TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia18 Mars 2026, 12:45

Republika e Baks-Rrjollit: Aty ku policia të rreh për llogari të Bashkim Ulajt dhe drejtësia hesht!

Shkruar nga Pamfleti
Republika e Baks-Rrjollit: Aty ku policia të rreh për llogari të
Baks- Rrjollë, Velipoja /

150 hektarë tokë në qendër të konfliktit, banorët në rrugë, kallëzimet në prokurori e gjykata; KLP dhe KLGJ ftohen të ndërhyjnë para se të derdhet gjak...

Prej 1 muaji e gjysmë, forca të shumta të Policisë së Shtetit janë vendosur në Baks-Rrjoll dhe po dhunojnë fizikisht e po arrestojnë banorët që protestojnë për të mbrojtur tokat që i pretendojnë si pronësi të tyre, në të cilat Bashkim Ulaj ka filluar të ndërtojë një resort.

Përballë këtij konflikti fizik masiv po qëndrojnë të heshtur Prokuroria dhe Gjykata e Shkodrës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe SPAK, duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se janë bërë palë me policinë dhe Bashkim Ulajn kundër banorëve.

Kompania "Gener 2" disponon dokumente kadastrale për 150 hektarë tokë, të blerë nga shtetasi Fatmir Shpellzaj, ndërsa banorët e Baks-Rrjollit pretendojnë se toka është e tyre dhe u është grabitur me dokumente zyrtare false.

Ata kanë bërë kallëzim në SPAK për dokumentet false, për bllokim punimesh të kompanisë "Gener 2" dhe largimin e forcave policore nga zona, deri në zgjidhjen gjyqësore të konfliktit.

Shefat e SPAK-ut kanë deklaruar mungesën e kompetencës, duke ia kaluar çështjen për hetim Prokurorisë së Shkodrës, kur kallëzimi që kanë bërë banorët ka si akuzë veprat penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve zyrtare e kadastrale në bashkëpunim dhe përfitim të paligjshëm të pasurisë.

Prokuroria e Shkodrës, përveç dosjes që i ka dërguar SPAK-u si kompetencë lëndore, ka disa kallëzime penale që kanë bërë banorët e Baks-Rrjollit me të njëjtat akuza.

Por nuk zbatohet Kodi i Procedurës Penale, duke mos bllokuar punimet e kompanisë "Gener 2" deri në përfundim të hetimit e shpalljes së vendimit të formës së prerë; madje mosveprim ka edhe nga Gjykata e Shkodrës, që nuk bën sigurimin e padisë deri në gjykimin e çështjes.

Përballë mosveprimeve të Prokurorisë e Gjykatës së Shkodrës dhe SPAK-ut, që po tregojnë dukshëm anësi në favor të Bashkim Ulaj, duhet të veprojnë Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organe eprore, sepse nuk janë vetëm për emërime.

E kanë detyrim ligjor të kërkojnë shpjegime nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkodrës e nga SPAK-u, pse nuk zbatohen detyrimet sipas Kodit të Procedurës Penale për hetimin dhe gjykimin e çështjes "Rrjolli", sipas pretendimeve në kallëzimet dhe aktpaditë gjyqësore që kanë bërë banorët.

Konflikti fizik masiv prej një muaji e gjysmë detyron KLP-në dhe KLGJ-në të ndërhyjnë për të detyruar strukturat e drejtësisë të zbatojnë ligjin penal, për sigurimin e padisë, hetimin dhe gjykimin e përshpejtuar, sepse në Baks-Rrjoll është krijuar një situatë e rrezikshme.

Po acarohet dhe zgjerohet konflikti fizik mes banorëve, Policisë së Shtetit që ka dërguar kryeministri Edi Rama dhe forcave të sigurisë private, punonjësve e kriminelëve që ka sjellë Bashkim Ulaj.

Nëse letrat me të cilat Bashkim Ulaj e ka blerë tokën janë të ligjshme, le ta gëzojë tokën dhe të ndërtojë kështjella; e njëjta gjë edhe për banorët, nëse toka është e tyre. Veçse pronësinë nuk e ndan përleshja fizike e palëve, por gjykata dhe duhet pritur vendimi i saj.

Fakti që kompania "Gener 2" po kryen punime nën mbrojtjen e forcave policore me dajak kundër banorëve, nuk është barazi ligjore, sidomos pozicioni i policisë në mbështetje të oligarkut Bashkim Ulaj, që është palë në konflikt.

Është heshtje dhe anësi që duhet të marrë fund me vendim paraprak të prokurorisë e gjykatës, për të larguar nga tokat firmën ndërtuese dhe banorët, deri në përfundim të gjykimit, i cili, në këtë rast problematik, duhet të jetë i përshpejtuar./Pamfleti

 

baks rrjoll velipoja bashkim ulaj

2 Komente

  1. T
    Tafili nga Dibra.

    Bashkim Ulajn do ta dënojë zoti ashpër fort,madje atje ku i dhem më shumë,për atë dhunë që po përdor ndaj komunitetit të Rrjollit.

    1. N
      Noc rroku

      Me kë lufton ky Popull ???

      Lini një Përgjigje