Ekremit nga Peja, i jepet leje e toka për investim 70 milionë Euro pa burim legal e ligjor, për shkak të lidhjeve në ortakëri, interesa e punë të pista me oligarkë, qarqe mafioze, politikanë shqiptarë e sekserë të tyre në Kosovë dhe Serbi...
Kryeministri Edi Rama, ka nisur zbatimin e zgjatjes së afatit të ligjit për investimet strategjike, me biznesmenin kosovar Ekrem Lluka nga Peja, pronar i kompanisë “Dukagjin Group Sh.p.k”, i cili është ortak dhe te birra “Peja” me kompaninë “Devolli”.
Me Vendim Nr. 71, datë 29 janar 2025 të qeverisë, të propozuar nga Ministrja e Turizëm-Mjedisit, Mirela Kumbaro, është hequr nga fondi pyjor shtetëror dhe është regjistruar truall, sipërfaqja 3 hektarë në malin e Rencit- Shëngjin, sepse do përdoret për biznes nga kompania private “Dukagjini Group Sh.p.k” me pronar qytetarin e Pejës, Ekrem Lluka.

Në vendimin e qeverisë, thuhet se kjo kompani do ndërtojë objekte me apartamente banimi dhe njësi tregtare me 6 kate mbi tokë e 1 kat nëntokë; hotele me “5 Yje” në lartësi 7 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë me pishina, kazino e hapësira argëtimi.
Në vendimin e qeverisë, zbulohet fakti, që biznesmenit nga Peja, Ekrem Lluka, leja e ndërtimit për resortin në Renc të Shëngjinit, i është miratuar qysh në datën 1 mars 2023 me Vendim Nr. 25 të Këshillit Kombëtar të Territorit, firmosur nga kryetari Edi Rama.
Ndërsa me Vendim Nr. 7, datë 7 maj 2024 të Komitetit të Investimeve Strategjike, Babloku si kryetar, i ka dhënë statusin “Investitor Strategjik me Procedurë të Veçantë” për resort me pallate, hotele, pishina e kazino në parkun pyjor mbi Shëngjin, kompanisë kosovare “Dukagjini Group” si ndërtuese dhe investitore e vetme.

Në vendimin e qeverisë të datës 29 janar 2025, thuhet se ky resort do ndërtohet në sipërfaqe 3 hektarë tokë shtetërore; ndërsa në Vendimin Nr. 7, datë 7 maj 2024 të Komitetit të Investimeve Strategjike, thuhet se sipërfaqja e projektit të investimit është 5.9 hektarë pronë private.
Faktikisht, sipërfaqja pyjore është 5.9 hektarë investim pronë shteti në administrim nga Ministria e Turizëm-Mjedisit e në përdorim nga Bashkia e Lezhës, por i është dhënë shtetasit nga Peja, Ekrem Lluka, për të ndërtuar resort.
Në këtë vend, ai ka marrë dhe sipërfaqe të tjera private, që u janë grabitur pronarëve të ligjshëm me letra false, nga “të fortët” dhe zyrtarët e Lezhës, në bashkëpunim me shefat e qeverisë, Bashkisë, Prefekturës, Kadastrës, Policisë e Drejtësisë.
Vlera e investimit është 70 milionë Euro, për të cilat, nuk ka asnjë të dhënë se nga çfarë burimesh do sigurohen, kur kompania “Dukagjini Group” e krijuar më 3 shkurt 2022 me 12 mijë Euro, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë cent kapital të deklaruar, ndërsa në 3 vite aktivitet ka dalë me humbje.
Por Babloku, nuk do t’ia di se ku do t’i gjejë 70 milionë Euro Ekrem Lluka nga Peja, i kompanisë me zero kapital; por nuk do t’ia di, as për faktin, që këtij biznesmeni, në Shqipëri i është dhënë titulli “Investitor Strategjik”, ndërsa në muajin dhjetor 2024 është marrë i pandehur në Kosovë nga Prokuroria Speciale.
Ai është nën hetim, për mashtrim e evazion fiskal, pastrim parash të krimit e korrupsionit, grabitje pasurie shtetërore e private dhe falsifikime dokumentesh.
Ndërsa në Shqipëri, Ekremit nga Peja, i jepet leje e toka për investim 70 milionë Euro pa burim legal e ligjor, për shkak të lidhjeve në ortakëri, interesa e punë të pista me oligarkë, qarqe mafioze, politikanë shqiptarë e sekserë të tyre në kosovë dhe Serbi. Kaq për sot!/Pamfleti
Lini një Përgjigje