TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia20 Maj 2024, 12:24

Babëzia e Manastirliut: ku kanë përfunduar 13 milionë Euro me letra false për barazinë gjinore 2021-2023

Shkruar nga Pamfleti
Babëzia e Manastirliut: ku kanë përfunduar 13 milionë Euro
Ogerta Manastirliu /

Gjersa janë shpenzime nga buxheti i shtetit, SPAK duhet të hetojë raportet financiare të shpenzimeve që ka hartuar ish-ministrja e Shëndetësisë, aktualisht ministre e Arsimit...

Me të dhëna zyrtare nga Auditi i Ministrisë së Financave, “Pamfleti” po publikon një skandal tjetër financiar, që realisht është vjedhje me falsifikim dokumentesh zyrtare, kryer nga Ogerta Manastirliu në vitet 2021-2023, kur ishte Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Fakti është ky: pas një projekti të paraqitur nga Ogerta Manastirliu, qeveria miratoi Vendimin Nr. 400, datë 30 qershor 2021, për financimin e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore në vitet 2021-2030, që do zbatohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Për këtë projekt, u financuan 33 miliardë e 587 milionë lekë të vjetra, ose 27.1 milionë Euro, kundrejt këmbimit 124 lekë/1 Euro; nga të cilat, 75% financim nga buxheti i shtetit, 9.4% donacione dhe 15.6% i parashikuar si hendek financiar që mund të mos plotësohet.

Financimi i projektit të barazisë gjinore, u nda në dy faza: shpenzime korente e kapitale afat-mesme për periudhën 2021-2023 dhe shpenzimet afatgjata 2024-2030, të shoqëruara me aktivitetet që planifikoi ministria, në bashkëveprim me 4 OJF të cilat nuk janë bërë publike.

Babëzia e Manastirliut: ku kanë përfunduar 13 milionë Euro

Në raportin e projektit afat-mesëm 2021-2023, që ish-ministrja Ogerta Manastirliu dorëzoi në Ministrinë e Financave, si dikaster përgjegjës për financimin e auditimin, thuhet se plani i veprimit për strategjinë e barazisë gjinore, shoqërohet me një kosto analitike të çdo aktiviteti.

Nga të dhënat e Ministrisë së Financave, rezulton se për periudhën korrik 2021-dhjetor 2023, Ogerta Manastirliu ka shpenzuar 13.1 milionë Euro, të deklaruara për fletë-palosje, takime, udhëtime, konsultime me grupe sociale, konferenca etj., të ndara në shpenzime korente 13.3 miliardë lekë dhe afro 3 miliardë lekë shpenzime kapitale që nuk dihet çfarë janë.

Sepse shpenzimet janë pasqyruar në shifra kostosh globale, ndërsa sipas Ministrisë së Financave, rezulton se për 90% e aktiviteteve të deklaruara nuk ka prova që janë zhvilluar, por janë regjistruar si të zhvilluara, ndërkohë që nuk ka pasqyra kostosh dhe realizues të tyre, duke fshehur edhe 4 OJF-të, që do të thotë, se Manastirliu ka paraqitur preventivë e raporte false, me mendimin se nuk do verifikohen.

Gjersa janë shpenzime nga buxheti i shtetit, SPAK duhet të hetojë raportet e shpenzimeve me vlerë 13.1 milionë Euro, të projektit afatmesëm për barazinë gjinore 2021-2023; ndaj Manstiliu ka firmosur shpenzimet deri në fund të vitit, kur ajo është larguar nga detyra në shtator 2023.

Por duhet hetuar dhe fakti, që për projektin afatgjatë 2024-2030, ish-ministrja Ogerta Manastirliu ka lënë vetëm 9.6 milionë Euro; të cilat po zhduken nga ministrja pasardhëse Albana Koçiu, me letra fiktive pa bërë asnjë aktivitet konkret./Pamfleti

ogerta manastirliu barazia

Lini një Përgjigje