani flamujt ulen në gjysmë shtizë. Shumë shkolla e trajtojnë këtë temë në mësim.
Që nga viti 1996 në ditën përkujtimore mbahet edhe një orë përkujtimore në parlamentin gjerman për viktimat e nazizmit. Ndërsa në vitet e para fjalimi përkujtimor mbahej kryesisht nga politikanë gjermanë, që nga ky vit në vendin e dorasve, para deputetëve të Bundestagut gjerman flasin për përvojën e tyre edhe shumë të mbijetuar të Holokaustit dhe politikanë nga vende të tjera: nga Izraeli, SHBA, Polonia, Franca, Spanja, Holanda, Çekia, Hungaria, Rusia apo Britania e Madhe. Ata kanë rrëfyer përvoja prekëse duke porositur: "Kurrë më! Kurrë më!" Në vitin 2022 këtë thirrje në sallën plenare e bëri edhe Kryetari i Parlamentit izraelit Mickey Levy.
Në vitin 2011 për herë të parë në Bundestagun gjerman foli një përfaqësuese e minoritetit sinti dhe rom. Ajo ishte Zoni Weisz. Në vitin 2017 folën për herë të parë dy të afërm të viktimave të së ashtuquajturës eutanazi, vrasja e planifikuar e njerëzve me sëmundje të rënda ose aftësi të kufizuara.
Në vitin 2023 fokusi i orës përkujtimore u vendos për herë të parë tek njerëzit, të cilët u përndoqën gjatë sundimit nazist për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor.
Në vitin 2024 në qendër të përkujtimeve ishte kujtesa ndër breza. Para Bundestagut foli Eva Szepesi, e cila u lirua nga Aushvici si fëmijë më 27 janar 1945.

Ndërkohë Eric Schwab, regjistroi tmerret e Holokaustit teksa shkonte nga një kamp shfarosjeje naziste në tjetrin në pranverën e vitit 1945 në kërkim të nënës së tij.
Schwab një fotograf me profesion, lindi në Hamburg nga një baba francez dhe një nënë gjermane hebreje, ishte një nga fotografët e parë që punoi për AFP pasi u rithemelua në gusht 1944 kur Parisi u çlirua.
Ai ndoqi trupat aleate teksa përparonin në Gjermani si korrespondent lufte, duke u bërë dëshmitar i tmerreve të zbuluara teksa hynin në kampet naziste të vdekjes.
Për Schwab ishte gjithashtu thellësisht personale, një kërkim për të gjetur nënën e tij Elsbeth, e cila u dëbua në 1943.

Në maj 1945, ai e zbuloi atë në Terezin (Theresienstadt).Ajo kishte arritur t'i shpëtonte vdekjes dhe po kujdesej për fëmijët e mbijetuar në kamp.Pas luftës, Schwab dhe nëna e tij u larguan nga Franca dhe u vendosën në Nju Jork në 1946.
Schwab vdiq në vitin 1977 në moshën 67-vjeçare.
Lini një Përgjigje