Dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një sulmi me armë zjarri që ndodhi të enjten në mbrëmje në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Jugut, raportojnë mediat ndërkombëtare, duke cituar njoftimin zyrtar të universitetit dhe autoritetet lokale.
Sipas administratës së universitetit, rreth orës 21:15 të së enjtes, me orën lokale u raportuan të shtëna në një dhomë të konviktit Hugine Suites. Pas sinjalizimit, policia ndërhyri në kampus dhe universiteti vendosi orë policore, e cila qëndroi në fuqi për disa orë, deri në stabilizimin e situatës.
Zyrtarët nuk kanë konfirmuar ende identitetin e viktimave dhe as gjendjen shëndetësore të personit të plagosur. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi motivin e sulmit dhe nuk kanë sqaruar nëse autori i dyshuar është arrestuar apo mbetet në kërkim. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Universiteti Shtetëror i Karolinës së Jugut është një institucion publik që frekuentohet kryesisht nga studentë afrikano-amerikanë. Ngjarja ka rikthyer diskutimin mbi sigurinë në kampuset universitare në Shtetet e Bashkuara, një çështje që mediat amerikane e trajtojnë prej vitesh në kontekstin e incidenteve me armë zjarri.
Sulmi në Karolinën e Jugut ndodh vetëm pak ditë pas një ngjarjeje të rëndë në Kanada, ku disa persona humbën jetën në një sulm që dyshohet se u krye nga një person i identifikuar si transgjinor. Autoritetet kanadeze kanë deklaruar se po hetojnë motivet e ngjarjes dhe rrethanat e radikalizimit të mundshëm, por deri tani nuk kanë publikuar përfundime zyrtare.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, autoritetet në SHBA dhe Kanada nuk kanë vendosur asnjë lidhje mes dy rasteve dhe i trajtojnë ato si incidente të ndara. Megjithatë, episodet e fundit kanë shtuar vëmendjen publike mbi sigurinë në hapësirat arsimore dhe mbi sfidat që lidhen me parandalimin e dhunës së armatosur.
Hetimet për ngjarjen në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Jugut vijojnë.
Lini një Përgjigje