Dy agjenci marketingu dhe biznesmeni Ylli Ujka, mbështetës i Partisë Socialiste, i cili mori një leje ndërtimi për tre kulla në zemër të Tiranës, janë fijet lidhëse pas një fushate reklamash online dhe ‘Turit të Diasporës’ të Partisë Socialiste.

Në një pasdite të ftohtë janari, Aldo, një emigrant shqiptar 37-vjeçar me banim në Itali, po shfletonte Instagramin kur një reklamë në shqip i tërhoqi vëmendjen. Me një gjuhë emocionale dhe të ashtuquajtur “patriotike”, reklama i drejtohej shqiptarëve të diasporës, duke i ftuar të regjistroheshin për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Shqipërisë.
Por, pas kësaj nisme, që në pamje të parë dukej si një “ndihmë” për emigrantët, fshihej një fushatë e mirëorganizuar propagandistike, e mbështetur nga struktura të lidhura ngushtë me Partinë Socialiste dhe biznesmenë që përfitojnë nga vendimet e qeverisë.
Platforma që pretendonte të ndihmonte emigrantët shqiptarë të regjistroheshin për të votuar, u shfaq përmes disa faqeve në Facebook dhe Instagram, si “Diaspora Fier” dhe “Comunità Albanese in Italia”. Këto faqe shënjestronin shqiptarët e diasporës me reklama, duke u kërkuar të dhëna personale si emri, numri i telefonit, email-i dhe vendbanimi në Shqipëri.
Aldo fillimisht mendoi se ishte një nismë e ligjshme, por mungesa e transparencës dhe kërkesa për informacion personal e bëri të dyshonte. Kush fshihej pas këtyre faqeve? Pse mungonin detajet për organizatorët? Dhe mbi të gjitha, përse duhej të dhuronte informacionin e tij personal për të votuar?
Sipas të dhënave të Meta (kompania mëmë e Facebook dhe Instagram), që nga fillimi i janarit, mijëra reklama të ngjashme u drejtuan specifikisht ndaj emigrantëve shqiptarë në Itali. Në sfondin e kësaj fushate gjendeshin dy kompani marketingu, ‘Cambria Marketing Srl’ dhe ‘1001 Solutions’, të lidhura direkt me biznesmenin Ylli Ujka, një mbështetës i hapur i kryeministrit Edi Rama dhe organizator i tubimeve elektorale të Partisë Socialiste në Itali.
Më 26 maj 2024, në Busto Arsizio, Itali, një tubim madhështor u organizua nga Ujka për Partinë Socialiste. Në një sallë të mbushur me emigrantë shqiptarë, ku performuan këngëtarë të njohur si Elvana Gjata dhe Noizy, Rama mbajti një fjalim elektoral të mbështetur me brohoritje “Edi, Edi!”.
Kjo ngjarje nuk ishte një takim i zakonshëm me diasporën. Ishte një lëvizje e mirëmenduar politike për të orientuar votën e emigrantëve drejt Partisë Socialiste, duke përdorur emocione kombëtare dhe propagandë të maskuar si “ndihmë” për regjistrimin e votës.
Dy muaj pas këtij tubimi, më 31 korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga vetë Edi Rama, miratoi një leje ndërtimi për kompaninë ‘X One’, e Ylli Ujkës. Projekti përfshin ndërtimin e tre kullave dhe një hoteli luksoz në qendër të Tiranës.
Në dukje një koincidencë, por në realitet një model tashmë i njohur: ata që financojnë fushatat elektorale të Partisë Socialiste përfitojnë më vonë nga projekte fitimprurëse të qeverisë.
Zgjedhjet e 11 majit shënojnë për herë të parë mundësinë që emigrantët shqiptarë të votojnë nga jashtë. Megjithatë, ky proces i rëndësishëm është përdorur si një mjet manipulimi, në vend që të garantojë pjesëmarrjen e ndershme të diasporës.
Nëse qeveria shqiptare do të donte sinqerisht të ndihmonte emigrantët të votojnë, do të kishte ngritur një sistem të besueshëm dhe transparent, jo një rrjet të errët faqeve anonime në Facebook, të menaxhuara nga kompani të lidhura me pushtetin.
Ky skandal ngre një pyetje të rëndësishme: a është vërtet vota e emigrantëve një hap përpara për demokracinë shqiptare, apo një tjetër vegël në duart e pushtetit për të siguruar zgjedhjet e radhës?
Investigimi i plotë i BIRN:
Qiellgërvishtës dhe reklama: Fushata e fshehtë në Facebook për votën e Diasporës
Lini një Përgjigje