TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia23 Tetor 2025, 13:55

Bashkia Peqin e zhytur në korrupsion dhe nepotizëm; rrjeti i Bukurosh Maçit dhe sekretarit Julian Manahasa ka kapur gjithçka

Shkruar nga Pamfleti

Familjarët e kryetarit Bukurosh Maçi mbajnë postet kryesore në bashki, ndërsa sekretari i përgjithshëm Julian Manahasa i jep institucionit me qira truallin e tregut ditor për 100 mijë lekë në muaj në emër të nënës së tij. Punimet kryhen nga “Lluca” shpk, kompania e ortakut dhe bashkëpunëtorit të sekretarit...

Bashkia Peqin e zhytur në korrupsion dhe nepotizëm; rrjeti i Bukurosh

Bashkia Peqin është kthyer në një strukturë të mbyllur ku administrata publike, tenderat dhe bizneset private funksionojnë në bashkëveprim të plotë. Dokumentet e siguruara nga Pamfleti tregojnë se në qendër të këtij sistemi qëndron kryetari i bashkisë Bukurosh Maçi, i cili ka ndërtuar një zinxhir pushteti dhe përfitimi përmes familjarëve, krushqive dhe punonjësve të tij të besuar.

Në nivelet drejtuese të bashkisë, çdo emër lidhet me familjen e kryetarit.

Administrator i Njësisë Administrative Pajovë është Xhulio Maçi, kushëri i parë dhe djali i xhaxhait të kryetarit.

Drejtor i Taksave Vendore është Virgjil Maçi, po ashtu kushëri i parë.

Drejtoreshë e Shërbimeve Komunitare është Xhesika Teqja, bashkëshortja e djalit të xhaxhait Elvis Maçi.

Kryeinspektor i IMT-së është Gjergj Bashvogli, kushëri i parë nga nëna.

Përgjegjës i Sektorit të Ndihmës Ekonomike është nipi i kryetarit, Klejvis Elezi.

Drejtor i Kulturës është Genc Gripshi, i dënuar në Itali për trafik narkotikësh.

Puna dhe pushteti në bashkinë Peqin ndahen sipas gjakut, ndërsa pjesa tjetër e administratës shërben si mbulesë ligjore për tenderat dhe transfertat që dalin jashtë kontrollit.

Sistemi i grabitjes funksionon në dy drejtime. Në rrafshin e parë, përmes Drejtorisë së Taksave Vendore që kontrollon të ardhurat nga tregjet javore. Sipas dëshmive të brendshme, taksat që mblidhen në tregun e Pajovës nuk derdhen në arkën e bashkisë. Tregu menaxhohet nga Xhulio Maçi dhe të ardhurat kalojnë në xhepat e strukturës familjare.

Në rrafshin e dytë, përmes tenderave që organizohen dhe kontrollohen nga njerëz të përfshirë vetë në kompani private. Kjo është mënyra se si krijohet një rrjet për të tërhequr fonde publike me mbulesë administrative.

Në këtë mekanizëm janë përfshirë tre emra kyç: Julian Manahasa, Emilian Lluca dhe Elton Hallulli. Të tre janë pjesë e administratës së bashkisë dhe kontrollojnë tenderat përmes kompanive private që i zotërojnë vetë ose që i menaxhojnë në mënyrë të fshehtë. Manahasa është sekretar i përgjithshëm i bashkisë, Lluca një bashkëpunëtor i tij i drejtpërdrejtë, ndërsa Hallulli është inxhinier i bashkisë dhe anëtar i këshillit teknik që miraton lejet e ndërtimit. 

Sekretari i pergjithshem Julian Manahasa ka dhene me qera per 10 vite bashkise Peqin truallin në pronësi të tij, ku ushtron aktivitetin tregu ditor Peqin dhe merr qera mujore 100,000 lekë në muaj. Kontrata eshte lidhur ndërmjet Bashkisë Peqin dhe Mahmude Manahasa, nëna e Julian Manahasës, ndërsa punimet për ndërtimit e tregut ditor Peqin u bënë nga shoqëria “Lluca” Shpk. në pronesi te Emiljan Llucës; ortakut dhe partnerit në biznes te Julian Manahases tek shoqeria “T&J Construction” Shpk.

Bashkia Peqin e zhytur në korrupsion dhe nepotizëm; rrjeti i Bukurosh

Kompania e parë, “T&J Construction” shpk, është regjistruar më 18 nëntor 2022 me NUIS M29718101T dhe me seli në Peqin. Ortakë janë vetë Julian Manahasa dhe Emilian Lluca. T&J Construction ka marrë rreth 70 mijë euro kryesisht nga Bashkia Peqin. Në bashkëpunim ka marrë rreth 4 milionë euro tendera publikë Kompania e dytë, “Impuls 10” shpk, është regjistruar më 16 janar 2024 me NUIS M48716101J dhe administrator Adnand Dranga. Të dyja veprojnë në ndërtim dhe kanë adresë në Peqin. Përmes këtyre subjekteve, fondet publike të bashkisë kalojnë nga buxheti i bashkisë drejt duarve të zyrtarëve që firmosin vetë procedurat.

Bashkia Peqin e zhytur në korrupsion dhe nepotizëm; rrjeti i Bukurosh

Në tetor 2024 Bashkia Peqin zhvilloi tenderin me referencë REF-27446-10-31-2024 për “Rikonstruksionin e varrezave të qytetit Peqin”. Fondi limit ishte 7 598 015 lekë pa TVSH dhe financimi nga buxheti i bashkisë. Person përgjegjës për prokurimin ishte zyrtari Francesko Rrushi, i cili përdori adresë email personale për dokumentet e procedurës. Sipas dokumenteve standarde të tenderit, çdo ofertues duhet të kishte bilancet e tre viteve të fundit 2021–2023, xhiron vjetore të paktën sa fondi limit i kontratës dhe certifikatat ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001. Po këto dokumente përcaktojnë se sigurimi i ofertës duhet të jetë 2 % e fondit limit dhe të vlejë gjatë gjithë kohëzgjatjes së procedurës.

Fitues u shpall “Impuls 10” shpk, kompani e krijuar vetëm dhjetë muaj para zhvillimit të tenderit. Kjo kompani nuk ka bilance për periudhën e kërkuar dhe as xhiro të deklaruar përpara vitit 2024, pra nuk përmbushte asnjë nga kriteret e kualifikimit. Megjithatë, më 13 nëntor 2024, ajo u shpall fituese me vlerë 9 117 618 lekë, më shumë se fondi limit i parashikuar. Në çdo rast tjetër kjo kompani do të përjashtohej automatikisht, por në Peqin ajo fitoi tenderin që vetë drejtuesit e bashkisë kishin hartuar.

Në praktikë kjo është mënyra sesi fondet publike kalojnë nga institucioni drejt rrjeteve të kontrolluara prej vetë zyrtarëve. Elton Hallulli si anëtar i Këshillit Teknik përdor pozicionin për të ushtruar presion mbi qytetarët që kërkojnë leje ndërtimi. Leja miratohet vetëm nëse projekti dhe zbatimi kryhen nga firma “Impuls 10”, në të kundërt procesi bllokohet. Kështu krijohet një monopol lokal që detyron qytetarët të punojnë me kompanitë e administratës për të marrë dokumentet ligjore të ndërtimit. Qytetarët paguajnë më shumë, ndërsa fondet publike përdoren për të financuar kompanitë e lidhura me drejtuesit.

Sipas rregullave të Agjencisë së Prokurimit Publik, çdo procedurë duhet të publikohet në Buletinin zyrtar me njoftimin e fituesit dhe kontratën përfundimtare. Tenderi për rikonstruksionin e varrezave në Peqin nuk gjendet në këto publikime. Kjo tregon se bashkia ka mbajtur jashtë transparencës një procedurë që përfshin kompani të lidhura me drejtuesit e saj.

Në Peqin nuk ka mungesë kontrolli, por një proces të planifikuar për të drejtuar fondet publike drejt personave të lidhur me administratën. Vendimet, kontratat dhe lejet kalojnë brenda një rrethi të mbyllur që vepron nën mbikëqyrjen e kryetarit Bukurosh Maçi. Bashkia nuk funksionon më si institucion që menaxhon shërbime, por si një strukturë që favorizon njerëzit e vet në çdo nivel të prokurimit. /Pamfleti

bukurosh maçi julian manahasa emilian lluca elton hallulli t&j construction impuls 10 bashkia peqin

2 Komente

  1. R
    Roshi

    Po të kaloje në Peqin natën deri para 1 muaj ndriçim kishte vetëm pjesa e lokalit të Bukuroshit nga ndriçimi i rrugës. Rrugët e tjera brenda qytetit ishin terr. Tani prisni të hapet tenderi për rimbjelljen e pemëve dhe lulishteve të reja se ato që ishin i shkulën.

    1. N
      NUK PASKAN MBARIM MONSTRAT

      JA I DENONCUAT. FALEMINDERIT SHUME. PO LE TI KTHEJNE TANI KUSH KA VEPRUAR KEQ. NGA XHEPI I TYRE OSE TE FUTEN NE BURG SI SARKOZI. TE PUNOJNE CTE JETE QE TE SHESIN E TE KTHEJNE DEMIN E RRUGEVE SPITALEVE SHKOLLAVE PARQEVE AMBIENTEVE PER TE RINJ E MOSHUAR

      Lini një Përgjigje