TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia10 Dhjetor 2024, 12:09

Drejtësia e re e “hëngri bananen” e Trifon Murataj dhe e liroi; i bëri karshillëk FBI, EUROPOL dhe DEA

Shkruar nga Pamfleti
Drejtësia e re e “hëngri bananen” e Trifon Murataj dhe e
trifon Murataj /

Hetimi për këtë skandal, duhet të fillojë nga fakti, se si dosja e krye trafikantit të “Bana King”, kaloi në heshtje nga SPAK  dhe Gjykata e Posaçme, te Prokuroria dhe Gjykata e Durrësit; kur sipas Ligjit Anti-mafia hetimi për trafikimin ndërkombëtar të drogës, me bashkëpunim me zyrtarët e shtetit, është kompetencë e SPAK-ut...

Për 35.5 kilogramë kokainë, të kapur në datën 3 nëntor 2022 te një nga kontejnerët e kompanisë “Bana King” në Portin e Durrësit, pas informacioneve të DEA, EUROPOL dhe agjentëve të FBI pranë BKH e SPAK-ut, u dha masa e arrestit me burg për pronarin trafikant Trifon Murataj, por ai u njoftua dhe u arratis.

Duke qenë krim i organizuar që e përfshin ligji anti-mafie, aksioni për kapjen e kokainës dhe të gjithë procedurat e veprimet hetimore të hyrjes së kontejnerit të “Bana King” në Portin e Durrësit e skanimin, i bënë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit e prokurorë të SPAK-ut.

Me vendim të SPAK dhe të Gjykatës së Posaçme, në datën 4 nëntor 2022, u shpall në kërkim Trifon Murataj; por prej 2 vitesh në kërkim, ai nuk arrestua nga policia e shtetit, megjithëse ka hyrë e ka dalë disa herë lirshëm në pikat kufitare.

Sepse faktikisht, ai nuk u fut në listën e kërkimit ndërkombëtar, ndërsa në Shqipëri nuk u vu në gjurmin në sistemin TIMS e as në terren, megjithëse jetonte te kulla e Bashkim Ulajt ku ka zyrën Sali Berisha, por është parë dhe në hotele, resorte e restorante në Tiranë, Durrës e bregdet, i shoqëruar me ish-ministra, deputetë, kryetarë të bashkive, oligarkë, shefa policie e zyrtarë të drejtësisë.

Për t’ia bërë qokën të plotë e për të mos e lënë në stres si person në kërkim, para disa ditësh në fshehtësi të plotë dhe pa publikim në faqen zyrtare të çështjeve të hedhura në short, Prokuroria dhe Gjykata e Durrësit e liruan krye trafikantin e “Bana King” Trifon Murataj.

Këtij bosi të trafikut ndërkombëtar, që me  kontejnerët e kompanisë së tij “Bana King”, ka futur në Shqipëri afro 4 ton kokainë të kapur, të zbuluar e lejuar në vitet 2019-2022, drejtësia e re i hoqi masën “Arrest me burg e në kërkim” dhe e la me “Detyrim paraqitje”, kur në arrest me burg janë 113 persona të kapur me 4-5 doza kanabis e kokainë.

Me lirimin e tij, drejtësia shqiptare i bëri karshillëk e shpërfillje ekipit të FBI që është në BKH e SPAK dhe DEA-s e EUROPOL, që e kanë skeduar dhe raportuar disa herë Trifon Muratajn dhe kompaninë e tij “Bana King”, për veprimtari të organizuar trafikimi të drogës në bashkëveprim me zyrtarë të shtetit shqiptar.

Siç kuptohet, me apo pa urdhër nga kupola politike-shtetërore, bananet e krye trafikantit të “Bana King”, Trifon Murataj, i ‘paska ngrënë’ dhe drejtësia e re; te e cila, ILD, KLP e KLGJ na bëjnë thirrje e moral që të kemi besim.

Lirimi i krye trafikantit Trifon Murataj, duhet të jetë këmbanë alarmi për Prokurorin e Përgjithshëm të dosjes “Xibraka”, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe sidomos për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë e madje për SPAK, nëse shefat e tyre nuk “kanë ngrenë bananet” e Bana-King.

Hetimi për këtë skandal,  duhet të fillojë nga fakti, si dhe me çfarë urdhri e baze ligjore, dosja e krye trafikantit të “Bana King”, kaloi në heshtje nga SPAK  dhe Gjykata e Posçme, te Prokuroria dhe Gjykata e Durrësit.

Kur sipas Ligjit Anti-mafia për korrupsionin dhe krimin e organizuar, hetimi për trafikimin ndërkombëtar të drogës, me apo bashkëpunim me zyrtarët e shtetit, është vetëm kompetencë e SPAK-ut./Pamfleti

 

bana king trifon murataj

Lini një Përgjigje