Hetimet mbi AKSHI-n ndalen te procedurat dhe kompanitë në letra, por shmangin Armand Sharën, i cili përmes TAG Engineering, ikubINFO, Infosoft dhe iNext ka paracaktuar tenderë, ka përfituar dhjetëra milionë euro nga buxheti dhe i ka kanalizuar këto para drejt skemës së evazionit fiskal “Durana Tech Park”, duke vijuar rolin në grupin kriminal që më parë e mbante Ermal Beqiri..
Interesant është fakti që sa herë organet ligjzbatuese nisin hetime mbi AKSHI-n, fokusi ndalet te procedurat, te dokumentet, te kontratat dhe te kompanitë që dalin fituese në letra, por nuk shkon kurrë te personi që i lidh të gjitha këto elemente dhe që ka rol vendimtar në mënyrën si ndërtohen dhe si përfundojnë tenderët e teknologjisë, duke e lënë jashtë çdo analize Armand Sharën, edhe pse ai del në çdo hallkë të këtij zinxhiri.
Hetimet shohin formularët dhe firmat, por nuk ndjekin pronësinë reale dhe nuk ndjekin lidhjet ekonomike, sepse paracaktimi i një procedure nuk ndodh vetë, dikush harton kushtet, dikush kontrollon furnizimin, dikush vendos kush hyn në garë dhe kush del fitues, dhe në rastin e AKSHI-t këto role nuk janë të ndara, por bashkohen rreth të njëjtit emër.
Armand Shara zotëron 100 për qind të TAG Engineering, kompani e regjistruar më 30 nëntor 2017 me NIPT L72407008S, dhe përmes kësaj shoqërie mban kontroll mbi kompani që shfaqen vazhdimisht në procedurat e teknologjisë publike, duke mos dalë kurrë vetë si përfitues frontal, por duke qenë gjithmonë prapa kompanive që marrin kontrata dhe pagesa nga buxheti.
TAG Engineering mban kuota në INFOSOFT SYSTEMS, InfoSoft Business Solutions, ikubINFO dhe ikubINFO International, kompani që dalin si kontraktorë dhe furnitorë në projektet që AKSHI paguan nga thesari i shtetit, duke e vendosur Armand Sharën në qendër të vendimmarrjes edhe kur emri i tij nuk figuron në kontratë.
Sipas të dhënave të thesarit, vetëm ikubINFO ka marrë rreth 30 milionë euro nga fondet publike, të shpërndara në mbi një mijë transaksione, pagesa të kryera kryesisht nga AKSHI për sisteme dhe shërbime informatike, ndërsa kontrolli i kësaj kompanie kalon përmes TAG Engineering dhe përfundon te Armand Sharra.

Këto pagesa nuk përfaqësojnë një episod të vetëm, por një rrjedhë të vazhdueshme parash publike, ku i njëjti rrjet shfaqet herë si fitues, herë si furnitor dhe herë si konkurrent, ndërsa përfitimi real mbetet i përqendruar te i njëjti person.
Në dosjen e laboratorëve të shkollave “Smart Lab”, që ndodhet nën hetim, institucionet ndalen te kompanitë që dalin fituese në tender, por nuk ndjekin zinxhirin e furnizimit dhe faturimit, ku pajisjet kalojnë nga partneri distributor te kompani të lidhura me rrjetin e Armand Sharrës, më pas te ndërmjetës dhe në fund te pjesëmarrës që fitojnë me çmime disa herë mbi koston, ndërsa personi që kontrollon këtë zinxhir nuk përmendet.
Paralelisht me këtë rol në teknologji, Armand Sharra rezulton i lidhur me grupet kriminale që pastrojnë paratë në ndërtim, kulla dhe pasuri të paluajtshme, duke krijuar një bosht ku tenderët, paratë publike, projektet dhe toka qarkullojnë brenda të njëjtave rrjete.
Pas largimit të Ermal Beqirit nga qendra e skemës, roli i tij nuk u zhduk, por u trashëgua, dhe sot del qartë se Armand Sharra ka marrë përsipër vijimin e misionit të Beqirit, duke mbajtur të njëjtin model funksionimi, të njëjtat lidhje dhe të njëjtin kontroll mbi procedurat e AKSHI-t, por me më pak ekspozim dhe me më shumë mbulim përmes pronësisë.
Skema nuk ndryshoi, ndryshoi vetëm emri që nuk përmendet, sepse ndërsa Ermal Beqiri doli në dosje dhe në hetime, Armand Sharra mbeti në hije, edhe pse paratë, kompanitë dhe kontratat tregojnë se kontrolli i krimit nuk u largua, por thjesht u zhvendos tek një tjetër aktor, Armand Shara.
Në këtë situatë, pyetja nuk lidhet me një tender dhe as me një kompani, por lidhet drejtpërdrejt me Armand Sharën, sepse pa u hetuar roli i tij si kontrollues i rrjetit të teknologjisë, si i lidhur me grupet e ndërtimit dhe si vijues i misionit të Ermal Beqirit, çdo hetim mbi AKSHI-n mbetet i cunguar.
Pse eshte lene ne hije kolosi i tenderave te teknologjise Z. Armand Shara ?
Lidhja e kompanive të Armand Sharës me aferën e “Durana Tech Park” është e drejtpërdrejtë dhe del nga dokumentet, jo nga interpretimet. Së pari, TAG Engineering SH.P.K., kompania që Armand Sharra zotëron 100 për qind dhe që shërben si qendra e kontrollit të gjithë rrjetit të tij, rezulton e përfshirë në listat e publikuara si një nga rreth 50 subjektet që janë regjistruar dhe kanë përfituar nga përfshirja në “Durana Tech Park”. Ky fakt tregon se Sharra nuk ka qenë spektator në këtë aferë, por pjesë aktive e saj që në fazën e ndërtimit të skemës.
Së dyti, kompania iNext SH.P.K., e kontrolluar nga Armand Sharra përmes këtij rrjeti, është themeluar me adresë të regjistruar pikërisht brenda “Durana Tech Park”, çka nuk përbën një detaj formal, por një zgjedhje të qëllimshme, sepse e fut kompaninë që në ditën e parë në një parajsë fiskal që parashikon përjashtim nga tatimfitimi dhe lehtësi të tjera që lidhen drejtpërdrejt me këtë park. Kjo tregon se iNext nuk u krijua si një kompani e zakonshme tregu, por si një strukturë e vendosur brenda një skeme që kishte si qëllim evazionin fiskal.
Duke qenë se TAG Engineering dhe rrjeti i kompanive të lidhura me të janë përfitues të rregullt të tenderëve publikë me vlerë miliona euro, kryesisht në sektorin e teknologjisë dhe përmes AKSHI-t, situata merr një dimension tjetër. Nga njëra anë, këto kompani marrin fonde të mëdha nga buxheti i shtetit përmes kontratave publike, pra marrin para të taksapaguesve. Nga ana tjetër, përmes përfshirjes në “Durana Tech Park”, të njëjtat subjekte shmangin pagesën e taksave, duke mos kontribuar në të njëjtin buxhet nga i cili ushqehen.
Këtu krijohet një cikël i mbyllur, ku paratë publike kalojnë nga thesari i shtetit te kompani të kontrolluara nga Armand Sharra, më pas përqendrohen te TAG Engineering si kompani mëmë dhe, në fazën tjetër, kanalizohen drejt iNext, e cila është pozicionuar brenda skemës së evazionit fiskal të “Durana Tech Park”. Në këtë mënyrë, fitimet që burojnë nga tenderët e teknologjisë, përfshirë ato të AKSHI-t, kalojnë nga një rrjet kompanish që i përkasin të njëjtit kontroll dhe përfundojnë në një strukturë ku taksat nuk paguhen.
iNext, e krijuar dhe e regjistruar brenda parkut, shfaqet kështu si një portofol i ri për rrjetin që kontrollon Armand Sharra, një kompani që nuk ka nevojë të dalë vetë në tenderë në fazën fillestare, sepse ushqehet nga paratë që gjenerohen nga kompanitë e tjera të grupit, si ikubINFO dhe subjektet e lidhura me Infosoft, para që fillimisht vijnë nga procedura publike dhe më pas zhvendosen brenda rrjetit.
Ky mekanizëm shpjegon pse iNext nuk ka histori të sajën në prokurimet publike, por megjithatë shfaqet menjëherë si pjesë e një strukture fiskale të privilegjuar, sepse ajo nuk u ndërtua për të konkurruar, por për të thithur fitimet që krijohen nga tenderët e fituar më parë nga rrjeti i kompanive që Armand Sharra kontrollon prej vitesh... (vijon) /Pamfleti
Lini një Përgjigje