
Qeveria shpall fondin 10 milionë euro si “program strehimi”, por në realitet po mbulon me propagandë 1253 riparime banesash ekzistuese në 32 bashki, pa ndërtuar asnjë apartament të ri për mijëra familje pa çati. Premtimi i Ramës për strehim të pastrehëve mbetet një tjetër mashtrim 12-vjeçar...
Mëngjesin e 23 qershorit, kryeministri Edi Rama dha me bujë “sihariqin” e radhës: miratimin e një fondi 10 milionë euro për strehim social. Në të njëjtën linjë, ministri Blendi Gonxhe, të cilit i është besuar administrimi i programit të strehimit, e prezantoi këtë si një hap të madh për familjet në nevojë. Por e vërteta është se bëhet fjalë për një tjetër mashtrim publik.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nuk bëhet fjalë për ndërtim banesash të reja për familje të pastreha apo përdorim të fondit 3% të detyrueshëm që ndërtuesit e kullave dhe pallateve duhet t’ia japin qeverisë apo Entit Kombëtar të Banesave. Në fakt, këto janë fonde nga buxheti i shtetit, të dedikuara vetëm për riparimin e banesave ekzistuese të 1253 familjeve të varfra në 32 bashki, të përzgjedhura me filtër politik nga Rama dhe Gonxhe.
Për më tepër, në këtë proces nuk do të shtohet asnjë banesë për strehimin e familjeve të reja apo të pastreha. Ndërkohë, qeveria nuk jep asnjë sqarim për 3%-shin e banesave që ndërtuesit i japin “falas”. Askush nuk di ku kanë përfunduar këto apartamente.
Blendi Gonxhe në komunikimin zyrtar e quan këtë “strehim social”, por në realitet, nuk është gjë tjetër veçse një program rikonstruksioni i shtëpive ekzistuese, riparime që nuk zgjidhin problemin e mijëra familjeve pa strehë. Me pagat aktuale dhe çmimet e apartamenteve në treg, një familjeje i duhen të paktën 60 vite punë për të blerë një apartament të zakonshëm.

Për më tepër, ky program i propaganduar si sukses, nuk përfshin të gjitha bashkitë. Edhe pse kërkesat janë bërë nga të gjitha njësitë vendore që në dhjetor 2024, janë përzgjedhur vetëm 32 bashki, dhe vetëm për banesat që tashmë ekzistojnë.
Ja disa prej shifrave sipas listës zyrtare:
Maliq: 39 banesa
Delvinë: 12 banesa
Pustec: 14 banesa
Përmet: 22 banesa
Tiranë: 4 banesa
Kamzë: 42 banesa
Devoll: 104 banesa
Durrës: 14 banesa
Korçë: 30 banesa
Mat: 53 banesa
Tropojë: 11 banesa
... dhe kështu me radhë në bashkitë e tjera.
Për më tepër, mashtrimi arrin kulmin kur “strehim social” quhen edhe ndërhyrjet në rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve për 157 shtëpi në legalizim në Shkodër, 102 banesa në Vau Dejës dhe 98 në Gjirokastër. Pra, në vend të ndërtohen shtëpi për të pastrehët, qeveria reklamon si sukses vendosjen e një tubi uji.
Kjo është fytyra reale e propagandës së strehimit të Edi Ramës dhe Blendi Gonxhes: shumë zhurmë për riparime kozmetike, ndërsa problemet e vërteta të banimit për shtresat në nevojë mbeten pa zgjidhje. Premtimi për strehim universal, i bërë që në vitin 2013, tashmë është kthyer në një tjetër fasadë propagandistike, që vetëm sa thellon zhgënjimin e qytetarëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje