Sipas analizës së POLITICO, këto rezultate vendosin udhëheqësit e NATO-s përballë një sfide të dyfishtë: rritjes së pasigurisë ndërkombëtare dhe kufizimeve buxhetore të brendshme. Çështja pritet të jetë në qendër të diskutimeve në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku liderë nga mbarë bota do të shqyrtojnë mënyrat për forcimin e sigurisë kolektive në një klimë globale gjithnjë e më të tensionuar.
Shumica e qytetarëve në vendet kryesore perëndimore besojnë se bota po bëhet më e rrezikshme dhe se një konflikt i ri global mund të shpërthejë brenda pesë viteve të ardhshme.
Ky është përfundimi i një sondazhi të publikuar nga POLITICO, i cili evidenton rritjen e shqetësimit publik për sigurinë ndërkombëtare dhe koston e një epoke të re konfliktesh.
Sondazhi përfshiu mbi 2.000 votues në secilin prej pesë vendeve SHBA, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani dhe u zhvillua nga 6 deri më 9 shkurt. Në të gjitha vendet, shumica e të anketuarve deklaruan se situata globale është përkeqësuar.
Në SHBA, Kanada, Francë dhe Britani të Madhe, shumica e konsiderojnë të mundshme shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore brenda pesë viteve. Vetëm në Gjermani, shumica mendon se një konflikt i tillë nuk është i mundshëm në këtë periudhë.
Sipas Seb Wride, drejtues i sondazheve në kompaninë Public First, e cila realizoi matjet, ndryshimi i qëndrimeve brenda një viti pasqyron një perceptim të ri të pasigurisë. Ai thekson se opinioni publik në Perëndim e sheh luftën si më të mundshme dhe aleancat si më pak të qëndrueshme.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 43 për qind e të anketuarve besojnë se një luftë e re botërore është “e mundshme” ose “shumë e mundshme” deri në vitin 2031, nga 30 për qind në mars 2025. Në SHBA, 46 për qind ndajnë të njëjtin mendim, krahasuar me 38 për qind një vit më parë.
Të anketuarit amerikanë rezultojnë më të prirur të mendojnë se vendi i tyre do të përfshihet në luftë brenda pesë viteve të ardhshme, të ndjekur nga britanikët dhe francezët. Të paktën një në tre qytetarë në SHBA, Britani, Francë dhe Kanada beson se ekziston mundësia që një armë bërthamore të përdoret në një konflikt gjatë kësaj periudhe.
Sa i përket perceptimit të kërcënimeve, shumica e të anketuarve në Evropë e konsiderojnë Rusinë si rrezikun kryesor për paqen në kontinent. Në Francë, Gjermani dhe Britani, SHBA renditet si kërcënimi i dytë më i madh, më shpesh se Kina. Në Kanada, të anketuarit e shohin Amerikën e presidentit Donald Trump si rrezikun kryesor për sigurinë.
Megjithatë, sondazhi tregon se shqetësimi për luftën nuk përkthehet automatikisht në mbështetje për shpenzime më të larta ushtarake. Në Francë, Gjermani, Britani dhe Kanada, shumica deklaron se vendi i tyre duhet të rrisë buxhetin e mbrojtjes, me mbështetjen më të fortë në Britani dhe Kanada.
Por mbështetja bie ndjeshëm kur qytetarëve u kërkohet të marrin në konsideratë mënyrën e financimit përmes rritjes së borxhit publik, shkurtimeve në sektorë të tjerë ose rritjes së taksave. Në Francë, vetëm 28 për qind mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen kur përmenden këto alternativa, nga 40 për qind një vit më parë. Në Gjermani, mbështetja ka rënë nga 37 për qind në 24 për qind.
Në Gjermani, shpenzimet për mbrojtjen renditen ndër prioritetet më pak të preferuara buxhetore, përpara vetëm ndihmës për jashtë.
Sondazhi evidenton gjithashtu skepticizëm ndaj idesë për krijimin e një ushtrie të përhershme të Bashkimit Evropian nën një komandë të vetme qendrore. Propozimi gjeti mbështetje nga 22 për qind e të anketuarve në Gjermani dhe 17 për qind në Francë.
Ndërkohë, shërbimi i detyrueshëm ushtarak gëzon mbështetje më të lartë në Gjermani dhe Francë, ku rreth gjysma e qytetarëve e përkrahin këtë masë.
Sipas analizës së POLITICO, këto rezultate vendosin udhëheqësit e NATO-s përballë një sfide të dyfishtë: rritjes së pasigurisë ndërkombëtare dhe kufizimeve buxhetore të brendshme. Çështja pritet të jetë në qendër të diskutimeve në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku liderë nga mbarë bota do të shqyrtojnë mënyrat për forcimin e sigurisë kolektive në një klimë globale gjithnjë e më të tensionuar.
E tere kjo loje eshte qe corporatat e prodhimit te armatimit te bejne para qe tu shitet malli, kaq.