James O’Brien mesazh Serbisë se SHBA nuk do të lejojë tensione në veri të Kosovës...
Serbia ka marrë një mesazh të qartë nga Uashingtoni se nuk ka asnjë shans të shkaktojë trazira në Kosovë apo të tentojë akte si ai i sulmit në Banjskë.
Ishte Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.
Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, shkruan REL.
Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR në pjesën veriore të Kosovës, teksa rikujtoi se prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë në këtë pjesë është rritur muajve të fundit.
“Komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.
Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropian, stabël dhe i sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.
Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.
Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore që Serbia mbajti më 17 dhjetor 2023. Ai tha se Uashingtoni pret që të punojë me Qeverinë serbe që të adresohen këto shqetësime, ndërkaq tha se SHBA-ja mbështet protestat paqësore në Serbi “nga njerëzit që ndiejnë se zgjedhjet ishin jo të ndershme dhe që rezultatet nuk ishin ashtu siç ata prisnin”.
Lini një Përgjigje