Komandanti i forcave tokësore franceze, tha se trupat e tij janë gati të nisen për në Ukrainë në çdo kohë, duke sugjeruar se 20.000 ushtarë mund të përgatiten brenda 30 ditëve...
Përpjekja e presidentit francez Emmanuel Macron për të dërguar trupa në Ukrainë, mund të jetë shkas për një efekt zinxhir, që do të sillte një prani zyrtare ushtarake të NATO-s në vendin e shkatërruar nga lufta. Kjo në një kohë kur Rusia vazhdon sulmet e rënda në vijën e parë të frontit dhe fushatën e bombardimeve nga ajri.
Udhëheqësi francez deklaroi në fund të shkurtit se “nuk mund të përjashtohet asnjë skenar”, në lidhje me vendosjen zyrtare të trupave të NATO në Ukrainë, edhe pse aleatët e tij amerikanë dhe gjermanë nxituan ta përjashtonin publikisht dhe në mënyrë të përsëritur këtë mundësi.
Por Macron e ka mbrojtur qasjen e tij, madje ka marrë mbështetje nga vendet anëtare të NATO-s të Evropës Lindore. Këtë javë, komandanti i forcave tokësore franceze, tha se trupat e tij janë gati të nisen për në Ukrainë në çdo kohë, duke sugjeruar se 20.000 ushtarë mund të përgatiten brenda 30 ditëve.
Parisi, theksoi gjenerali Pierre Schill, mund të komandojë edhe një forcë të kombinuar të trupave aleate prej 60.000 vetash. Macron po shfaqet javët e fundit, si një nga udhëheqësit më këmbëngulës të Evropës në mbështetje të Ukrainës, duke synuar të distancohet prerë nga përpjekjet e tij të dikurshme për të ruajtur apo edhe ripërtërirë kontaktet me Kremlinin.
Dhe kjo pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të presidentit Vladimir Putin për të prishur ekuilibrin e sigurisë së kontinentit. Nicolas Tenzer, një bashkëpunëtor i vjetër i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane dhe autor i librit “Luftërat tona”, thotë për Newsweek se Macron është “shumë i sinqertë” në ato që kanë thënë kohët e fundit.
“Presidenti mendon se qëndrimi i deritanishëm i Gjermanisë por edhe i SHBA ndaj luftës nuk mjafton, ndaj ne duhet të marrim në dorë ndryshimin e qasjes. Ai e ka bërë të qartë se në thelb se nuk mund të ketë më vija të kuqe. Për momentin, nuk ka absolutisht asnjë tabu”- thotë Tenzer.
Por siç ndodh me çdo aludim për përfshirjen më të thellë të NATO-s në luftën e Ukrainës, komentet e Macron e kanë trazuar Kremlinin. Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Sergey Naryshkin deklaroi këtë javë - pa dhënë asnjë provë - se Parisi po planifikon të dërgojë një kontigjent prej 2000 trupash në Ukrainë.
Ministria e Jashtme franceze, nxitoi të hedhë poshtë deklaratën e Naryshkin. “Në këtë mënyrë ata të do bëhen një objektiv legjitim dhe prioritar i sulmeve nga forcat e armatosura ruse. Kjo do të thotë se ata do të pësojë fatin e të gjithë francezëve që kanë ardhur ndonjëherë në botën ruse”- u shpreh Naryshkin.
Por Ivan Stupak, ish-oficer në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës (SBU), dhe aktualisht këshilltar i komitetit të sigurisë kombëtare, mbrojtjes dhe inteligjencës në parlamentit ukrainas, thotë për Newsweek se nuk pret vendosjen e trupave franceze në front.
“Unë jam i sigurt se edhe nëse vijnë, ushtarët francezë nuk do të marrin pjesë në operacione luftarake”- shpjegon ai. Përkundrazi, trupat franceze mund të dislokohen në zonat e tensionuara kufitare me Bjellorusinë, dhe në rajonin separatist moldav pro-Kremlinit, Transnistri.
“Ushtarët francezë, do të ishin shumë të dobishëm si roje kufitare. Sepse në këtë rast, mund të lirojnë një numër ushtarësh ukrainas nga vija kufitare për t’u dërguar në vijën e frontit, së bashku me shumë pajisje”- shton ai. Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, deklaroi para ligjvënësve në shkurt se trupat nuk do të dërgoheshin për të luftuar.
Përkundrazi, ata do t’i përgjigjen nevojave shumë specifike, veçanërisht për pastrimin e minave, mbrojtjen kibernetike, dhe prodhimin e armëve në territorin ukrainas. Stupak tha se trupat franceze të dislokuara në vend, mund të fitojnë një përvojë shumë të nevojshme.
“Tani për tani, ushtarët francezë nuk kanë përvojë ushtarake, pra një përvojë reale në luftën moderne. Nëse vijnë këtu, do të kenë përvojë me llogore të vërteta, me dronë të vërtetë që fluturojnë mbi kokat e tyre, me fusha të minuara vërtet me tela me gjemba etj”-thotë Stupak.
Një përvojë e tillë, mund të jetë shumë e dobishme për ushtarët francezë por edhe për ata ukrainas. Njësitë e riparimit të armëve, këshilltarët dhe stafi tjetër mbështetës logjistik, thotë Stupak, do të ishin të mirëseardhur. “Ne kemi shumë nevojë për specialistë në fusha të tilla”-nënvizon ai.
Por sipas tij, misionet e trajnimit të trupave do të ishin më pak të vlefshme. “E çfarë mund t’u mësonin ata ushtarëve ukrainas, që prej më shumë se 2 vjetësh po luftojnë në front ndaj rusëve?”- pyet Stupak. Dërgimi i trupave franceze apo nga ndonjë vend tjetër aleat i NATO-s përgjatë vijës së frontit, do të rrezikonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me forcat ruse.
Edhe në qytetet kyçe afër frontit si Kharkiv, Dnipro, Zaporizhzhia, Kherson dhe Odesa, rreziku i sulmeve nga artileria dhe raketat ruse është i vazhdueshëm. Dhe Stupak mendon se nuk ia vlen të hidhet ky hap i rrezikshëm. “Imagjinoni një numër ushtarësh francezë të vdekur. Atëherë çfarë ndodh më pas? A do të shpallë presidenti francez luftën kundër Rusisë? Jo. A do të aktivizojë aleanca Nenin 5? Jo. A do të dërgojë presidenti Macron një grup të ri ushtarësh francezë për të zëvendësuar ata që vdiqën? Jo.”- shton zyrtari ukrainas.
Gjithsesi, një dërgim i tillë i trupave franceze, mund të krijojë një precedent dhe ta bëjë më të lehtë për vendet e tjera që të ndjekin shembullin e Parisit. “Kjo mund të jetë dominoja e parë”- thotë Stupak. Po ashtu, çdo grupim ushtarak francez mund të shërbejë si mbulesë për oficerët e inteligjencës dhe njësitë e forcave speciale për të vepruar në terren, duke qenë më pak të rrezikuar.
“Për këtë nuk ka nevojë për disa qindra oficerë të inteligjencës. Disa dhjetëra janë më se të mjaftueshëm”- thekson zyrtari. Paqartësia strategjike e qëllimshme e Macron, i lë të hapura të gjitha opsionet, të paktën teorikisht. “Unë zgjedh të mos ju tregoj specifikat e asaj që Franca mund dhe do të bëjë. Përndryshe do të dobësoja efikasitetin e ndihmës dhe mbështetjes për Ukrainën”- tha presidenti Macron në një intervistë televizive në fillim të këtij muaji.
Tenzer tha se Parisi nuk ka gjasa të vazhdojë i vetëm në këtë rrugë. “Duhet të ketë 4, 5 apo 6 vende të tjera që kanë të njëjtin mision”- tha ai. Ndër kandidatët aktualë më të mundshëm do të ishin shtetet baltike, Polonia, Republika Çeke dhe ndoshta disa vende nordike.
Tenzer parashtron 5 opsione. I pari, siç e theksoi Sejourne, do të ishte angazhimi në role mbështetëse dhe këshilluese. I dyti do të ishte një mision zyrtar për të ndihmuar në përcaktimin e objektivave për raketat britaniko-francez Storm Shadoë/SCALP dhe për sigurimin e mirëmbajtjes së pajisjeve kryesore ushtarake, përfshirë avionët luftarakë perëndimorë që pritet të dërgohen brenda këtij viti në Ukrainë.
Opsioni i tretë do të ishte më i rrezikshmi. “Nëse nuk e futim dot menjëherë Ukrainën në NATO, atëherë mund të kemi NATO-n në Ukrainë”- thotë ai. Televizionet ruse janë të alarmuar nga planet e aleatit të NATO-s për Ukrainën:“Situata nuk është më qesharake. Nëse kemi disa trupa të NATO-s në Ukrainë, kjo do të jetë një mënyrë për të frenuar Rusinë. Sepse sigurisht, Rusia nuk do të rrezikonte të godiste trupat e NATO-s, pasi atëherë nga të gjitha vendet e atyre trupave mund të aktivizohej neni 5 i NATO-s, dhe kjo situatë do të jetë shumë e rrezikshme për Rusinë”.
“Sigurisht trupat franceze do të zbarkonin me mburojat e tyre kundër raketave. Dhe kjo do të jetë gjithashtu shumë e dobishme për popullin ukrainas”- thekson Tenzier. Sigurisht, një vendosje e tillë ka një rrezik të madh. Duke kujtuar përvojën e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Luftën e Bosnjës në vitet 1992-1995, Tenzer tha se Helmetat Blu, siç njihen trupat e OKB-së “u lanë pa asnjë mjet për t’u kundërpërgjigjur”.
Trupat franceze dhe të NATO-s, mund të vendosen me mision ndihmën e operacioneve sulmuese, edhe pa qenë në vijën e parë të frontit. Po ashtu, ato mund të përdorin “sistemet raketore të lëshuara nga toka, nga deti, ose nga ajri apo avionët luftarakë, pa asnjë angazhim në terren”- thotë Tenzer.
“Ne mund t’i ndihmojmë më shumë ukrainasit në luftimet në thellësi të frontit dhe për goditjen e forcave ruse”- shton ai. Opsioni i pestë dhe i fundit, për të cilin Tenzer tha se “për momentin sigurisht nuk është ajo që ka Macron në mendje, dhe sigurisht që nuk do të jetë e pranueshme tani për tani”, do të ishte përfshirja e drejtpërdrejtë në luftime kundër rusëve./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”
Lini një Përgjigje