TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Mars 2026, 10:06

SHBA godet hakerat e Iranit, FBI sekuestron faqet që grabitën dokumentet nga Shqipëria; 10 mln $ shpërblim për identifikimin e autorëve

Shkruar nga Pamfleti
SHBA godet hakerat e Iranit, FBI sekuestron faqet që grabitën
SHBA operacioni kibernetik kundër Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti që dyshohet se përdoreshin për sulme dhe operacione të ndikimit psikologjik.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, domenet e bllokuara,  Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to, ishin të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit. Autoritetet theksojnë se këto platforma shfrytëzoheshin për sulme kibernetike, publikim të të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit në Teheran.

Në njoftimin zyrtar, zyrtarë amerikanë theksuan se përhapja e përmbajtjeve me karakter ekstremist në hapësirën digjitale përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa u zotuan për bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët.

Hetimet e FBI-së kanë zbuluar se aktiviteti i këtij rrjeti shkonte përtej publikimeve online. Një adresë e lidhur me grupin dyshohet se ka dërguar kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve dhe disidentëve iranianë në SHBA dhe vende të tjera. Në disa raste, autorët pretendonin lidhje me grupe kriminale, duke ofruar shpërblime të mëdha financiare për eliminimin e objektivave të tyre.

Shqipëria në fokus të sulmeve

Shqipëria përmendet drejtpërdrejt në këtë operacion, pasi sipas autoriteteve amerikane, dy prej faqeve të sekuestruara janë përdorur për publikimin e materialeve të vjedhura nga institucionet shtetërore shqiptare.

Sulmet ndaj Shqipërisë lidhen me qëndrimin e saj ndaj opozitës iraniane, konkretisht praninë në territorin shqiptar të grupit Mujahedeen e-Khalq (MEK), i cili kundërshton regjimin iranian.

Në të njëjtën kohë, zhvillimet vijnë pasi Shqipëria e ka shpallur Iranin si “shtet sponsor të terrorizmit”, duke rritur më tej tensionet mes dy vendeve.

FBI njofton se hetimet vijojnë, ndërsa paralajmëron se të gjithë personat e përfshirë në këto aktivitete do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që ndihmojnë në identifikimin e autorëve të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike.

Ministri i vrarë përgjegjës për sulmet kibernetiek në vendin tonë

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se ministri i Inteligjencës së Iranit, Esmail Khatib është vrarë.

Vrasja e Esmail Khatib pason vrasjen e zyrtarit të lartë të sigurisë iraniane Ali Larijani dhe kreut të forcës paramilitare Basij të Gardës Revolucionare.

Thesari i SHBA-ve, i cili e sanksionoi Khatib-in në vitin 2022 për shkak se Ministria e Inteligjencës “merrej me aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”, e kishte regjistruar vitin e lindjes së tij si 1960 ose 1961.

Khatib thuhet se ka lindur në Ghayenat, në provincën Khorasan Jugor të Iranit.

Sipas Thesarit, ministri iranian Khatib “drejtonte disa rrjete aktorësh kërcënimesh kibernetike të përfshirë në spiunazh kibernetik dhe sulme ransomware (një program keqdashës malware që enkripton të dhënat e një viktime ose bllokon kompjuterin e saj, duke kërkuar pagesë zakonisht në kriptomonedhë, për të rivendosur aksesin) në mbështetje të objektivave politike të Iranit”.

“Përveç aktiviteteve kibernetike të dëmshme që prekën faqet e internetit të qeverisë shqiptare, aktorët kibernetikë të Ministrisë së Inteligjencës ishin gjithashtu përgjegjës për publikimin e dokumenteve që pretendohej se ishin nga qeveria shqiptare dhe informacione personale të lidhura me banorë shqiptarë,” tha Thesari i SHBA-ve.

Ky institucion e cilësoi Ministrinë e Inteligjencës si “një nga shërbimet kryesore të sigurisë së qeverisë iraniane, përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

“Nën drejtimin e tij, Ministria e Inteligjencës ka shtypur një numër të madh mbrojtësish të të drejtave të njeriut, aktivistë për të drejtat e grave, gazetarë, kineastë dhe anëtarë të grupeve fetare minoritare,” tha Thesari duke shtuar se ministri gjithashtu ka ndjekur agresivisht individë që raportojnë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran, si dhe familjet e tyre, dhe ka torturuar të ndaluar në qendra sekrete paraburgimi gjatë mandatit të tij.

Lini një Përgjigje