TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 2 Korrik 2026, 15:40

A do ketë guxim SPAK të hetojë edhe bosin e APEX, Dajlan Avdia, si pastruesin e parave të mafies kryeministrore?

Shkruar nga Pamfleti

A do ketë guxim SPAK të hetojë edhe bosin e APEX, Dajlan Avdia,

Lidhje të forta bosi i APEX, Dajlan Avdia, ka edhe në hetuesinë e drejtësisë së posaçme, përmes familjarit të tij, E.A, oficer i BKH-së...

Sipas dosjeve të Prokurorisë së Posaçme, në datat 10 dhe 12 qershor 2026, u lëshuan njëzet masa sigurie, pesëmbëdhjetë prej tyre "arrest në burg" dhe pesë "arrest në shtëpi", për një rrjet që trafikonte kokainë nga Amerika Latine përmes porteve të Belgjikës, Spanjës dhe Holandës.

Tri ditë më vonë erdhi goditja e dytë, ndaj një organizate përgjegjëse për të paktën 50 tonë kokainë drejt porteve të Holandës dhe Belgjikës, me dhjetë arreste dhe 491 pasuri nën sekuestro me vlerë rreth 150 milionë euro, në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Himarë dhe Sarandë.

Të dyja dosjet përshkruajnë të njëjtën mekanikë. Të ardhurat nga kokaina vinin "cash" për të shmangur bankat, kalonin përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit dhe huave mes personave të lidhur, dhe përfundonin në pasuri të paluajtshme, kryesisht në ndërtim dhe hoteleri. Tirana dhe bregdeti i jugut shfaqen në të dyja rastet si lavatriçja ku betoni e kthen paranë e pistë në pasuri të ligjshme.

Por mbi këtë sfond ngrihet një pyetje. Dajlan Avdia, shtetas gjerman i lindur më 1968 në Tiranë, ish-pronari i APEX, kompanisë më të madhe të bixhozit në vend, pastrues i parave të mafies kryeministrore, nuk është prekur nga asnjë dosje. Prapa investimeve miliona euro, që Avdia ka bërë në kulla e resorte në Tiranë e Sarandë, qëndrojnë financime të pista me burim drogën dhe pastrim parash të mafies qeveritare, biznesin e të cilës e kryen me struktura ndërkufitare në Austri, Holandë, Çeki, Gjermani, Londër dhe Dubai.

Në librin "Albanian Files", Avdia ka një rol të rëndësishëm sepse atij i janë dhënë projekte gjigante; libër të cilin po e heton edhe SPAK, por me gjase Dajlan Avdia nuk do të hetohet kurrë për shkak të lidhjeve të tij në drejtësi dhe me rrethin e ngushtë të vëllait të kryeministrit.

"Blue Holding" me NIPT L5170720A, krijuar më 1 maj 2015, në pronësi dhe administrim 100 për qind të Avdisë. Më 1 qershor 2018, pak muaj pasi bixhozi u nxor jashtë ligjit, Avdia ia shiti 16 për qind të aksioneve të APEX-AL me NIPT K62016002B kompanisë austriake "Apex Enterprise GmbH" me adresë Apex Strasse 1, 4293 Gutau, Austri, për rreth 500 mijë euro.

Pas shitjes së aksioneve të bixhozit, Avdia u zhvendos te ndërtimi përmes "Techno-Alb" sh.p.k, "Invest Society" sh.p.k dhe "TDT & Partners" sh.p.k, me ortakë vëllain Glendi Abdi (Gledi Avdia) dhe Natasha Mata, për të cilët do të flasim në vijim. Në Linz të Austrisë, Avdia zotëron "Complitex GmbH", me kapital 35.001 euro, në të njëjtin juridiksion me blerësin e aksioneve të bixhozit.

Lejet erdhën të dendura në zonat më të lakmuara të Tiranës. Kullat e ish-Bllokut në nëntor 2017, përmes "Invest Society". "Book Building" pranë Sahatit në shkurt 2018, përmes "Techno-Alb". Kulla mbrapa Presidencës në qershor 2018. Kulla 47-katëshe "Embassy Tower" përballë ambasadës amerikane më 4 qershor 2025. Gjoba 650 mijë euro për 1800 metra katrorë pa leje te "Book Building" u shfuqizua nga Gjykata Administrative e Apelit më 22 maj 2025, duke e legalizuar sipërfaqen.

Por projekti më ambicioz i Avdisë nuk është në Tiranë. Në korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për resortin e Lëkurësit në Sarandë, 680 mijë metra katrorë poshtë Kalasë së Lëkurësit, me mijëra vila dhe hotel 5-yje me 140 dhoma. Ndërtuesi: "TDT & Partners" e Avdisë. Projekti u pajis me status investimi strategjik me vendimin e KKT nr. 23, datë 09.07.2024.

Në nëntor 2024, KKTU miratoi dhe lejen për kompleksin turistik në Gjirin e Krorëzës. Zhvilluesi: "Invest Society" e Avdisë. Projekti u hartua nga studioja arkitekturore Luca Dini në Firence, e cila e përshkruan si "Krorëz Master Plan". 

Kush e mbron Dajlan Avdia (Abdi)

Lidhje të forta ka Dajlan Avdia edhe në hetuesin e drejtësisë së posaçme, përmes familjarit të tij, E.A, oficer i BKH-së. Ky oficer, pjesë e strukturave që supozohet të hetojnë krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, i siguron Avdisë një mbrojtje të padukshme brenda mekanizmave të drejtësisë.

Avdia lëviz rehat në rrethin e ngushtë të vëllait të kryeministrit, një lidhje që i ka hapur dyert e të gjitha projekteve strategjike. Këto dy mbështetje, njëra brenda drejtësisë dhe tjetra në zemër të pushtetit, e bëjnë të paprekshëm. Për këtë arsye, edhe pse libri "Albanian Files" po hetohet nga SPAK dhe përmend rolin e tij në projektet gjigante, Dajlan Avdia me gjasa nuk do të hetohet kurrë.. /Pamfleti

 

1 Komente

  1. B
    Bashkimi Kombetar i Hajduteve.

    Jo nuk do te kete guxim! A e shikoni si po zvarriten dhe perfundojne shume politikane e qeveritare te akuzuar per shperdorim detyre e vjedhje? Filloni me Gjushin , beri vetem nja 6 muaj ushtri dhe milionat.....nuk ku moren Frida Krifca nuk i hyri gjen ne kembe. Bilinda Balluku polivadhis e ben karshillek. Bufi doli oa faj. Xhuxhi u riemerua ne detyre tjeter te rendesishme. Tao tao vazhdon udhetimin me T. Yaris. Vilat e qeveritareve dhe ca gazetareve qe paguhen nga qeveria si shperblim per sherbimet qe i bejne asaj per te mbuluar skandalet, po lulezojne e vegjetojne per mrekulli. etj etj. SPAK po shkon duke "ulur steken" ne goditjet qe ben, duke u marre me ca persona qe me pas do jene vetem roje ministrish. Kjo per statistika. Duket sikur pandeshkueshmeria do rikthehet edhe me e forte.

    Lini një Përgjigje