Shkak për verifikimin pasuror, u bënë vetë Meta e Kryemadhi, të cilët gjatë marrjes në pyetje në BKH e SPAK, për jetën luksoze dhe pasuritë e fëmijëve në Londër, kanë thënë se 3 fëmijët janë në moshë madhore, kanë krijuar jetën e tyre të pavarur dhe përgjigjen vetë ligjërisht...
Pas sekuestrimit e mos kthimit të telefonit të Monika Kryemadhit, dhe marrjes nën hetim të saj e bashkëshortit Ilir Metaj, për pasuri me burim korrupsionin e trafiqet, fshehje pasurie, pastrim parash e lobim me mafien ruse, SPAK ka hedhur një hap tjetër domethënës, për hetimin në “themel” të kësaj familjeje mafioze.
Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se ditën e enjte, me autorizim nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani; hetuesit e BKH që kanë në dorë dosjet e çiftit Meta-Kryemadhi, i kanë dërguar shkresa të veçanta me të njëjtin tekst, 3 fëmijëve të tyre me moshë madhore.
Në shkresën drejtuar shtetasve Bora Metaj 26-vjeç; Besar Metaj 24-vjeç dhe Era Metaj 19-vjeç; BKH u kërkon deklarim të plotë e të saktë, për pasuritë e llogaritë bankare që kanë, burimin e krijimit të tyre dhe burimin e të ardhurave me të cilat jetojnë brenda e jashtë Shqipërisë.
Nisur prej faktit, që babai i tyre përdor mbiemrin “Meta” pa “J”, ndërsa nëna tyre ka vetëm mbiemrin “Kryemadhi”, agjentët e BKH-së kanë saktësuar në shkresat e dërguara te 3 fëmijët, dhe kanë verifikuar mbiemrin e tyre “Metaj” dhe vërtetohet që janë në lidhje prindër-fëmijë me shtetasit nën hetim Ilir Meta e Monika Kryemadhi.
Po kështu, agjentët e BKH-së i kanë vënë në dijeni shtetasave Bora Metaj, Besar Metaj e Era Metaj, se për kërkesën e deklarimit pasuror, janë bërë verifikime në agjencitë shëndetësore, sipas të cilave, rezultojnë të përgjegjshëm mendërisht për të komunikuar me drejtësinë.
Fëmijët nuk po merren në hetim, sepse për ta nuk ka denoncime e kallëzime penale, ata nuk janë pjesë e hetimit prindëror, prandaj informacionet për të dhënat pasurore e të burimeve të jetesës, duhet t’i dërgojnë në SPAK me Postën Shtetërore.
Pra, ata nuk do merren fizikisht në pyetje nga BKH dhe nuk do thirren në SPAK, si prindërit e tyre nën hetim, por nëse në deklarime, do konstatohen të dhëna të rreme, atëherë do merren në pyetje, për mashtrim e fshehje pasurie, në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe me prindërit.
Deri në vitin 2021, fëmijët kanë bërë deklarime në ILDKPI, në shuma në lekë, USD e Paund; që ua kanë dhuruar prindërit Ilir Meta e Monika Kryemadhi, por nuk kanë deklaruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, fakt për të cilin SPAK i ka bërë pjesë të hetimit familjar.
Këtij fakti, i janë bashkëngjitur denoncimet në media, që thonë se çifti Meta-Kryemadhi, ka fshehur miliona e pasuri brenda e jashtë Shqipërisë edhe në emër të fëmijëve; konkretisht shtëpi e lokale në Londër, Itali, Mali i Zi, Kroaci, Serbi, etj.
Por shkak për verifikimin pasuror të fëmijëve, u bënë vetë Ilir Meta e Monika Kryemadhi; të cilët, gjatë marrjes në pyetje në BKH e SPAK, për jetën luksoze të fëmijëve, kanë thënë se 3 fëmijët janë në moshë madhore dhe kanë krijuar jetën tyre të pavarur.
Të njëjtën deklaratë, Ilir Meta e bëri edhe para media, duke thënë se nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, mbasi ata janë mbi 18-vjeç dhe përgjigjen vetë para drejtësisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje