
Liderët e BE-së pritej të kalonin të enjten duke hartuar mënyra për të nxitur ekonominë evropiane. Në vend të kësaj, ata u përballën me dy luftëra, një përçarje në thellim me partnerët transatlantikë dhe një bllokim lidhur me Ukrainën. Pas 12 orësh diskutimesh, disa përballjesh dhe shumë kafeve, kjo është përmbledhja e shpejtë e Politico mbi atë që u mësua në Këshillin Evropian:
1) Viktor Orban nuk është njeri që ndryshon lehtë qëndrim…
Pyetja kryesore para samitit ishte nëse kryeministri hungarez mund të bindet të heqë veton ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën. Ai nuk e bëri këtë.
Komisioni Evropian u përpoq ta qetësonte Orban-in duke dërguar ekspertë në Ukrainë për të inspektuar tubacionin e dëmtuar Druzhba, që furnizon Hungarinë dhe Sllovakinë me naftë ruse. Orban pretendon se Ukraina nuk po e trajton qëllimisht problemin dhe e lidhi këtë me bllokimin e fondeve.
I pyetur nëse kishte ndonjë shans për përparim, përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: “Jo.” Dymbëdhjetë orë më vonë, përgjigjja mbeti e njëjtë.
2) … Por i pëlqen të lëvizë.
Në një nga pamjet më domethënëse të samitit, Orban qëndroi jashtë sallës, ndërsa liderët e tjerë dëgjonin fjalimin virtual të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm, pasi Orbán refuzoi kredinë dhe Zelensky bëri deklarata të nënkuptuara kërcënuese, të cilat u kritikuan edhe nga Komisioni.
Përballë fjalimit, Orban zgjodhi të largohej fizikisht.
3) “I riu”, i kënaqur që është pjesë e familjes evropiane
Ky ishte samiti i parë për kryeministrin e ri të Holandës, Rob Jetten. Ai tha se mezi priste të bëhej pjesë e kësaj “familjeje”.
Pas takimit, ai vuri në dukje dallimet në stilin e të folurit mes liderëve dhe vlerësoi humorin e kryeministrit belg Bart De Wever, sidomos gjatë diskutimeve të gjata.
4) Jo të gjithë ishin kaq mirëkuptues
Qëndrimi i Orbán nuk u prit mirë. Kryeministri suedez tha se kritikat ndaj Hungarisë ishin “shumë, shumë të ashpra”, ndër më të fortat që kishte dëgjuar ndonjëherë. Jetten përshkroi atmosferën si “të ftohtë”, me heshtje të sikletshme.
5) BE-ja nuk heq dorë nga kredia.
Pavarësisht diskutimeve për një plan alternativ, liderët dhe drejtuesit e institucioneve evropiane këmbëngulën se kredia do të realizohet. “Do ta bëjmë në një mënyrë ose në një tjetër. Sot kemi forcuar vendosmërinë tonë,” tha Ursula von der Leyen. António Costa shtoi se “askush nuk mund të shantazhojë Këshillin Evropian apo Bashkimin Evropian.”
6) Kaja Kallas kërkon shmangien e përfshirjes së thellë
Shefja e diplomacisë së BE-së paralajmëroi për rreziqet e përfshirjes në konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Nisja e një lufte është si një histori dashurie, është e lehtë të hysh dhe e vështirë të dalësh,” tha ajo, sipas diplomatëve.
Ajo theksoi se nuk ka mbështetje për zgjerimin e misionit detar të BE-së në Detin e Kuq.
7) Marrëdhëniet me OKB-në mbeten pozitive…
Sekretari i Përgjithshëm António Guterres falënderoi BE-në për mbështetjen ndaj multilateralizmit dhe ligjit ndërkombëtar.
Në një intervistë për Politico, ai vlerësoi përmbajtjen e BE-së pavarësisht presionit nga Donald Trump për një rol më aktiv në konflikt.
8) …Por jo të gjithë janë dakord.
Një zyrtar i lartë i BE-së e cilësoi takimin me OKB-në si të panevojshëm, duke kritikuar mungesën e rolit të saj në krizat aktuale.
9) Selinoja rezulton shumë funksionale.
Gjatë drekës u servirën pjatë me perime pranverore dhe mish viçi me selino të përgatitur në tre mënyra të ndryshme, si dhe tartë me mandarina për ëmbëlsirë.
10) Greqia dhe Qipro kërkojnë më shumë seriozitet në mbrojtje.
Dy vendet kërkuan një plan konkret për zbatimin e klauzolës së mbrojtjes së përbashkët të BE-së (neni 42.7), në një kontekst rritjeje të tensioneve.
11) Komisioni beson se është më i përgatitur për migracionin.
Von der Leyen tha se BE duhet të jetë gati për flukse migratore nga konflikti në Iran, por theksoi se nuk do të përsëritet situata e vitit 2015.
12) Masa të përkohshme për energjinë.
Komisioni propozon masa “të përkohshme, të përshtatura dhe të targetuara” për të ulur ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë, duke adresuar katër faktorë kryesorë: kostot, tarifat e rrjetit, taksat dhe çmimin e karbonit.
13) Sistemi ETS mbetet në fuqi.
Liderët mbështetën vazhdimin e sistemit të tregtimit të emetimeve, me disa rregullime.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti atë një sukses 20-vjeçar dhe theksoi se nuk do të ketë ndryshime thelbësore.
14) Liderët duan të largohen shpejt nga samitet.
Megjithëse kishte rrezik që samiti të zgjaste më shumë, liderët arritën ta përmbyllin brenda një dite, duke shtyrë disa çështje për më vonë.
15) Përfundimi:
Samiti tregoi një BE të përballur me ndarje të brendshme dhe sfida të jashtme, por që ruan vendosmërinë për të vepruar në mënyrë të përbashkët.
Lini një Përgjigje