TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Janar 2025, 10:08

Zjarri në urgjencën e QSUT, Prokuroria çon për gjykim dy persona: Nuk zbatuan rregullat

Shkruar nga Pamfleti

Zjarri në urgjencën e QSUT, Prokuroria çon për gjykim dy

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim 2 persona, lidhur me zjarrin e rënë në QSUT në shkurt të vitit 2024.

Prokuroria ka dërguar në gjyq dy shtetasit Enea Koka dhe Ejnar Shena specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike pranë QSUNT-së Tiranë, të cilët akuzohen për “Shpërdorim Detyre”.

Sipas prokurorisë, pas hetimeve u arrit në përfundimin se me veprimet e tyre, specialistët nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit. Ata ishin në dijeni se bateritë nuk ishin vendosur në kushtet e duhura.

Sipas organit te akuzës, dy inxhinierët nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive.

Po ashtu ata nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasit E.K. dhe E.Sh për “Shpërdorim Detyre” për zjarrin në godinën në Urgjencën e QSUNT

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal shtetasit E.K. dhe E.Sh, specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike pranë QSUNT-së Tiranë.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1578 të vitit 2024, që ka të bëjë me  ngjarjen e datës 29.02.2024 ku rreth orës 05:25, në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, në godinën e “Urgjencës së Re”, në katin e 2-të të saj, në dhomën teknike kishte rënë zjarr, prokuroria arriti në përfundimin se specialistët me veprimet e tyre nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit si:

– Funksionimin e sigurt dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore;

Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive;

Nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë; si dhe

Nga aktet e administruara ata kanë qenë në dijeni të faktit që UPS-të dhe bateritë janë vendosur në katin 2-të godinës të Urgjencës se re, jashtë kushteve teknike dhe standardeve që kërkohen nga prodhuesi, për instalimin dhe funksionalitetin e tyre, megjithëse e kanë pasur si detyrë funksionale dhe ofrimin e konsulencës teknike.

Në kuadër të këtij procedimi, u krye dhe akti i ekspertimit teknik elektrik, nga i cili ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së “Urgjencës së Re” në QSUNT ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”.

Lini një Përgjigje