Vullnetarët- luftëtarë janë një qasje më e drejtpërdrejtë, pra rrëmbimi i armëve kundër regjimit të Vladimir Putinit në rajonet Belgorod dhe Kursk, ka një efekt të dukshëm...
Me rizgjedhjen e Vladimir Putinit për një mandat të ri 6-vjeçar, është krijuar mundësia për të eksploruar mënyrat e ndryshme sesi opozita ruse mund të vazhdojë ta sfidojë atë. Yulia Navalnaya, e cila ka qenë zëri më i spikatur për opozitën politike ruse që nga vdekja e bashkëshortit të saj në mesin e muajit shkurt, u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj që të bashkohen në protestat kundër Putinit, duke krijuar radhë të gjata jashtë qendrave të votimit, pikërisht në mesditën e 17 marsit.
Më pas ata mund të votonin për cilindo kandidat që dëshironin përveç Putinit. Ose të bënin të pavlefshme fletën e votimit, dhe të shkruani në të emrin “Navalny“. Por rreshtimi i një turme të madhe njerëzish jashtë një qendre votimi, ngjan shumë mirë për dikë që quhet Putin dhe që dëshiron t’i tregojë botës një foto të bukur të asaj “mbështetjeje” të madhe që gëzon.
Këtë pikëpamje e ndanë edhe drejtues të tjerë në opozitës ruse, të cilët e vunë në dyshim qasjen e Navalnayas. Në të njëjtën ditë kur Navalnaya bëri thirrje për “Protestën e mesditës kundër Putinit”, liderë të tjerë të opozitës ruse u mblodhën në kryeqytetin ukrainas Kiev.
Në këtë takim merrte pjesë edhe Rostyslav Murzagulov, biznesmen dhe aktivist, Mark Feygin, një bloger i njohur rus në YouTube, Ilya Ponomarev, një ish-anëtar i Dumës ruse dhe Ivan Tuytrin, bashkëthemelues i platformës së Forumit Rusia e Lirë, që diskuton shpesh se si duhet të jetë një Rusi e ardhshme pas përmbysjes së regjimit të Putinit.
Të pranishëm në këtë takim, ishin gjithashtu edhe udhëheqës nga brigadat luftarake vullnetare anti-Putin - Legjioni i Lirisë së Rusisë (LSR), Korpusi Vullnetar Rus (RDK) dhe Batalioni Siberian - grupime që kanë rrëmbyer armët kundër Kremlinit, duke u bashkuar me Kievin.
Ministria ruse e Mbrojtjes, është detyruar të transferojë trupa nga vija e frontit për të mbrojtur rajonet kufitare Belgorod dhe Kursk pas operacioneve të grupeve vullnetare anti-Kremlin. Në një memorandum të nënshkruar në fund të takimit, pjesëmarrësit u bënë thirrje mbështetësve të tyre që të punojnë politikisht, financiarisht dhe më e rëndësishmja ushtarakisht për të rrëzuar regjimin e Putinit.
Ndërsa lëvizja e protestës kundër Putinit e Yulia Navalnaya, nuk solli asnjë rezultat të dukshëm, vullnetarët-luftëtarë një qasje më e drejtpërdrejtë, pra rrëmbimi i armëve drejtpërdrejt kundër regjimit të Putinit në rajonet Belgorod dhe Kursk, ka një efekt të dukshëm.
Luftëtarët anti- Kremlin thuhet se kanë fituar në disa nga përleshjet kundër trupave ruse, kanë kapur dhjetëra të burgosur, dhe tani po përpiqen të negociojnë tranzicionin e pushtetit me autoritetet lokale. Synimi i tyre përfundimtar është të hyjnë një ditë në Moskë.
Gjatë kësaj rezistence guerile, ata janë duke fituar gjithnjë e më shumë mbështetje popullore ruse dhe duke sjellë në anën e tyre ushtarë të Ushtrisë Ruse, të cilët nuk dëshirojnë më të jenë pjesë e strategjisë së Putinit që i përdor ata vetëm si “mish për top”.
“Nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç rrëzimit të regjimit të Putinit me mjete ushtarake”- tha ndër të tjera Ponomarev. Në marsin e vitit 2014, Ponomarev ishte i vetmi ligjvënës rus që u shpreh me votë kundër aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska. Për t’i shpëtuar fatit tragjik të shumë kritikëve të Putinit, ai u largua menjëherë nga vendi.
Tani ai dhe shokët e tij po marrin pjesë në organizimin e luftës guerile kundër Moskës, duke i ftuar rusët që t’i bashkohen radhëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës për të luftuar për një Rusi të lirë. Dhe bashkë me dëshirën për një Rusi demokratike, këta luftëtarë janë gjithashtu mbështetës të qëllimeve të Ukrainës: rivendosjen e kufijve të plotë të saj të vitit 1991, një traktat paqeje Rusi-Ukrainë, që do të përfshinte ngritjen një gjykate ndërkombëtare për kriminelët e luftës, si dhe dëmshpërblime financiare për viktimat e veprimeve gjenocidale të Rusisë në Ukrainë.
Fragmentimi i opozitës ruse, ka qenë tradicionalisht në favor të Kremlinit. Ky i fundit ka përdorur për dekada taktika “përça dhe sundo”, shpeshherë të shoqëruara me vrasjet brutale të udhëheqësve të opozitës. Për këtë arsye, ata që u mblodhën në Kiev kërkuan një bashkëpunim më të ngushtë me opozitën liberale të Rusisë, përfshirë atë të udhëhequr nga Mikhail Khodorkovsky, një manjat rus i biznesit dhe drejtuesit e Fondacioni Kundër Korrupsionit të Navalny (FBK).
Mbetet për t’u parë se sa i thellë apo se çfarë forme mund të marrë ky bashkëpunim, dhe si do të duket Rusia kur të përfundojë sundimi i terrorit të Putinit. Por Ukraina mund dhe duhet të jetë një vend mikpritës për këdo që dëshiron të luftojë kundër regjimit totalitar të Putinit, dhe për cilindo që e respekton pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje