TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia19 Mars 2026, 14:57

Dritëhijet e Ermal Nufit: nga rrjeti i tenderëve, kullave dhe Porti i Durrësit te ministria e Mbrojtjes

Shkruar nga Pamfleti
Dritëhijet e Ermal Nufit: nga rrjeti i tenderëve, kullave dhe Porti i
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi /

Emërimi i ministrit të ri ngre pikëpyetje të forta për lidhjet familjare dhe financiare me kompani që kanë përfituar fonde publike, leje ndërtimi dhe aktivitete në sektorë të ndjeshëm të sigurisë...

Me emërimin e Ermal Nufit në postin e Ministrit të Mbrojtjes, Edi Rama nuk bëri as rifreskim të qeverisë, as pastrim të saj. Ai zëvendësoi Pirro Vengun me një figurë tjetër të përdorur më parë në poste kyçe, emri i së cilës lidhet me dyshime për përfitime fondesh publike, leje ndërtimi, licenca shërbimesh private dhe ndikim në sektorë që prekin sigurinë kombëtare.

Lidhjet e ministrit Ermal Nufi me interesa financiare dhe asete publike, sipas të dhënave të përmendura, shtrihen në disa kompani, mes tyre “BE-IS” sh.p.k., “HEC-Kalisi Hydropower” dhe “Maritime Logistics” sh.p.k., ku vëllai i tij, Edmir Nufi, rezulton ortak me 30 për qind të aksioneve, në partneritet me Hamz Islamajn.

 

Dritëhijet e Ermal Nufit: nga rrjeti i tenderëve, kullave dhe Porti i

Gjatë qeverisjes së PS-së, Ermal Nufi ka kaluar në një sërë postesh me ndikim, që lidhen drejtpërdrejt me tenderët e rrugëve, rindërtimin, investimet bashkiake, aeroportet, portet detare dhe sektorin e energjisë.

Sipas pretendimeve të paraqitura, pikërisht përmes fuqisë që Ermal Nufi ushtroi në këto pozicione, kompania “BE-IS” sh.p.k., në pronësi të bashkëfshatarit dhe krushkut të tij Hamz Islamaj, ka përfituar gjatë qeverisjes “Rama” rreth 173 milionë euro tenderë, një pjesë e tyre në bashkëpunim me kompani të tjera të preferuara nga qeveria.

Nga kjo shumë, rreth 110 milionë euro lidhen me tenderë rrugësh dhe investime publike qendrore e rurale, fusha që lidhen me detyrat që Ermal Nufi ka mbajtur deri pak para emërimit si ministër i Mbrojtjes.

Përveç funksioneve të larta në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në Kryeministri, Ermal Nufi ka mbajtur edhe detyra të tjera me peshë, si kryetar i Bordit të Menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Bordit të Kadastrës së Shqipërisë, anëtar i Bordit të kompanisë “KAYO”, anëtar i Bordit të kompanisë së projektit “Alabbar”, anëtar i Bordit të Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor dhe konsulent në Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ndërkohë, vëllai i tij, Edmir Nufi, është anëtar i Bordit Këshillimor në Korporatën e Investimeve Shqiptare, bashkë me drejtorin aktual të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.

Sipas informacionit të referuar, ortaku i vëllait të ministrit, Hamz Islamaj, është futur edhe në ndërtimin e kullave në Tiranë. Më 20 shkurt 2025, ai ka përfituar leje për një godinë 27 kate, projekt për të cilin ngrihen dyshime mbi burimin real të financimit dhe mbi interesat që fshihen pas tij.

Një tjetër nyje e kësaj skeme, sipas pretendimeve, është kompania “Maritime Logistics” sh.p.k., ku Edmir Nufi dhe Hamz Islamaj zotërojnë aksione dhe që operon në sektorin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve dhe mallrave frigoriferike në Portin e Durrësit, strukturë që lidhet me vendin ku Ermal Nufi ka ushtruar ndikim institucional.

Sipas të dhënave të përmendura, kjo kompani nuk ka deklaruar bilance tatimore për disa vite. Një vit pas krijimit, ajo e pezulloi aktivitetin në mënyrë formale, ndërsa më pas e rifilloi, në një kohë kur ndaj saj, sipas burimeve të cituara, kishin nisur interesime nga struktura të antitrafikut, antikontrabandës dhe agjenci partnere të SHBA-BE.

Pretendimi më i rëndë lidhet me dyshimet se kjo kompani përdoret për të lehtësuar veprimtari të paligjshme në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar lidhje dhe mbrojtje institucionale që garantojnë shmangien e kontrollit policor, kufitar, doganor dhe antikrim.

Nëse këto të dhëna verifikohen nga organet ligjzbatuese, atëherë emërimi i Ermal Nufit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes nuk del si zgjedhje politike për të forcuar qeverinë, por si zhvendosje e një figure me lidhje të thella interesi në një nga dikasteret më të ndjeshme të shtetit.

Në këtë rast, pyetja nuk është më vetëm kush është Ermal Nufi. Pyetja është sa larg shkon rrjeti i interesave që e ka ngritur dhe kush përfiton realisht prej tij./Pamfleti

 

ermal nufi hamz islamaj ministria e mbrojtjes

2 Komente

  1. s
    skenderi

    MERU DHE ME DRITHIJET E MINISTRIT FERIT HOXHA SE DO BESH KULMIN E KARIERES

    1. O
      Opionisti

      Amund te hetohete

      Lini një Përgjigje