Tenderin e parë, sekretarja e Përgjithshme e anuloi dhe pas 4 muajsh e shpalli përsëri duke i shtuar 490 milionë lekë, pastaj e dha me 100% të fondit limit dhe çmim më të lartë se tregu i pakicës, përllogaritur që firma të ketë normë fitimi më të lartë, siç duket për të kompensuar “dardhat” që ka ngrënë “ustallesha” Prodani...
Nëse shefat e SPAK do kenë kohë e dëshirë, duhet të merren me procedurat e prokurimit dhe të dhënat financiare, të një tenderi që Geraldina Prodani, Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Mbrojtjes, ka bërë ditët e fundit, për blerje karburanti helikopterësh, duke përdorur një pikën e shitjes “Nardi Petrol” në Memaliaj, maskuar pas licencës “Shoqëri Anonime”.
Më 24 Prill 2023, Geraldina shpalli tenderin me vlerë fondi limit 2.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH, dhe e po kaq paracaktoi ofertë-kontratën e pritshme, me objekt “Blerje karburant “JET-A1” për mjetet ajrore të ushtrisë, tender që do zhvillohej më 22 maj 2023.
Por më 13 qershor 2023, autoriteti njoftoi se tenderi ishte anuluar, mbasi Geraldina, kishte konstatuar se komisioni i ministrisë kishte bërë “gabime të rëndësishme teknike”; dhe tenderi u vendos të zhvillohej më 14 gusht 2023.
Në fakt, në kriteret dhe specifikimet e tenderit të rishpallur, nuk ka asnjë ndryshim nga tenderi i anuluar, përveç vlerës së fondit limit, i cili u shtua me 490 milionë lekë të vjetra, megjithëse sasia dhe lloji i karburantit të blerë janë të njëjta.

Këtë marifet, Geraldina Prodani e realizoi me firmën “Nardi Petrol”, pikë shitje modeste në Memaliaj; të cilës, komisioni i ka pranuar dokumente tatimore e doganore false, sikur është kompani e madhe karburantesh, lider në Shqipëri, kur ajo ka vetëm 6 punëtorë, 2 nga të cilët pronarët Leonard e Valbona Micka, një ekonomist, 3 menaxherë e asnjë shitës të deklaruar.
Ndërsa ligji i prokurimit, përcakton që në tenderët me kontrata mbi kufirin e lartë monetar dhe me afat kohor mbi 2 vite, fituese duhet të shpallen ato firma që kanë mbi 150 të punësuar, kapital sa 200% të vlerës së kontratës, flotë mjetesh autobote dhe staf inxhiniero-teknik të punësuar.
Ndërsa subjekti “Nardi Petrol” ka kapital sa 1% e tenderit e nuk plotëson asnjë kriter tjetër, por Geraldina i dha tenderin 3.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH; po nuk është rastësi, as fakti që gjatë kohës që Geraldina është te Mbrojtja, ka blerë nga firma “Nardi Petrol” edhe 650 milionë lekë karburante të tjera.

Jemi të sigurtë, që Geraldina nuk reagon, sepse e di që edhe në këtë tender 3.3 miliardë lekë, ka përdorur marifetet që thamë, duke “ngrënë dardha” pas shpinës së Bablokut.
Por nëse pronar Leonard Micka i “Nardi Petrol” e quan shpifje, do ta sqarojmë me fakte të tjera në vijim, që nga lidhjet me grupin e Lazaratit e grupin “Çili”; pikat ilegale të shitjes; bazat ku i merr ngarkesat e karburanteve dhe çfarë letrash përdorë këtej e matanë kufirit jugor, bilancet tatimore, numrin e të punësuarve etj. etj./Pamfleti
Lini një Përgjigje